Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Zgjedhjet në KOHË - Debati për arsim

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Mos mi shtrembëro fjalët” – përplasen Rrusta e Bellanica

10 min. më parë / 31 maj 2026 21:03
Rrusta- Bellanica

Kandidatja për deputete nga Partia Socialdemokrate, Teuta Rrusta, dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Sejdi Bellanica, janë përplasur në Debatin për Arsim në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV.

Rrusta ka akuzuar partitë opozitare se po e kritikojnë moszbatimin e programit nga partia në pushtet por nuk po i qesin në pah problemet në atë program qeverisës.

Kandidatja Rrusta ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta zvogëlojë hendekun mes arsimimit privat dhe publik sepse luksi në të cilin jetojnë, nuk i lë të bashkëndjenjë me qytetarin.

“Nuk mund ta bindësh qytetarin se do të fitosh ose do të bësh diçka më ndryshe nëse kritika jote për qeverinë është vetëm se nuk e ka zbatuar programin dhe jo që ka probleme në atë program qeverisës. Kjo është diferenca që duhet të bëhet e këta nuk po arrijnë ta bëjnë. Telaku nuk po duket përfaqësues, nuk mundet PDK-ja ta zvogëlojë hendekun mes publikes dhe privates përderisa kryesorët e kësaj partie jetojnë në luks. Mungesa e ndjeshmërisë dhe rehatia në të cilën jetojnë nuk i lë të bashkëndjejnë me qytetarët”, ka thënë Rrusta.

Kandidati i AAK-së, Bellanica, tha se duhet vetëm monitorim dhe kontroll, por, nuk ka ndonjë arsye të krijohen inate për arsimin privat.

“Më lejo të flas. Pse nuk thua që edhe çerdhet publike edhe çerdhet private te monitorohen dhe kontrollohen. Në shkollimin publik dhe atë privat vetëm duhet të ketë kontrollë, të kontrollohet cilësia. Në ligjin e arsimit parauniversitar është e shkruar decidivisht që të gjitha shkollat publike dhe private, dallimin e kanë që shkollat publike e lejojnë që të shkollohen nxënësit për të dhënë mësim për të edukuar fëmijët në të gjitha sistemet. Shkollimi privat nuk e lejon, vetëm që të aftësohen për ndonjë profesion apo diçka tjetër”, është shprehur Bellanica.

Rrusta kërkoi që prioritet të jetë arsimi publik pasi sipas saj në këtë mënyrë nuk do të ketë më kërkesa të shumta për arsimin privat.

“Prioritet mbi prioritetet duhet të jetë arsimi publik. Në fund të fundit arsimin privat nuk mund ta ndalosh por nëse investon në arsim publik atëherë do të pushonte nevoja për të ekzistuar kaq shumë universitete e çerdhe private. Çerdhet private fare nuk kontrollohen dhe kanë lulëzuar”, ka deklaruar kandidatja Rrusta.

E Telaku tha se fjalët e Rrustës se e gjithë PDK-ja jeton në luks, s’qëndrojnë.
 

Rrusta: Asnjë qeveri nuk e ka parë arsimin tokë të pëlleshme për vota

37 min. më parë / 31 maj 2026 20:37
Teuta Rrusta

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Teuta Rrusta, ka thënë se mësimdhënësit kanë qenë goxha të atakuar gjatë qeverisjes së Kurtit.

Ajo në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, ka thënë qeveritë në përgjithësi nuk kanë investuar në arsim sepse nuk shihet fushë që sjell vota.

“Sa herë që mësimdhënësit kanë kërkuar rritje të pagave ata kanë qenë të atakuar se janë aty vetëm për paga. Këto zgjedhje janë të përsëritura. Nuk e besoj që dikush në këto zgjedhje do të votoj për programin. Ato zgjedhje për program nëse kanë qenë, kanë qenë vitin e kaluar. Është mirë të thuhet qysh qeveritë nuk e kanë parë tokë të pëlleshme arsimin për vota”, ka thënë Rrusta.

Kandidatja për deputete e PSD-së është shprehur se investimi në arsim nuk të jep votë aty për aty dhe çdo ndërhyrje merr kohë për të parë rezultatin, andaj edhe nuk është punuar në këtë drejtim.

“Ndërhyrjet në arsim marrin shumë kohë, për t’i parë frytet në arsim që të përkthehen në votë kërkohen vite e ndoshta edhe gjenerata. Arsimi nuk është parë më prioritet sepse nuk të jep votë aty për aty. Në këto zgjedhje votohet për vlera”, është shprehur Rrusta në KTV në debatin për arsim mes kandidatëve për deputetë.
 

Telaku për qeverisjen e VV-së: Janë larg prej premtimeve

43 min. më parë / 31 maj 2026 20:31
Naim Telaku

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Telaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, si parti në pushtet me mandat të plotë, ka dështuar të bëjë reformim në arsimin parafillorë e fillorë.

