Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së shtatë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Ismaili premton parkingje nëntokësore, Tërnava sheshin më të madh në Kosovë

1 muaj më parë / 19 sht 2025 22:12 Nga: Rrezon Gashi
Ismajli premton parkingje nëntokësore, Tërnava sheshin më të madh në Kosovë

Në përmbyllje të javës së parë të fushatës elektorale, kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar investime në lagjen “Bregu i Diellit” në kryeqytet, që përfshijnë lidhjen e disa pjesëve të kësaj lagjeje me ngrohtoren e qytetit, parkingje nëntokësore e investime në infrastrukturë sportive e rekreacion. Ismaili të premten mbajti edhe takim me qytetarë, ku prezantoi planin për lagjen.

“Këto janë zotimet e mia për ‘Bregun e Diellit’: Rregullimi i ngrohjes së qytetit te ‘Banesat e Bardha’; Renovimi i të gjitha ndërtesave me fasada të reja, izolim dhe panele solare; Rregullimi i të gjitha platove; revitalizimi i qendrës tregtare; Parkingje nëntokësore për ‘Bregun e Diellit’, që lirojnë hapësirat publike para ndërtesave; Qendër Multifunksionale me palestër sportive vertikale për banorët  e lagjes”, ka thënë ai.

Kryetari aktual i Ferizajt, Agim Aliu, që kandidon për mandatin e tretë me radhë ka njoftuar për nisjen e punimeve për rregullimin e një parku në pjesën jugore të qytetit.

“Nisën punimet për rregullimin e parkut në Varosh, hapësirë kjo prej mbi 1 hektar që do të shndërrohet plotësisht, me qindra drunj dekorativë, trotuare e shtigje ecjeje, hapësira rekreative për banorët e këtij fshati dhe zonave përreth - projekt ky i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit”, ka thënë Aliu.

E park më të madh se të Ferizajt ka premtuar Bekim Azizi, që është kandidati i PDK-së për kryetar të Vitisë.

“Parku dyhektarësh i qytetit, që do të ndërtohet në afërsi të shkollës ‘Dëshmorët e Vitisë’, do të jetë një nga projektet tona madhore, i cili do t’u ofrojë qytetarëve një hapësirë moderne rekreative. Brenda këtij parku do të përfshihen: hapësira të gjelbra, zona për rekreacion, kënd lojërash, fusha sportive dhe ambiente relaksuese”, ka deklaruar Azizi.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, njëherësh nënkryetar komune, premtoi renovim të plotë të tregut të qytetit.

“Ky është projekti im për modernizimin e tregut, i cili do të krijojë mundësi për rritjen e ekonomisë lokale. Krijimi i markës “Made in Mitrovica” do t’i mundësojë çdo biznesi të rritet dhe të arrijë potencialin maksimal. Bizneset, bujqit dhe blegtorët e Mitrovicës kanë shumë për të ofruar dhe “Made in Mitrovica” do të bëhet simbol krenarie për të gjithë ne”, ka theksuar ai.

Ndërkaq Shaqir Totaj, që synon mandatin e dytë në krye të Prizrenit, njoftoi se të premten ka ndarë mjete bujqësore për 155 fermerë.

“Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ndau sot mjete bujqësore për 155 fermerë, nga gjithsej 333 fermerë përfitues në kuadër të projektit ‘Furnizimi me mekanizëm bujqësor - me bashkëfinancim’. Fermerët përfituan motokultivatorë, pjatore me disqe, trina, mbjellëse misri dhe gruri, pllugje dhe atomizerë. Ky investim synon modernizimin e mekanizimit bujqësor, rritjen e cilësisë së punës në tokë dhe zvogëlimin e shpenzimeve. Komuna e Prizrenit, një prej prioriteteve kryesore ka mbështetjen e vazhdueshme të fermerëve”, ka njoftuar Totaj.

Ndërtimin e sheshit më të madh në Kosovë e ka premtuar Rrahim Tërnava, që kandidon për kryetar të Fushë-Kosovës nën siglën e PDK-së.

“Do ta ndërtojmë sheshin më të madh në Kosovë, 1.35 kilometra. Ai shesh do ta bashkojë qytetin, ai shesh do të jetë në shfrytëzim të çdo të riu, të çdo nëne, të çdo gruaje, të çdo plaku ku mund të ecim dhe të pushojmë”, ka thënë Tërnava gjatë një tubimi elektoral.

Në perëndim të Kosovës, Ali Nimanaj, që kandidon për kryetar të Istogut premtoi investime të shumta në sport.

