Zgjedhjet lokale

Berisha kritikon pushtetin lokal në Pejë, Latifi nivelin qendror

Ali Berisha

Kandidatët e AAK-së në Pejë, Rahovec, Artanë, Prizren, Istog, Gjilan dhe Prishtinë kanë premtuar investime në infrastrukturë, arsim, sport dhe bujqësi. Disa nga ta kanë kritikuar pushtetet aktuale të komunave ku ata garojnë, ndërsa s’kanë munguar edhe kritikat ndaj nivelit qendror për mbështetje të pamjaftueshme buxhetore

Me kritika ndaj kryetarit aktual dhe menaxhimit të Komunës e ka vazhduar fushatën Ali Berisha, kandidat për kryetar të Komunës së Pejës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas Berishës, gjendja e qytetit është e degraduar dhe se nuk ka projekte zhvillimore të realizuara që nga koha kur ai nuk është kryetar i kësaj komune.

Berisha në një takim me qytetaret e Baranit ka premtuar se rikthimi i tij në pushtet do të sjellë përparim dhe investime të reja për qytetin dhe lagjet e tij.

“Komuna e Pejës ka degraduar totalisht të gjitha sferat e zhvillimit të saj. Komuna e Pejës nuk është duke u zhvilluar, por duke shkuar mbrapa. Ajo nuk ka asnjë projekt zhvillimor që është realizuar në këtë periudhë, edhe pse harxhohen miliona euro. Komuna e Pejës nuk po qeveriset, por po keqmenaxhohet. Për këtë arsye, duke parë të gjitha këto çështje, kemi provuar bashkë me ju të kthehemi në proces dhe të kryejmë punët që kanë mbetur pa u kry. Ju e dini mirë që gjashtë vjet e kemi pasur pushtetin dhe në atë periudhë nuk ka pasur rrugë të pakalueshme, pjesa më e madhe e qytetit nuk ka qenë pa ujë, nuk ka pasur mungesa si sot. Për gjashtë vjet është punuar shumë”, ka thënë Berisha.

Smajl Latifi, kryetar aktual i Rahovecit dhe kandidat për një mandat të ri, e ka fokusuar fushatën e tij te rezultatet që thotë se janë arritur nën drejtimin e tij. Latifi ka adresuar edhe kritika ndaj nivelit qendror, duke e akuzuar për mbështetje të pamjaftueshme buxhetore.

“Raportet flasin se Komuna e Rahovecit qëndron mirë me kanalizimin e ujërave të zeza dhe me sistemin e ujësjellësit. Natyrisht ka edhe disa probleme më të vështira, por ne kemi gatishmëri t’i marrim përsipër dhe t’i zgjidhim hap pas hapi. Vreshtarët e dinë për rrugët fushore dhe investimet që janë bërë. Perimtarët e dinë për 2.164 fermerë që janë përfitues të mekanizmit bujqësor nga Komuna e Rahovecit. Po ashtu, bujqësia e di që 10 milionë e 310 mijë euro janë investuar në bujqësi gjatë këtyre viteve”, ka thënë Latifi.

AAK-ja ka vazhduar fushatën të enjten edhe në Artanë. Kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka lavdëruar kandidatin Ajet Avdyli për përvojën dhe lidhjen e ngushtë me qytetarët.

“Artana meriton dritë, meriton zhvillim, mirëqenie dhe mundësi për të rinjtë që e duan vendlindjen dhe duan ta shohin të zhvilluar. Kandidati ynë për kryetar, Ajet Avdyli, me përvojën e tij në arsim dhe financa dhe me lidhjen e fortë me banorët, është njeriu i duhur për të sjellë një qeverisje transparente dhe me vizion për zhvillim”, ka thënë Haradinaj.

Kandidati i AAK-së për Prizren, Besnik Krasniqi, ka vazhduar fushatën e tij duke i vendosur në qendër të premtimeve arsimin dhe përkujdesjen për fëmijët.

“Në mandatin tim premtoj që edhe tri shkolla të mëdha në qytet të fillojnë pilot-projektin e mësimit tërëditor. Sa u përket çerdheve, në lagjen Ortakoll dhe në lagjen Korillë, dy objekte të komunës të lëna pas dore - QMF në Korillë dhe një objekt në Ortakoll, të pashfrytëzueshme - brenda 6 muajve do t’i shndërrojmë në çerdhe publike, duke vazhduar të ndërtojmë edhe të tjera”, tha Krasniqi

Në Istog, kandidati Ukë Blakaj ka premtuar ta vërë në punë përvojën e fituar brenda dhe jashtë vendit për t’i realizuar me sukses projektet e planifikuara.

“Ne këtë rrugëtim nuk e kemi marrë për ta thyer askënd, por për t’i rregulluar punët tona në qytetin tonë. Besoj shumë që me përvojën që kam, si këtu në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit, do të realizojmë projektet dhe pikat që kemi në planprogramin tonë brenda mandatit”, ka theksuar Blakaj.

Nazim Gagica, kandidat për kryetar komune në Gjilan, premtoi të rrisë transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Ai ka premtuar krijimin e një platforme digjitale, që do t’u japë qytetarëve mundësi të ndjekin shpenzimet dhe të propozojnë projekte.

E në Prishtinë, kandidati Bekë Berisha ka fokusuar fushatën te sporti, sidomos te klubet e volejbollit dhe sportet e tjera. Ai premtoi që do të zgjidhë problemet e trashëguara të infrastrukturës sportive dhe do të rrisë financimin dhe mbështetjen për të gjitha sportet.

“Zyra, hapësirat, ajo pjesa që ka qenë e djegur tash e 25 vjet, me të cilën askush nuk është marrë, do të zgjidhet. Do të ketë dhjetëfishim të financave, rekuizita sportive dhe të gjitha për sportin, 100 për qind për shtetin”, ka premtuar Berisha.

Në Suharekë, kryetari aktual i Komunës, Bali Muharremaj, ka vizituar ish-tregun në Suharekë për të promovuar produktet bujqësore dhe ka premtuar hapjen e një shërbimi geriatrik, ku të moshuarit që jetojnë vetëm do të kenë përkujdesje nga ekipe qe do të kujdesen për shëndetin e të moshuarve, për pastrimin dhe shërbimet e tjera.

Lexo përditësimet tjera
Vota - zgjedhjet 2025

Dita e shtatë e fushatës