Të dielën, nga ora 7 e mëngjesit, hapen 2,550 vendvotime në gjithë Kosovën, për votuesit rezidentë. Fletëvotimet dhe materiali tjetër i ndjeshëm zgjedhor janë dërguar në secilën komunë mëngjesin e së shtunës. Bartja u bë nën masa të rrepta sigurie dhe policia do të jetë gjithë natën tek lokacionet në 38 komuna, ku është vendosur materiali zgjedhor.
Mbushur me materialin e ndjeshëm zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, të shtunën më mëngjes kamionët që u ngarkuan te Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, iu drejtuan lokacioneve që do të shërbejnë si qendra të numërimit në 38 komuna.
Destinacioni i parë qe salla e sporteve e shkollës fillore “Daut Bogujevci”, në Fushë-Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi se materiali është shpërndarë në gjithë Kosovën.
“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore, përfshirë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, siç janë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat”, tha Elezi.
Me vendim të KQZ-së, për zgjedhjet e së dielës janë shtypur 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime, prej të cilave 1 milion e 605 mijë janë të destinuara për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 fletëvotime rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta.
Fletëvotimet dhe materialet e tjera që janë vendosur në qendrat komunale të numërimit në secilën komunë, do të shpërndahen në secilën qendër votimi e vendvotim të dielën para orës 7 të mëngjesit, kur nis votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Janë 949 qendra të votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime në të gjithë Kosovën.
Elezi tha se materialet zgjedhore do të ruhen nga pjesëtarë të Policisë, deri kur të dielën të shpërndahen në Qendra të Votimit.
“Gjatë mëngjesit të ditës së diele do të shpërndahen për në qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 07:00, për të filluar procesin e votimit. Dorëzimi i materialeve nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Qendrat Komunale është bërë si zakonisht në përcjellje të Policisë së Kosovës dhe natyrisht se ruajtja e tyre do të bëhet nga zyrtarët policorë”, deklaroi ai.
Sipas KQZ-së, edhe në këto zgjedhje numri i fletëvotimeve të shtypura është më i ulët se numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote dhe kjo praktikë bazohet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e kaluara zgjedhore.
Një ditë më parë, në të 38 komunat janë shpërndarë materialet zgjedhore jo të ndjeshme, përfshirë kutitë dhe kabinat e votimit, si dhe materialet përcjellëse. Po ashtu, janë transportuar pajisjet e teknologjisë informative, duke përfshirë kamerat për vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisjet mbështetëse.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit kanë të drejtë vote 2.092.174 qytetarë. Ata do të mund të votojnë për njërën nga 21 subjektet politike në garë, të cilat kanë gjithsej 902 kandidatë për deputetë.