Zgjedhjet lokale

Berisha i AAK-së: Më 12 tetor keni dy zgjidhje: unë ose Besa Shahini e PSD-së

Bekë Berisha

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar fushatën zgjedhore në disa komuna të vendit, ku kandidatët e saj kanë dalë me zotime për projekte zhvillimore dhe me kritika për gjendjen aktuale. Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeqytetin, Bekë Berisha, ka kritikuar mënyrën si po zhvillohet debati zgjedhor në media. E në Pejë, Rahovec, Gjakovë, Viti e Istog, kandidatët e kësaj partie kanë shpalosur vizionet e tyre për infrastrukturën, arsimin, sportin dhe mirëqenien

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që synon ta marrë pushtetin në Prishtinë, të enjten nuk ka bërë fushatë veç për vete.

Bekë Berisha ka thënë se alternativë është edhe kundërkandidatja e tij nga Partia Socialdemokrate, ndërsa për të tjerët në garë ka theksuar se nuk e meritojnë fitoren.

“Në media dhe debate po punohet shumë për t’ju bindur se keni vetëm tre kandidatë të njëjtë. Në studio ka favorizime – disa marrin më shumë hapësirë e disa të tjerë heshtin. Por shikoni Prishtinën sot: shëndetësia, kultura, jeta e qytetit – asgjë nuk funksionon. Gjendja është zero. Zgjedhjet dhe fituesit nuk i vendosin studiot televizive – ato i vendosim ne. Vetëm së bashku mund t’i prishim matematikat e tyre. Më 12 tetor keni vetëm dy zgjedhje reale: ose unë, ose Besa Shahini”, ka thënë Berisha.

Fushatën më intensive të enjten AAK-ja e ka fokusuar në Dukagjin.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Ali Berisha, që synon kthimin në krye të përgjegjësive komunale, ka thënë se objektivi i tij kryesor është kthimi i qytetit në nivelin ku, sipas tij, ka qenë dikur, duke e cilësuar gjendjen aktuale si ‘emergjente’.

Berisha ka kujtuar kohët kur Peja ishte e para për buxhet, ndërsa sot, sipas tij, ka mbetur edhe pas komunave fqinje.

"Sot s’e kemi asnjë klub të futbollit me u krenu me to. Shumë sportistë tanë që i kemi pasur kulmorë ikin prej këtu. Ku me u ushtru s’ki, ku me lujtë s’ki, ku me ushtru e ku me lujtë? Asnjë ekip në rang të lartë, asnjë ekip në Superligë. Shumë vjet kemi qenë kampionë, ku i kemi sportet tjera? Në hendboll shumë vjet kampion të Kosovës, hendbollistët tanë nuk i kemi këtu mo, ikin”, ka thënë ai.

Ndërsa në Rahovec kryetari aktual dhe kandidati për një mandat tjetër, Smajl Latifi, ka premtuar investime në infrastrukturën arsimore dhe rekreative duke përmendur ndërtimin e një parku.

“Unë jam këtu për t’ju premtuar se edhe projekti i ndërtimit të parkut në viset e jashtme të shkollës ‘Skënder Kastrati’ në Malësi të Vogël do të ndodhë. Ky mjedis meriton hapësira të reja, pajisje moderne, tabela digjitale, teknologji bashkëkohore, internet dhe aparatura audiovizive që ndihmojnë në rritjen e cilësisë së mësimit në shkollat tona”, ka thënë Latifi.

Në Gjakovë, Ardian Gjini është fokusuar te punët e kryera gjatë tetë vjetëve në krye të komunës, sidomos në infrastrukturën rurale. Ai ka theksuar se janë shtruar qindra kilometra rrugë, duke nxjerrë shumë zona nga balta.

“Fshatrat i kemi pasë në lloç. Gati 600 kilometra rrugë nëpër fshatra janë shtruar vetëm në tetë vjetët e fundit. Nuk i kemi shtruar në male, por aty ku jetojnë bashkëqytetarët tanë. Po punojmë të kalojmë në raundin e parë, por vendimin e fundit e kanë qytetarët e Gjakovës”, është shprehur Gjini.

Në Viti kandidati Labinot Bislimi ka vendosur në qendër të programit të tij zhvillimin e Sllatinës së Poshtme, duke synuar që përroi i këtij fshati të shndërrohet në një aset të vlefshëm për banorët.

“Sllatina e Poshtme ka një aset të pashfrytëzuar: përroin e saj. Ky përrua do të rregullohet në të gjithë hapësirën ku është vendbanim, do të pastrohet dhe nuk do të lejohet të hidhen mbeturina apo të derdhen kanalizime. Do të bëhen diga të vogla, duke i dhënë zonës pastërti, gjelbërim dhe një bukuri tjetër. Ky projekt do të jetë element kyç për jetën dhe mirëqenien e banorëve”, ka thënë Bislimi.

Në Istog, Ukë Blakaj ka theksuar furnizimin me energji elektrike si prioritetin e tij kryesor, duke paralajmëruar zgjidhje për problemet që, sipas tij, ua rrezikojnë jetën banorëve në fshatra.

“Fshatrat e Istogut përballen me reduktime të mëdha të rrymës elektrike, sidomos kur merr mot i lig, për shkak se kabllot dhe trafot janë stërvjetruar dhe nuk mirëmbahen. Kjo ua rrezikon direkt jetën banorëve dhe ne do ta trajtojmë me urgjencë këtë problem”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 20-të e fushatës