Bekë Berisha, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të së Prishtinës, e ka vendosur sigurinë në shkolla në qendër të programit të tij. Teksa ka treguar raste të ankesave të prindërve, ai është zotuar se mbrojtja e fëmijëve do të jetë prioriteti i tij nëse i besohet udhëheqja e kryeqytetit.
“Si kryetar, siguria e fëmijëve do të jetë prioriteti numër një. Do të angazhojmë policë në pension pranë shkollave, të pranishëm, por pa u bërë të dukshëm, dhe në kontakt të vazhdueshëm me mësuesit, prindërit dhe organet përkatëse. Fëmijët duhet të jenë të sigurt, mësuesit të respektuar dhe prindërit të qetë”, ka theksuar Berisha.
Në Pejë, kandidati i AAK-së për kryetar, Ali Berisha, ka vënë në pah dallimin mes programit të tij dhe atyre të kundërshtarëve politikë. Sipas tij, plani i tij është i detajuar për çdo fushë, ndërsa i të tjerëve, sipas tij, janë pa vizion.
“Ne i kemi ftu edhe të tjerët t’i krahasojmë planprogramet qeverisë, t’i matim, ta shikojmë cili është më real, cili është më i zbatushëm për qytetarët dhe cili është më në dobi të qytetarëve të Komunës së Pejës. Po jo, të tjerët nuk kanë programe”, ka thënë Berisha.
Në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi ka premtuar themelimin e barnatores për pensionistë.
“Ju jeni brezi jonë i artë edhe i fortë, pa juve nuk kish qenë e mundur me qenë Prizreni që është sot. Në kuadër të programit tonë është paraparë të themelohet barnatorja e pensionistëve të qytetit, e cila përveç barnave esenciale parashihet që edhe barnat tjera që u përshkruhen pensionistëve me u subvencionu 50 për qind nga buxheti i subvencionit të kryetarit të komunës. Me siguri një nga këshilltarët kryesorë në kabinet do të jetë edhe një i deleguar i juaj”, ka thënë Krasniqi.
Te pensionistët, të martën e ka përqendruar fushatën edhe kryetari aktual i Suharekës, që synon një mandat tjetër, Bali Muharremaj. Ai ka premtuar të hapë qendra të reja të qëndrimit ditor. Ai ka thënë se gjatë mandatit të parë është hapur qendra e parë ditore, ndërsa në mandatin e dytë janë funksionalizuar edhe të tjera.
Në Rahovec, kryetari i Komunës, Smajl Latifi, së bashku me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar takime me bujqit, duke theksuar se bujqësia do të jetë boshti i programit qeverisës.
“Komuna e Rahovecit, në vazhdimësi ka qenë përkrahësja më e madhe e bujkut rahovecas me mbështetje konkrete, siç janë: mekanizmi bujqësor, farërat e inputet e tjera, plehrat kimike, subvencionimi i qumështarëve, mbështetja konkrete për bletarët, blegtorët, konsulenca për aplikacione në grante, mbështetja me serra, e shumë angazhime të tjera të përbashkëta. Por, puna e mbështetja për bujqit nuk ndalet, por vetëm se do të rritet e do të bëhet edhe më konkrete për sektorët bujqësorë e bujqit tanë”, ka thënë Latifi.
Në Obiliq kandidati Ali Krasniqi ka bërë një varg kritikash ndaj udhëheqjes aktuale komunale, të cilën e ka cilësuar si të dështuar. Ai ka thënë se prioritet do t’i japë shëndetësisë.
E, ndërsa në Gjilan kandidati Nazim Gagica ka përmendur rolin vendimtar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zhvillim e punësim, duke premtuar përkrahje komunale për to.
