Zgjedhjet lokale

Abdixhiku premton t’ia kthejë dinjitetin Gjakovës me Shehun. Selmanaj mësim gjithëditor në Prizren

ldk

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka thënë të mërkurën se kandidati për kryetar të Gjakovës, Shefqet Shehu, do të sjellë një qeverisje që u jep prioritet qytetarëve dhe projekteve konkrete. Gjatë tubimit zgjedhor në Gjakovë, Abdixhiku e ka cilësuar qytetin simbol të qytetarisë shqiptare teksa ka shtuar se në këtë qytet ka nevojë për investime dhe për zhvillim në të gjitha fushat. Në Prizren, kandidati për kryetar, Driton Selmanaj, është zotuar që të gjitha shkollat e komunës t’i përfshijë në sistemin e mësimit gjithëditor, në një periudhë kohore prej katër vjetësh. Teksa në Suharekë, kandidati Ardian Shala e ka premtuar ndërtimin e një pishine olimpike, në Rahovec, kandidati për kryetar, Burim Krasniqi, është zotuar ta ndërtojë një treg rrushi

Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ua ka premtuar të mërkurën qytetarëve të Gjakovës rikthimin në rrjedhën e zhvillimit, dinjitetit dhe së ardhmes me ardhjen në krye të komunës të kandidatit të partisë së tij, Shefqet Shehu. 

Para mbështetësve të LDK-së në Gjakovë, ai ka theksuar se Shehu do të jetë një kryetar që do t’i dëgjojë zërin dhe nevojat e qytetarëve.

“Ju keni mundësinë ta ktheni Gjakovën në rrugën e zhvillimit, në rrugën e dinjitetit, në rrugën e së ardhmes. LDK-ja nuk është parti e fjalëve boshe. LDK-ja nuk është parti e propagandës. LDK-ja është parti e punës. Është parti e institucioneve. Është parti e shtetformimit. Me Shefqet Shehun në krye, Gjakova do ta ketë kryetarin që e meriton. Një kryetar që del mes qytetarëve, që i dëgjon ata, që punon për ta, që i bën ata pjesë të vendimmarrjes. Një kryetar që nuk e harron qytetin, por e ngre atë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Abdixhiku e ka vlerësuar Gjakovën si simbol të qytetarisë shqiptare dhe ka theksuar se qyteti ka nevojë për investime dhe projekte konkrete. E gjatë katër vjetëve të fundit, ai ka thënë se Gjakova ka parë vetëm premtime dhe slogane, porse jo edhe rezultate. 

“Këta katër vjet, qyteti juaj ka parë shumë premtime, por pak vepra. Ka parë shumë slogane, por pak rezultate. Ka parë shumë propagandë, por pak projekte. Ka parë një pushtet lokal që nuk e ka ngritur qytetin aty ku e meriton. Dhe më e rëndësishmja: ka parë një qeveri qendrore që e ka harruar Gjakovën. Një qeveri që nuk e ka sjellë zhvillimin, që nuk i ka sjellë investimet, që nuk e ka respektuar këtë qytet. Në Gjakovë, familjet janë lënë pas dore. Tregtarët e bizneset nuk kanë marrë mbështetje.

Të rinjtë janë lënë pa shanse, pa mundësi, pa perspektivë”, është shprehur ai.

E për kandidatin e partisë së tij, Abdixhiku ka theksuar se Gjakova gjatë katër vjetëve të ardhshëm do ta ketë një qeverisje që u jep përparësi qytetarëve dhe projekteve të prekshme.

“Një emër që mishëron ndershmërinë, përkushtimin dhe vizionin. Një emër që është rritur në këtë qytet, që i njeh hallet dhe nevojat e tij, që është pranë jush në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo rrugë. Ky është kandidati ynë, ky është lideri juaj, ky është Shefqet Shehu. Shefqet Shehu nuk është njeri i premtimeve të thata. Nuk është njeri i propagandës. Nuk është njeri i fjalëve të mëdha pa mbështetje”, ka theksuar ai.

E në Prizren, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Driton Selmanaj, ka shpalosur planin për transformim të arsimit, duke u zotuar që t’i përfshijë të gjitha shkollat në procesin e mësimit gjithëditor, brenda një periudhe kohore prej katër vjetësh. Ai është zotuar gjithashtu që në çdo shkollë të komunës të ofrohet edhe shërbimi logopedik. 

“Kemi provuar në Prishtinë, si LDK, dhe na ka dalë storie suksesi. Dhe ajo është që të fillojmë me mësimin gjithëditor. Është një sfidë bukur komplekse, por jemi të bindur që kemi për t’ia dalë dhe nuk kemi për t’ia dalë me dy-tri shkolla, por po planifikojmë që brenda 4 vjetësh në krejt Prizrenin të ketë mësim gjithëditor“, ka thënë kandidati Selmanaj.

Burim Krasniqi, i cili është kandidat i AAK-së për kryetar në Rahovec, e ka paralajmëruar ndërtimin në këtë komunë të një tregu të rrushit brenda dy vjetësh.

“Tregu i rrushit është harruar tash e disa vite. Premtime të pabëra kurrë. Tregu i rrushit ka për t’u bërë brenda 2 vjetëve të parë, sepse na duhet të jemi pikë referuese ku njerëzit nga e gjithë Kosova, por edhe jashtë saj, kanë për ta pasur në Rahovec tregun e rrushit dhe kanë për të pasur ku të blejnë rrush të Rahovecit, sepse me rrush të Rahovecit nuk ka”, ka thënë Krasniqi.

Në Suharekë, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Ardian Shala, e ka premtuar ndërtimin e një pishine, e cila do të shërbejë për sportistët dhe për nxënësit. Kjo pishinë, ai ka thënë se do të jetë e hapur për t’u përdorur për stërvitje, për përgatitje për gara të ndryshme sportive, por edhe për aktivitete mësimore.

Ndërkaq në Viti, kryetari aktual, Sokol Haliti, i cili e synon edhe një mandat, i ka numëruar investimet e realizuara nëpër fshatra, teksa ka bërë zotim për investime të tjera për zhvillim, progres dhe mirëqenie për secilin qytetar.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 12-të e fushatës