“300 mijë euro në vit subvencionim trajnerëve të të gjitha klubeve sportive të mrekullueshme në Komunën tonë. Infrastrukturë sportive, ku përfshihen ndërtimi dhe renovimi i sallave, terreneve dhe fushave rekreative. Subvencione, pajisje, transport për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare për klubet sportive. Zhvillim të sportit, organizim i kampionateve komunale dhe mbështetje për talente”, ka premtuar ai.

Në Prishtinë, PDK-ja nuk ka udhëhequr asnjëherë. Ismaili në zgjedhjet lokale të 2021-tës doli i treti, por partia shënoi rezultatin më të mirë zgjedhor ndonjëherë. Aliu, kryetar i Ferizajt u bë në vitin 2017, pasi komuna ishte udhëhequr nga LDK për katër vjet. Ai ishte kryetar edhe një gjysmëmandati në vitet 2012-2013. Në Mitrovicë e Prizren, më 2021, PDK-ja u rikthye në pushtet. Të dy komunat ia mori LVV-së. E në Istog, ashtu si në Prishtinë, PDK-ja s’i ka fituar zgjedhjet lokale asnjëherë.

LVV premton qendër të kujdesit ditor për pensionistët në Mitrovicë e investime në Parkun e Pishave në Malishevë

1 muaj më parë / 19 sht 2025 22:11 Nga: Marigona Brahimi
LVV premton qendër të kujdesit ditor për pensionistët në Mitrovicë e investime në Parkun e Pishave në Malishevë

Kandidati për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka prezantuar pakon e dytë nga programi i tij qeverisës. Nga kjo pako, që është titulluar “Peja e Mirëqenies”, Kelmendi ka dhënë një varg zotimesh që synon t’i realizojë gjatë mandatit 4-vjeçar në mirëqenie sociale, arsim, biznes e bujqësi. Kelmendi ka premtuar hapjen e 5 çerdheve të reja, çmimet e të cilave është shprehur se do të jenë të bazuara në të ardhurat e familjes, ndërkaq ato familje që nuk arrijnë t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe publike, do të subvencionohen për dërgimin e fëmijëve në çerdhe private. Është zotuar për shpërndarje të 250 eurove për çdo fëmijë të lindur në Pejë. Pjesë e programit është edhe ndarja e 500 bursave në vit nga 1 mijë euro për studentët dhe 1 mijë bursa sportive për nxënësit. Në planin e tij katërvjeçar është edhe themelimi i Ndërmarrjes Publike Kuzhina Qendrore, që do të përgatisë ushqim për t’i furnizuar shkollat dhe çerdhet publike, ndërkaq do të ofrojë shërbime me pagesë edhe për biznese e institucione private dhe publike. Synim gjatë mandatit është edhe subvencionimi i ilaçeve për pensionistët dhe mbulimi i shpenzimeve të funeralit për qytetarët e Pejës.

“Komuna do të marrë përgjegjësinë për mbulimin e shpenzimeve të funeralit për çdo qytetar. Kjo masë e mirëqenies sociale do të përfshinte kostot për varrimet, arkivolet, transportin”, shkruhet në pakon e dytë të programit të Kelmendit.

Gjithashtu ka premtuar 100 mijë euro grante në vit për vajzat që hapin biznese dhe subvencionim për bujqit dhe blegtorët prej 5 deri në 10 euro për kokë gjedhe.

Kandidati për Malishevën, Valon Hoti, është zotuar për transformimin e Parkut të Pishave në Llozicë të kësaj komune. Hoti ka thënë se ky park do të vihet në dispozicion të kopshteve e shkollave të Malishevës dhe do të krijohen kushte për aktivitete brenda tij. Është zotuar se do të ndërtojë shtigje të ecjes, shtigje të çiklizmit, pushimore etj.

“Këtë park do ta kthej në një qendër të gjallë - me shtigje të rregulluara për ecje, vrap dhe çiklizëm, me ndriçim modern, me ulëse druri dhe burime uji të pijshëm. Do të ndërtojmë një amfiteatër të hapur për shkollat dhe nxënësit, si dhe fusha sportive të përshtatshme për të gjithë”, ka thënë Hoti.

Në Shtime, kryetari aktual Qemajl Aliu, që synon edhe një mandat në krye të Komunës, është shprehur se tregtarët e qytetit së shpejti do ta kenë tregun e ri si vend dinjitoz për t’i shitur produktet vendore. Sipas tij, tregu do të bëhet realitet shumë shpejt.

Në Mitrovicë, pretendenti për kryetar, Faton Peci, ka thënë se gjatë mandatit të tij do ta adresojë çështjen e mbetjeve industriale.

