Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve kanë mbetur edhe 9 vendvotimet e fundit për tu rinumëruar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të premten se në ditën e parë të rinumërimit, të enjten, janë rinumëruar 176 nga 185 vendvotimet për të cilat KQZ ka vendosur që të rinumërohen. 

Pjesa e mbetur e vendvotimeve, 9 sosh, do të rinumërohen gjatë paradites së ditës së sotme, 19 qershor, dhe njëkohësisht do të përmbyllet procesi i rinumërimit sipas vendimit të KQZ-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas vendimit të KQZ-së, numri i vendvotimeve të rinumëruara, 185, përbën 7.41% të 2,498 vendvotimeve të rregullta, në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.

Numri i vendvotimeve, për të cilat KQZ vendosi që të rinumërohen, sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Poduejevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skëndera (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

Vendimi i KQZ-së mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Në këtë akt nënligjor është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ të vlerësojë situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë për rinumërim.

Kjo masë kontrolli është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi.

 

Përmbyllet rinumërimi, KQZ-ja pret afatet e ankesave para shpalljes së rezultateve përfundimtare

4 o. më parë / 19 qer 2026 13:58
kqz

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e rinumërimit të të gjitha 185 vendvotimeve për të cilat kishte marrë vendim për rinumërim, ndërsa tani është teknikisht e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi bëri të ditur se procesi i rinumërimit është përmbyllur sot në orën 12:00 dhe se të dhënat tashmë janë përditësuar në platformën e rezultateve të KQZ-së.

“Në vazhdim, ju njoftoj se në orën 12:00 është përmbyllur procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, 185 sosh, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen. Të dhënat nga ky proces i rinumërimit janë përditësuar në platformën e KQZ-së për rezultate”, tha Elezi.

Ai theksoi se me përfundimin e këtij procesi, KQZ-ja ka mbyllur administrimin e të gjitha aktiviteteve të numërimit, si në Qendrat Komunale të Numërimit ashtu edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Me përfundimin e rinumërimit, mund të konstatojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur administrimin e procesit që përfshin aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit, si dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm që, teknikisht, tani të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, sipas tij, para shpalljes së rezultateve përfundimtare duhet të përfundojnë afatet ligjore për paraqitjen e ankesave lidhur me procesin e numërimit dhe rinumërimit.

“Por, siç e kemi shpjeguar edhe më herët, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR, e cila ishte dita e mërkurë, 17 qershor, afat i cili përfundon sot, e premte. Gjithashtu, KQZ-ja do të presë nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e rinumërimit, i cili është zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pra proces i cili është përmbyllur sot, më 19 qershor, në orën 12:00”, deklaroi Elezi.

Elezi njoftoi se, sipas procedurave, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë në shqyrtim. Po ashtu, ai bëri të ditur se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të hartojë një raport të detajuar për procesin e rinumërimit dhe gjetjet në secilin vendvotim.