Sipas tij, rezultatet në testin PISA, tregojnë më së miri që kjo qeveri është larg nga premtimet që ka dhënë në fushën e arsimit.

Në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, Telaku është shprehur se premtimi i ndërtimit të shumë çerdheve dhe rezultati në terren, janë dëshmia më e mirë e mosrealizimit të premtimeve të tyre.

“Vetë ndërtimi i çerdheve tregon se kjo qeveri është larg nga premtimet që ka dhënë. Diçka tjetër është premtuar, diçka tjetër ka mundur të realizohet dhe krejt diçka tjetër është realizuar. Edhe nëse lidhemi me rezultatet e testit PISA dhe me të dhëna tjera shkencore, kjo qeveri ka dështuar të bëjë reformim edhe në arsimin parafillorë edhe në atë fillorë. Çka po na thonë neve rezultatet e PISA-s është që fëmijët tanë po mbajnë mend dhe kaq është njohuria e tyre. Pra nuk po arrijnë të jenë të shkathët në aplikim të njohurive që po i marrin në shkolla”, ka thënë Telaku.

Telaku ka deklaruar se as strategjia për arsim për vitet 2022-2026, nuk është zbatuar në asnjë pikë ndërsa ka akuzuar se premtimet vetëm përsëriten nga fushata në fushatë.
Sipas kandidatit për deputet nga PDK-ja, arsyeja e ikjes së të rinjve është edhe sepse qeveria e tanishme nuk ka arritur ta bëjë një bashkëdyzim të shkollimit, edukimit dhe tregut të punës.

“Deri më tani nuk është zbatuar asgjë nga strategjia për arsim e Kurtit për vitet 2022-2026. Shumica e premtimeve mbesin vetëm në letër, përsëriten nga fushata në fushatë mirëpo ndryshim në terren nuk ka arritur të bëjë kjo qeveri. Madje ka arritur ta degradojë edhe më tutje arsimin, në disa forma ka arritur ta politizojë arsimin. Neve na u janë dobësuar rezultatet në testin PISA. Gjatë kësaj qeverisje kemi ikje të madhe të të rinjve sepse nuk ka arritur ta bëjë një bashkëdyzim të shkollimit, edukimit dhe tregut të punës”, është shprehur Telaku në KTV, në debatin për arsim.

Bellanica: Arsimi në Qeverinë Kurti pikë e fundit e referencës

52 min. më parë / 31 maj 2026 20:21
Sejdi Bellanica

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Sejdi Bellanica, ka kritikuar qeverinë aktuale se arsimin e kanë lënë pa ndonjë hap të rëndësishëm që do të ndikonte drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë.

Në debatin “Zgjedhjet në Kohë” e ku u diskutua për arsimin, Bellanica është shprehur çerdhet e shumë premtuara nga partia në pushtet, nuk janë ndërtuar, andaj sipas tij kjo çështje duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë.

“Cilësia po mbetet gjithmonë sfida kryesore sa i përket arsimit në Kosovë. U përmend edhe çështja e edukimit të hershëm në çerdhet të cilat nuk janë të ndërtuara por vetëm të premtuara, kjo duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Kosova është duke shkruar drejt një zhvillimi ndryshe nga ajo që ka qenë më përpara pasi pjesa më e madhe e banorëve qofshin gra po meshkuj janë të punësuar, kanë nevojë që fëmijët të mos edukohen brenda shtëpisë por të kenë një institucion ku mund të edukohen”, ka thënë Bellanica.

Sipas Bellanicës, tekstet shkollore dhe rezultatet në PISA janë faktorë që tregojnë se sa prapa është vendi në arsim.

Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon reformim të tërësishëm të sistemit arsimor nga cikli parashkollor e deri në universitet.

“Si shtyllë e parë kemi thënë që shkolla duhet të jap aftësi dhe jo vetëm nota. Kjo mund të bëhet nga reformimi i tërësishëm; nga parashkollor deri në universitet, pastaj kurrikula duhet të zbatohet. Kurrikula i ka gjashtë kompetenca dhe nëse ne fokusiohemi në zbatimin e tyre atëherë ne i kemi bërë atë fëmijë të gatshëm për jetë. Asnjëherë nuk është bërë një vlerësim i zbatimit të këtyre njohurive që merren përmes zbatimit të kurrikulës”, ka thënë Bellancia.

Kandidati i AAK-së për deputet, ka thënë gjithashtu se mësimdhënësit nuk duhet të testohen. Sipas tij ata duhet të mbështeten.

“Në shtyllën tjetër e kemi mbështetjen e mësimdhënësit. Çfarë testi duhet t’i bëjmë mësimdhënësit siç ka përmendur qeveria e tanishme, test i njohurive që e kanë kryer një fakultet? Mesimdhënësit janë mjaftueshëm me njohuri në vendin ku janë dhe ushtrojnë lëndën. Tjetra është dualizmi, u përmendën shkollat profesionale të cilat mendojnë që po lihen anash e tregu i punës është fokusuar pikërisht këtu”, ka thënë Bellanica.