Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, Artan Abrashi, ka premtuar kushte më të mira për pensionistët në këtë komunë.
Ai ka thënë se pensionistët përfaqësojnë përvojën, sakrificat dhe punën e një jete të tërë për këtë vend.
“Nuk janë thjesht pjesë e së kaluarës sonë, por gurëthemeli i shoqërisë sonë. Bisedat e sotme më rikujtuan se si përkushtimi dhe sakrifica e tyre e kanë bërë të mundur çdo hap që ne bëjmë sot”, ka shkruar ai.
Abrashi ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet do të sigurohet që pensionistët të kenë kujdesin dhe mbështetjen e merituar nga komuna – qoftë për shëndetin, mirëqenien apo dinjitetin e tyre.
“Kujdesi ndaj tyre nuk është vetëm detyrim institucional, por mbi të gjitha detyrim moral ndaj brezit që na ka hapur rrugën”, ka thënë ai.
