Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 18-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Agjenda e partive politike:
Partia Demokratike e Kosovës
Tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Lipjanit. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. (Vendi: Shkolla Fillore “Vëllezërit Frashëri”, Salla e sportit, Koha: 19:00)
Tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Prishtinës. (Vendi: Shkolla Fillore “Pavarësia”, Mati 1, Koha: 19:00)
Tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Drenasit. Vendi: Shkolla Fillore “Luigj Gurakuqi”, Koha: 20:30
Lidhja Demokratike e Kosovës
19:00, Prishtinë Dega IV (Vendi: Salla e Kuqe/Pallati i Rinisë)
Nisma Socialdemokrate
Partitë tjera deri më tash nuk kanë publikuar agjendat për aktivitetet zgjedhore të ditës së sotme.
Çeku: Intervenimi te Tregu i Gjelbër të fillojë menjëherë, ka përfunduar në gjendje të tmerrshme
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, paraditen e së martës ka vizituar Tregun e Gjelbër.
Çeku tha se në bashkëpunim me tregtarët duhet të vendoset mënyra e trajtimit dhe të intervenohet menjëherë.
“Tregu i Gjelbër i Prishtinës, edhe pse vetëm disa metra larg nga objekti i Komunës, ka përfunduar në gjendje tejet të tmerrshme. Kushtet elementare nuk janë as afër plotësimit, kurse mbijetesa e tregtarëve në atë ambient është akt rezistence. Pa humbur kohë, në bashkëpunim me tregtarët, duhet të vendoset mënyra e trajtimit të Tregut dhe intervenimi duhet të fillojë menjëherë”, shkroi në një postim në faqen e tij në Facebook.
Ismaili prezanton 10 vendimet e para për Prishtinën
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka prezantuar 10 vendimet e para që do t’i marrë nëse e fiton garën për kryetar të Prishtinës.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën Ismaili, ka thënë se në javën e parë do ta hapë sheshin “Xhorxh Bush”.
Ai ka thënë se do të pezullojë dhënien e lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë.
Një tjetër vendim që Ismaili e ka përmendur është edhe fillimi i procedurave për krijimin e Qendrës Digjitale të Menaxhimit të Trafikut.
Fillimi i procedurave për blerjen e 60 kamionëve të rinj për mbledhjen e mbeturinave, krijimi i taskforcës për ndriçimin e 1,000 rrugëve të Prishtinës, fillimi i procesit për ndërtimin e një strehimoreje të re për trajtimin e qenve endacakë, fillimi i procedurave për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla si dhe nënshkrimi i vendimit ekzekutiv për lirimin e trotuareve të bllokuara, janë gjashtë vendimet e tjera që ai ka thënë se do t’i marrë menjëherë.
Krijimi i taskforcës për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës është vendimi tjetër të cilin e ka përmendur Ismaili.
Ndërkohë që vendimi i fundit që Ismaili ka thënë se do ta marrë është nënshkrimi i vendimit ekzekutiv për dyfishimin e subvencioneve për fermerë dhe agrobiznese.
Ismaili ka thënë se kryeqyteti ndodhet para një momenti vendimtar, i cili sipas tij kërkon vendime të guximshme dhe të menjëhershme.
“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente, për kaos e bllokada që ia vështirësojnë jetën qytetarëve. Nuk ka kohë për konflikte e akuza të pafundme politike që e mbajnë peng nëpër gjykata. Nuk ka kohë për plane 10-vjeçare e projekte mega-futuristike. Prishtina ka nevojë për ndryshim, për guxim dhe për një kryetar që u del zot punëve dhe zotimeve që jep”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka theksuar se ndryshimi për një Prishtinë funksionale do të nisë menjëherë pas 13 tetorit, me vendime që sipas tij e prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. “Në fund të mandatit tim, qytetarët do të më matin me punë. Nëse nuk i realizoj 90% të zotimeve, nuk do të kërkoj më kurrë vota për një mandat të dytë”, ka deklaruar Ismaili.
Abdixhiku në Dragash: Ne qeverisim me duar të pastra, pa afera korruptive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku është shprehur i bindur që kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, do ta fitojë edhe një mandat në krye të kësaj komune.
Kjo sipas Abdixhikut, pasi Xheladini është një kryetar shembull.
“Me votën për të, ju nuk na dhatë vetëm fitoren. Ju na dhatë dhe mundësinë dhe nderin e madh për ta udhëhequr këtë komunë. Dhe sot, teksa shikojmë katër vite më pas, jam i bindur më shumë se kurrë se ne nuk e zhgënjyem këtë besim të marrë. Sepse çdo premtim që e bëmë, e kthyem në punë. Çdo projekt që e nisëm, e çuam përpara. Çdo fjalë që e dhamë, e mbajtëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, ku ka bashkëngjitur edhe disa fotografi një një tubim i mbajtur të hënën në Dragash.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë Xheladinin.
“Katër vite më pas, ne vijmë sot para jush me faqe të bardhë, me rezultate konkrete, me punë të prekshme që secili prej jush e sheh në përditshmërinë e vet. Vijmë dhe me thirrje për të vazhduar një rrugëtim impresiv; me duar të pastra, pa afera korruptive, e me projekte kapitale që kjo komunë nuk i ka parë asnjëherë më parë. Doktori edhe katër!”, ka shkruar Abdixhiku.
Berisha premton “linjë të aeroplanëve” në Prishtinë, si përgjigje për tramvajin e kundërkandidatëve
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë (AAK) e Kosovës për kryetar të Prishtinës është tallur me premtimet e kundërkandidatëve të tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Ai ka premtuar që do ta bëjë një “linjë të aeroplanëve” Bregu i Diellit Fushë-Kosovë.
“Mirëmbrëma, kapiteni juaj Bekë Berisha, fluturimi 174 po niset, Bregu i Diellit Fushë-Kosovë, po nisemi por kur mbërrijmë nuk e di”, thotë ai në një video të postuar në Facebook.
Sipas tij premtimet e kundërkandidateve të tij janë “hajgare”.
“Edhe ne dimë të bëjmë hajgare, por Prishtinës i duhet ujë, i duhen rrugë, e këto nuk fluturojnë, këto duhet t’i bëjmë bashkë”, thotë Berisha tutje në video.
Kandidati i LDK-së Përparim Rama dhe ai i LVV-së Hajrulla Çeku, kanë premtuar që do të bëjën linjë të tramvajit në kryeqytet.