Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, është shprehur i bindur se do të fitojë pa balotazh në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kuçi ka premtuar vazhdimësi të projekteve të nisura dhe një qeverisje të mbështetur në transparencë, zhvillim ekonomik dhe menaxhim efikas.
Në fokus të programit të tij janë përkrahja e bizneseve të vogla dhe të mesme, punësimi i të rinjve, zhvillimi i turizmit malor dhe urbanizimi i sheshit qendror – një projekt prej 5 milionë eurosh. Kuçi ka siguruar se Juniku do të vazhdojë të jetë shembull i suksesit dhe bashkëpunimit në nivel lokal dhe qendror.
Në një intervistë për KSP-në, Kuçi ka thënë se synon vazhdimësinë e projekteve të nisura në Junik, duke u mbështetur në një program me katër shtylla: ekonomi rurale, turizëm e trashëgimi kulturore, infrastrukturë dhe menaxhim të mirë.
“Është kërkesë e përgjithshme e qytetarëve natyrisht edhe e degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Junik, por kërkesë e kryetarit (Ramush) Haradinaj të jemi sërish kandidat për faktin se kemi mbetur në gjysmë të rrugës, dhe vizionit të një qeverie të kaluar plot energji vizion, angazhim, përkushtim, transparencë gjithmonë në interes të mirëqenies të përgjithshme të qytetarit dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm për komunën e Junikut. Programi ynë qeverisës mbështetet me potencialet, rrethanat dhe kushtet ekonomike dhe sociale, po ashtu edhe pasuritë natyrore, duke marr parasysh dhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të Junikut. Programi ynë qeverisës konsiston dhe mbështet në katër shtylla, të cilat janë një ekonomi rurale dhe agro-turizëm, turizëm dhe trashëgimi kulturore dhe historike, dhe mjedis, si dhe menaxhim dhe partneritet”, është shprehur Kuçi.
Ky kandidat ka theksuar si prioritet mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të reja përmes granteve dhe subvencioneve, me qëllim punësimin e të rinjve dhe ndaljen e migrimit.
Po ashtu, ai ka paralajmëruar urbanizimin e sheshit qendror të Junikut si projekt madhor prej 5 milionë eurosh, duke e quajtur model unik në Kosovë.
“Qeverisja jonë ka shumë projekte, por si prioritet ka 4 projekte - përkrahja përmes granteve dhe subvencionimin i bizneseve të vogla dhe të mesme duke përfshirë themelimin e bizneseve të reja. Gjithnjë edhe duke i përcjellë sepse shumë të rinj kanë migruar dhe është urgjente punësimi i të rinjve dhe mbështetja e tyre përmes këtij punësimi, dhe funksionimin e pavarur të këtyre bizneseve dhe natyrisht edhe fitimin e tyre. Tjetër gjë me rëndësi është përkundër faktit që ne jemi komunë e re dhe akoma dukemi si komunë rurale, ne po bëjmë përpjekje që sheshin qendror ta urbanizojmë përmes një arkitekture moderne dhe tradicionale, ku përmes këtij sheshi bizneset, të cilat qëndrojnë aty, por edhe ekonomitë familjare, por edhe qytetarët, do ta shijojnë... Projekti ka kosto rreth 5 milionë euro, por unë konsideroj se brenda 5 vjetësh do të jetë i përfunduar, sepse në këtë projekt kemi punuar në vitin 2000. Kemi bërë studimin e fizibilitetit dhe kemi master-planin. Tash jemi në fazën përfundimtare që konsideroj që në pjesën e dytë të vitit 2026 të fillojmë edhe me hapjen e konkursit - do të thotë realizimin e këtij projekti, prandaj edhe janë gjetur dhe investitorët, qoftë qeveria apo partneriteti, që jemi sigurt se do të jetë diçka unike në të gjitha komunat e Kosovës”, ka theksuar Kuçi.
Ai ka nënvizuar bashkëpunimin me të gjitha qeveritë qendrore dhe besimin se përvoja e tij do të sjellë edhe më shumë rezultate në të ardhmen.
“Unë kam pasur gjithmonë relacion të shkëlqyeshëm me të gjitha qeveritë, Qeverinë Thaçi 1, Qeverinë Thaçi 2, Qeverinë e Isa Mustafa, por edhe me Qeverinë Kurti, me Qeverinë Hoti. Përkundër se një vit i gjysmë ka qenë qeveria Haradinaj, por unë kam arritur që të jem një sinonim i bashkëpunimit në nivel vendi për të gjitha komunat e Kosovës. Për më tepër, kemi qenë komuna më e mirë e shpallur në Kosovë në vitin 2016-2017-2018. Eksperienca, bashkëpunimi dhe reflektimi si opozitar më bën të jemi shumë i sigurt që në nën menaxhimin e qeverisjes jonë sukseset nuk do të ndalen, përkundrazi do të jenë ende më dinamike”, ka thënë Kuçi.
Ai ka premtuar një qasje të integruar për ta shndërruar Junikun në model të turizmit në nivel vendi.
“Unë jam shumë i sigurt që pa balotazh do të jem fitues, të pakontestueshëm të këtyre zgjedhjeve për faktin e punës tonë që do të thotë të dëshmisë një punë e shumtë . Nuk kemi plan B, por do të jem fitues që në raundin e parë. Po ashtu, është një prej potencialeve, sepse komuna e Junikut mbi 75 për qind e territorit e saj e ka pjesë e cila është i takon pjesës malore dhe bjeshkore dhe fokusi është të zhvillojmë turizmin dimëror dhe veror. Ne kemi pasur dokument të studimit të fizibilitetit, por është ngadalësuar me marrjen e kompetencave nga Parku Nacional i Bjeshkëve të Nemuna. Ne kemi dokumentet strategjike që na mundësojnë dhe është në fokus të programit qeverisës zhvillimi i turizmit përmes formave të ndryshme qoftë ai turizmi rural, turizmi shoqëror, alpin, sportiv, dhe forma tjera përmes operatorëve. Kemi filluar përgatitjen e një këshilli që do të jetë komunë- parku nacional-qeveri, tur-operatorët, por edhe pjesët e partnerëve ndërkombëtarë në programet IPA2 dhe IPA 3. Konsideroj se do të jetë një prej risive të turizmit dhe shembujt e turizmit se si bëhet edhe turizmi rural, por edhe llojet e tjera të turizmit në nivel vendi”, ka deklaruar ai.
Agron Kuçi ka qenë kryetar i Junikut për disa mandate. Ai ka bashkëpunuar me të gjitha qeveritë qendrore dhe konsiderohet figurë me përvojë në administratë lokale. Në zgjedhjet e ardhshme, ai garon për t’u rikthyer në krye të komunës me mbështetjen e AAK-së. /KSP
