Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, ka marrë përkrahjen e Zafir Berishës në garën e balotazhit në këtë qytet.
Në balotazhin e 9 nëntorit Abrashi do të jetë përballë kryetarit aktual, Shaqir Totajt të PDK-së.
Totaj ka zyrtarizuar më herët të dielën marrëveshjen me LDK-në.
Në raundin e parë më 12 tetor, Totaj kishte 41.45 për qind të votave, e Abrashi 30.39 për qind.
Driton Selmanaj i LDK-së doli i treti me 10.49 për qind e Zafir Berisha i katërti me 4.90 për qind.
“Bashkë, me ikonën Zafir Berisha me zemër e vullnet për Prizrenin që na bashkon!” – ka shkruar Abrashi në Facebook.
E Zafir Berisha ka dal me një videomesazh.
“E dimë që shumë prej jush janë befasuar nga vendimi ynë për ta mbështetur Artanin Abrashin në balotazh. Por, ky nuk është një vendim për parti, është një vendim për Prizrenin dhe kundër hajdutëve të rinj e të vjetër që Prizrenin me marrëveshje po e trajton si mall kusuritje në treg. Ne kemi pasur dallime politike, por sot qëllimi është më i madh se çdo dallim: ta çojmë përpara qytetin tonë. Bashkimi Demokratik i Prizrenit nuk po heq dorë nga parimet e veta, përkundrazi, po i vë ato në shërbim të qytetit. Ne besojmë se Prizreni meriton punë të ndershme, zhvillim të qëndrueshëm dhe qeverisje që i shërben njerëzve, jo grupeve të interesit PDK-LDK. E kam thënë që nga dita parë pas rundit të parë të 12 tetorit, në balotazh nuk do të vendosi për Albinin apo për Memli Krasniqin, sepse këta për mu janë njëjtë, unë në këtë rast kam vendosur; për Prizrenin pa hajdut! Prandaj, në këtë balotazh, ju ftojmë të votoni për ndryshim, për transparencë, për bashkim. Sepse kur qyteti vjen i pari, të gjithë fitojmë. Bashkimi Demokratik i Prizrenit për qytetin, jo për pushtetin”, ka thënë Berisha.
Më herët Abrashi mori përkrahjen edhe të Emilia Rexhepit. Po ashtu mori përkrahjen edhe të AAK-së.