Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së parë të fushatës zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 9 nëntor. 18 komuna janë në balotazh.
Abdixhiku nga Suhareka: LDK-ja do ta kthejë qytetin në “folenë e vet biologjike”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidatin për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, kanë zhvilluar të hënën një bashkëbisedim me qytetarët në sheshin e këtij qyteti, në kuadër të fushatës zgjedhore për balotazhin që do të mbahet të dielën më 9 nëntor, raporton Ekonomia Online.
Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm, Abdixhiku tha se shumica e qytetarëve të Suharekës kanë vendosur për ndryshim dhe se këto ditë të fundit të fushatës do të jenë vendimtare për fitoren e LDK-së.
“Është e qartë që qytetarët e Suharekës kanë nevojë për ndryshim. Rrjedhimisht shumica e tyre e kanë votuar këtë ndryshim. Ju bie barra që këto 5-6 ditë të mbetura të angazhoni të gjithë – derë më derë, familje për familje, lagje për lagje, fshat e qytet në Suharekë – që ta ktheni këtë qytet në folenë e vet biologjike. Suhareka është e djathtë, Suhareka është me LDK-në. Ne si LDK jemi të bindur për fitoren e madhe që po vjen këtu, presim që të dielën të na ftoni për një festë të madhe”, tha Abdixhiku.
Ndërsa kandidati për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, u shpreh se qytetarët tashmë kanë vendosur për ndryshim dhe se më 9 nëntor ai do të bëhet realitet.
“Shumica e qytetarëve tashmë më veç janë përcaktuar në këto zgjedhje që i patëm më 12 tetor, 55% e qytetarëve ishin për ndryshim, ai ndryshim do të vijë më 9 nëntor. Sot e filluam fushatën ku e patëm edhe kryetarin e partisë, i cili ishte për një hapje të fushatës, për një mbështetje në këtë komunë. Sepse është një komunë që frymon krah LDK-së. Ne do t’i kthejmë punët e mira në Suharekë, punë me ndershmëri, punë ku qytetari do të jetë ai që do të jetë në qendër të qeverisjes së ardhshme. Do të punojmë për t’i dhënë projekte të mëdha në bujqësi, infrastrukturë, zhvillim, do të ketë punësim dhe të gjitha ato që qytetari veç e di, sepse në program i kemi bërë publike”, ka thënë Shala.
Totaj: Mbështetja e të rinjve garanci për rrugën e mirë që kemi ndjekur
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se të rinjtë janë shtylla e zhvillimit të qytetit. Ai ka thënë se mbështetja e të rinjve është "garanci për rrugën e mirë që është ndjekur".
“Të rinjtë janë shtylla e zhvillimit të qytetit tonë. Mbështetja e tyre është garancia për rrugën e mirë që kemi ndjekur dhe punët e mëdha që na presin në Prizren. Faleminderit për fjalët!” – ka shkruar Totaj në Facebook.
Totaj tha se gjatë 6 ditëve të fushatës për balotazhin do të ketë takime me qytetarët në lagjet e fshatrat e Prizrenit.
PDK-ja dhe LDK-ja të dielën kanë arritur marrëveshje koalicioni për balotazh.
Hyseni premton të ndërtojë strehimore të re për të mbijetuarat e dhunës në familje
Kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, që është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për edhe një mandat në krye të qytetit, ka thënë se qeverisja e tij do t’i ketë në fokus edhe në të ardhmen gratë dhe vajzat.
Hyseni në balotazhin e 9 nëntorit garon kundër Arbër Ismajlit të LDK-së.
Hyseni ka premtuar se për të mbijetuarat e dhunës në familje do të ndërtojë një strehimore të re dhe do të subvencionohen pagat për gratë që kanë nevojë për punësim. Po ashtu do të ofrojnë mundësi bursash studimore për studentet.
“Në të ardhmen, do të vazhdojmë të angazhohemi për barazi, dinjitet dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, tha Hyseni.
Rama takohet me gastronomët: Gjithmonë kemi synuar t’i ndihmojmë dhe t’ua lehtësojmë punën
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, njëherit kandidat i LDK-së për edhe një mandat, ka thënë se gastronomët dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit janë zemra e Prishtinës si ekonomi.
Rama ka thënë se pa ta Prishtina është më e varfër, si ekonikimisht ashtu edhe shpirtërisht.
“Gastronomët dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, janë zemra e Prishtinës si ekonomi dhe si energji. Puna e tyre është përjetimi i parë që e ndiejnë turistët, por edhe vetë prishtinalitë, që nisin ditën me kafe, takohen në drekë me kolegë e me festojnë me familje në këto vende që i japin jetë qytetit. Si kryeqytet, kemi synuar gjithmonë t’i ndihmojmë dhe t’ua lehtësojmë punën. Edhe këtë herë kemi dëgjuar me kujdes ankesat dhe sugjerimet e tyre. Sigurisht, ka ende shumë për të bërë dhe bashkë do t’i bëjmë më mirë. Një gjë është e sigurt: Prishtina pa ju është më e varfër, ekonomikisht dhe shpirtërisht. Ju jeni një segment i vlefshëm i shoqërisë sonë, që e respektoj dhe e vlerësoj thellësisht për kontributin që i jep qytetit çdo ditë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Rama në balotazhin e 9 nëntorit garon me kandidatin e Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku.
ek
Kurti: Shipoli e bën dallimin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Shipoli do ta bëjë dallimin dhe se Faton Peci do të zgjidhet kryetar i ri i Mitrovicës të dielën në balotazh.
Peci në balotazh do të përballet me Arian Tahirin e PDK-së.
Kurti e Peci të dielën, një ditë para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore për balotazhin e 9 nëntorit, mbajtën tubim në Shipol të Mitrovicës.
“Në Shipol fillon ndryshimi, Shipoli e bën dallimin. Nga aty ngrihet Mitrovica dhe nis kapitulli i mirëqenies dhe progresit, me Fatonin kryetar të Mitrovicës. Faleminderit për besimin dhe për mbështetjen!” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Peci doli i parë 15 mijë e 830 vota, 128 më tepër se Tahiri.
Gëzim Plakolli i LDK-së doli i treti me 1225 vota.
Të dielën PDK-ja e LDK-ja njoftuan se kanë arritur marrëveshje koalicioni për balotazhin në Mitrovicën e Jugut.