Në prag të balotazhit të 9 nëntorit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën në nëntë komunat ku garon për kryetarë. Në Prishtinë, kandidati i kësaj partie dhe kryetari aktual, Përparim Rama, publikoi një video në Facebook nga lagjja “Dardania”, në të cilën tha se do të ndërtohen dy projekte nëntokësore. Lideri i partisë, Lumir Abdixhiku, tubimin kryesor e mbajti në Suharekë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me kandidatin për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, kanë nisur të hënën fushatën për balotazhin e 9 nëntorit me një takim me qytetarët në sheshin e qytetit. Në këtë tubim, Abdixhiku tha se në Suharekë tashmë është krijuar një shumicë që kërkon ndryshim dhe se ditët e fundit të fushatës do të jenë përcaktuese për rezultatin përfundimtar.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të LDK-së që të angazhohen maksimalisht për ta kthyer, siç tha ai, “Suharekën në folenë e vet biologjike”.
“Është e qartë që qytetarët e Suharekës kanë nevojë për ndryshim. Rrjedhimisht shumica e tyre e kanë votuar këtë ndryshim. Ju bie barra që këto 5-6 ditë të mbetura të angazhoni të gjithë – derë më derë, familje për familje, lagje për lagje, fshat e qytet në Suharekë – që ta ktheni këtë qytet në folenë e vet biologjike. Suhareka është e djathtë, Suhareka është me LDK-në”, ka deklaruar Abdixhiku.
E kandidati i kësaj partie për kryetar, Ardian Shala, që sfidon kryetarin aktual, Bali Muharremajn e AAK-së, tha se synimi i tij është të rikthejë qeverisjen e ndershme dhe të përqendruar te qytetari.
Në Prishtinë, kandidati i kësaj partie dhe kryetari aktual, Përparim Rama, publikoi një video në Facebook nga lagjja “Dardania”, në të cilën premtoi dy projekte nëntokësore që, sipas tij, do ta lehtësojnë qarkullimin në kryeqytet.
“Prej rrethit të flamurit deri te rrethi i tjetër atje te stacioni i autobusëve do të jetë nënkalim. Edhe parku i ri, parku i madh, edhe këto pjesë këtu që tash janë pjesë që do transformohen në parking nëntokësor”, ka thënë Rama.
E kolegu i tij nga partia, Besnik Osmani që kandidon për kryetar të Fushë Kosovës, premtoi investime në ndërtesat e banimit kolektiv.
“Banesat e Bresjes kanë nevojë për renovim dhe zotimi ynë është që këto banesa do të rinovohen në tërësi dhe do të jenë në shërbim të pronarëve të tyre”, ka deklaruar Osmani.
Xhafer Gashi që synon edhe një mandat si kryetar i Obiliqit, foli për projektin e ngrohtores së qytetit, ku një pjesë e punëve veçse kanë përfunduar.
“Për të arritur deri te ky projekt dhe projekte të tjera që jemi duke i zhvilluar, fillimisht falënderoj në 2017 GIZ-in gjerman për termat e referencës që më pastaj nga fillimi i implementimit të buxhetit nga Ligji për Obiliqin, ne filluam të mendojmë edhe më gjatë për projektin e ngrohjes qendrore duke e ditur që është një projekt i jashtëzakonshëm, shumë i domosdoshëm për qytetarët e Obiliqit”, ka premtuar kandidati i LDK-së, Xhafer Gashi.
Në Suharekë, Ardian Shala, u shpreh se votimi për të është zgjidhja e problemeve të qytetit.
“Më shumë se gjysma e qytetarëve kanë votuar për ndryshim, për një qeverisje që i shërben qytetarit dhe jo grupeve të privilegjuara. Ky është një mesazh i qartë, Suhareka është gati për një epokë të re. Ne jemi në anën e përgjegjësisë dhe të vlerave. Besojmë në punë të ndershme, në transparencë, në bashkëpunim dhe respekt për secilin qytetar”, ka theksuar Shala.
Në Prishtinë LDK-ja hyn në garë si partia e parë e dal nga raundi i parë i mbajtur më 12 tetor. Në Fushë Kosovë, Osmani doli i dyti e tash është në koalicion me të tretin, Rrahim Tërnavën e PDK-së. Në Obiliq, Gashi doli i pari.
Të tri këto komuna udhëhiqen nga LDK-ja dhe kandidatët e saj garojnë kundër atyre të Vetëvendosjes.
LDK është në balotazh edhe në Gjilan, Viti, Pejë, Junik e Dragash.
Rundi i dytë mbahet më 9 nëntor.