“Do të realizojmë trajtimin e mbetjeve industriale dhe kimike, ndarjen në burim, riciklim e depozitim, unazën e gjelbër me drunj dekontaminues rreth deponive të mbeturinave, pastrimin e lumenjve bashkë me fushata ekologjike”, ka thënë Peci.

Ai gjithashtu është zotuar për krijimin e një qendre të kujdesit ditor për pensionistët.

Në Ferizaj, kandidati Enver Haliti ka thënë se prioritet në programin e tij qeverisës do të jetë zgjidhja e problemeve me mungesën e shërbimeve publike, hapësirave të gjelbra dhe trotuaret e zëna nga veturat.

Zgjidhje për të njëjtat probleme ka premtuar edhe kandidati për Gjakovën, Ardian Gola.

“Një tjetër shqetësim i madh i tyre janë projektet e nisura e të lëna përgjysmë nga qeverisja komunale e Gjinit, që kurrë nuk janë përfunduar. Me udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, projektet do të realizohen me përkushtim dhe transparencë - sepse do të bëhen për qytetarët, jo për fotografi”, ka thënë Gola.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti të premten ka qëndruar në Dragash për t’i dhënë mbështetje kandidatit e kësaj partie për kryetar të Dragashit.

“Bashkë për Sharrin, me Filiz Mustafën në krye, si kryetar të ardhshëm, për një kapitull të ri të kësaj komune, që ka një potencial të madh për turizëm, blegtori dhe zhvillim ekonomik lokal, por që i duhet sa më shpejt një qeverisje e mirë, e drejtë dhe aktive”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar për vizitat tek bizneset artizanale të grave e fermerë dhe takimet me të rinj e të reja që jetojnë në Sharr.

LDK-ja synon t’i fitojë katër komuna të Dukagjinit

1 muaj më parë / 19 sht 2025 22:11 Nga: Ardona Popova
LDK

Në ditën e shtatë të fushatës së Lidhjes Demokratike, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili synon edhe një mandat, ka prezantuar fushën sportive të futbollit për vajza në Bardhosh. Ai theksoi se për herë të parë në Kosovë vajzat do ta kenë fushën e tyre, duke e cilësuar këtë si hap drejt barazisë dhe mundësive të reja.

“Kënaqësi e jashtëzakonshme me pa entuziazmin e vajzave në momentin e pranimit të terrenit të futbollit në Bardhosh. KFV Prishtina, që nga dita e parë, i ka hapur dyert për vajzat e kryeqytetit nga 5-vjeçaret e deri te senioret pa asnjë pagesë dhe Ne, si kryeqyteti, vazhdojmë t’i përkrahim. Kjo fushë është më shumë se sport: është barazi, është mundësi dhe është premtim për një gjeneratë vajzash që rriten të gatshme të arrijnë majat”, ka shkruar Rama.

Kryetari aktual i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar disa nga projektet e përfunduara gjatë mandatit të parë dhe ka theksuar se një ndër më të rëndësishmit është rruga Junik-Restavicë.

“Me krenari po ndaj me ju një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme që kemi realizuar gjatë këtij mandati: Rrugën Junik -Rastavicë, e cila është ndërtuar me investim të madh mbi 2 milionë euro, me standarde evropiane. Ky projekt i madh përfshin gjithashtu infrastrukturën moderne nëntokësore, trotuare të sigurta, sinjalizimin horizontal dhe vertikal, muret mbrojtëse  dhe ndriçimin smart”, ka deklaruar Shehu, që pretendon edhe në mandat në këtë komunë.

Fushata e tij është mbështetur të premten edhe nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Katër vjet më parë, Juniku i dha LDK-së besimin, i dha LDK-së mandatin, i dha LDK-së nderin ta udhëheqë. Në krye të këtij misioni fisnik qëndronte kryetari Ruzhdi Shehu. Dhe ai nuk zhgënjeu. Sot jemi sërish faqebardhë me thirrje që t’i japim vazhdim këtij besimi, që të vazhdojmë punën e nisur, që të mbështesim Ruzhdiun edhe për katër vjet të tjer në mision transformues që ka për komunën e tij të jetës”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka qenë i pranishëm edhe në aktivitetin parazgjedhor të LDK-së në Deçan. Abdixhiku ka shprehur besimin se si në Pejë, Istog e Junik, mbështetja do të jetë e madhe edhe për kandidatin Jeton Mushkolaj.

“I ka ardhur koha që Deçani t’i bashkohet vargut të Dukagjinit me LDK-në. Kandidati ynë, Jeton Mushkolaj, së bashku me ekipin e tij, janë gati ta kthejnë besim qytetar në punë konkrete: zhvillim për qytetin, mbështetje për çdo lagje, dhe respekt për secilin qytetar. Deçani meriton më shumë se kaq. Meriton një qeverisje të përgjegjshme, një udhëheqje të afërt me njerëzit, një udhëheqje që krijon të ardhme për rininë e familjet e kësaj ane. Dhe këtë udhëheqje do ta ketë vetëm me LDK-në”, ka deklaruar Abdixhiku.

E, kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Driton Selmanaj, është zotuar se ruajtja e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të qytetit do të jetë prioritet, duke premtuar lirimin e objekteve fetare nga taksat komunale.

“Të gjitha objektet që përfaqësojnë aspektin religjioz të Prizrenit: xhamitë, kishat, teqetë dhe çdo objekt tjetër do të lirohen nga të gjitha obligimet ose nga të gjitha taksat që i kanë ndaj Komunës së Prizrenit. Po ashtu, ne do të subvencionojmë, ose do t’i heqim pagesat për të gjithë energjinë elektrike që e konsumojnë dhe që e shpenzojnë këto objekte të rëndësisë së veçantë për Prizrenin”, është shprehur Selmanaj.

E, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, që po ashtu synon mandatin e radhës, ka prezantuar impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, për të cilin tha se tashmë është projekt i realizuar.

Berisha kritikon pushtetin lokal në Pejë, Latifi nivelin qendror

1 muaj më parë / 19 sht 2025 22:09 Nga: Arianita Hoti
Ali Berisha

Me kritika ndaj kryetarit aktual dhe menaxhimit të Komunës e ka vazhduar fushatën Ali Berisha, kandidat për kryetar të Komunës së Pejës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas Berishës, gjendja e qytetit është e degraduar dhe se nuk ka projekte zhvillimore të realizuara që nga koha kur ai nuk është kryetar i kësaj komune.

Berisha në një takim me qytetaret e Baranit ka premtuar se rikthimi i tij në pushtet do të sjellë përparim dhe investime të reja për qytetin dhe lagjet e tij.

“Komuna e Pejës ka degraduar totalisht të gjitha sferat e zhvillimit të saj. Komuna e Pejës nuk është duke u zhvilluar, por duke shkuar mbrapa. Ajo nuk ka asnjë projekt zhvillimor që është realizuar në këtë periudhë, edhe pse harxhohen miliona euro. Komuna e Pejës nuk po qeveriset, por po keqmenaxhohet. Për këtë arsye, duke parë të gjitha këto çështje, kemi provuar bashkë me ju të kthehemi në proces dhe të kryejmë punët që kanë mbetur pa u kry. Ju e dini mirë që gjashtë vjet e kemi pasur pushtetin dhe në atë periudhë nuk ka pasur rrugë të pakalueshme, pjesa më e madhe e qytetit nuk ka qenë pa ujë, nuk ka pasur mungesa si sot. Për gjashtë vjet është punuar shumë”, ka thënë Berisha.

Smajl Latifi, kryetar aktual i Rahovecit dhe kandidat për një mandat të ri, e ka fokusuar fushatën e tij te rezultatet që thotë se janë arritur nën drejtimin e tij. Latifi ka adresuar edhe kritika ndaj nivelit qendror, duke e akuzuar për mbështetje të pamjaftueshme buxhetore.

“Raportet flasin se Komuna e Rahovecit qëndron mirë me kanalizimin e ujërave të zeza dhe me sistemin e ujësjellësit. Natyrisht ka edhe disa probleme më të vështira, por ne kemi gatishmëri t’i marrim përsipër dhe t’i zgjidhim hap pas hapi. Vreshtarët e dinë për rrugët fushore dhe investimet që janë bërë. Perimtarët e dinë për 2.164 fermerë që janë përfitues të mekanizmit bujqësor nga Komuna e Rahovecit. Po ashtu, bujqësia e di që 10 milionë e 310 mijë euro janë investuar në bujqësi gjatë këtyre viteve”, ka thënë Latifi.

AAK-ja ka vazhduar fushatën të enjten edhe në Artanë. Kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka lavdëruar kandidatin Ajet Avdyli për përvojën dhe lidhjen e ngushtë me qytetarët.

“Artana meriton dritë, meriton zhvillim, mirëqenie dhe mundësi për të rinjtë që e duan vendlindjen dhe duan ta shohin të zhvilluar. Kandidati ynë për kryetar, Ajet Avdyli, me përvojën e tij në arsim dhe financa dhe me lidhjen e fortë me banorët, është njeriu i duhur për të sjellë një qeverisje transparente dhe me vizion për zhvillim”, ka thënë Haradinaj.

Kandidati i AAK-së për Prizren, Besnik Krasniqi, ka vazhduar fushatën e tij duke i vendosur në qendër të premtimeve arsimin dhe përkujdesjen për fëmijët.

“Në mandatin tim premtoj që edhe tri shkolla të mëdha në qytet të fillojnë pilot-projektin e mësimit tërëditor. Sa u përket çerdheve, në lagjen Ortakoll dhe në lagjen Korillë, dy objekte të komunës të lëna pas dore - QMF në Korillë dhe një objekt në Ortakoll, të pashfrytëzueshme - brenda 6 muajve do t’i shndërrojmë në çerdhe publike, duke vazhduar të ndërtojmë edhe të tjera”, tha Krasniqi

Në Istog, kandidati Ukë Blakaj ka premtuar ta vërë në punë përvojën e fituar brenda dhe jashtë vendit për t’i realizuar me sukses projektet e planifikuara.

“Ne këtë rrugëtim nuk e kemi marrë për ta thyer askënd, por për t’i rregulluar punët tona në qytetin tonë. Besoj shumë që me përvojën që kam, si këtu në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit, do të realizojmë projektet dhe pikat që kemi në planprogramin tonë brenda mandatit”, ka theksuar Blakaj.

Nazim Gagica, kandidat për kryetar komune në Gjilan, premtoi të rrisë transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Ai ka premtuar krijimin e një platforme digjitale, që do t’u japë qytetarëve mundësi të ndjekin shpenzimet dhe të propozojnë projekte.

E në Prishtinë, kandidati Bekë Berisha ka fokusuar fushatën te sporti, sidomos te klubet e volejbollit dhe sportet e tjera. Ai premtoi që do të zgjidhë problemet e trashëguara të infrastrukturës sportive dhe do të rrisë financimin dhe mbështetjen për të gjitha sportet.

“Zyra, hapësirat, ajo pjesa që ka qenë e djegur tash e 25 vjet, me të cilën askush nuk është marrë, do të zgjidhet. Do të ketë dhjetëfishim të financave, rekuizita sportive dhe të gjitha për sportin, 100 për qind për shtetin”, ka premtuar Berisha.

Në Suharekë, kryetari aktual i Komunës, Bali Muharremaj, ka vizituar ish-tregun në Suharekë për të promovuar produktet bujqësore dhe ka premtuar hapjen e një shërbimi geriatrik, ku të moshuarit që jetojnë vetëm do të kenë përkujdesje nga ekipe qe do të kujdesen për shëndetin e të moshuarve, për pastrimin dhe shërbimet e tjera.

Abdixhiku: Me LDK-në, Deçani bëhet emër i njohur turistik në Evropë

1 muaj më parë / 19 sht 2025 19:52
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Deçani do ta ketë qeverisjen që meriton, po që se e zgjedh LDK-në dhe kandidatin e saj Jeton Mushkolaj, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Me Jeton Mushkolajn, Deçani do të ketë kryetarin që merr përgjegjësi. Kryetarin që nuk ikën nga problemet, por i përballon ato. Kryetarin që nuk fsheh sfidat, por sjell zgjidhje. Kryetarin që nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si shërbim. Ky është dallimi ynë. Ky është dallimi i LDK-së”, deklaroi para qytetarëve Abdixhiku.

Ai premtoi investime në turizëm, infrastrukturë moderne dhe përmirësim të shërbimeve publike.

“Deçani do të ketë qeverisjen që meriton” u shpreh Abdixhiku, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin si kandidatin Mushkolaj, ashtu edhe listën për Asamblenë Komunale.

“Programi ynë për Deçanin është i qartë. Është program i punës dhe i zhvillimit. Është program i guximit dhe i vizionit. Deçani do të bëhet qendër e turizmit malor. Me bukuritë e falura nga Zoti, me natyrën e saj të pasur, kjo komunë ka potencialin për të qenë vend i vizitorëve nga mbarë bota. Me LDK-në, ky potencial nuk mbetet më në letër. Do të ketë investime në infrastrukturë, në rrugë që çojnë në bjeshkë, në qendra për vizitorë, në marketing që e bën Deçanin emër të njohur turistik në Evropë. Deçani do të ketë infrastrukturë moderne. Lagjet dhe fshatrat nuk do të mbeten më të harruara. Rrugët do të rregullohen me standarde bashkëkohore. Ujësjellësi do të jetë funksional. Kanalizimet do të jenë të sigurta. Ndriçimi publik do të garantojë siguri për çdo qytetar”, shtoi ai.

Igor Rashiq premton përfundimin e spitalit në Graçanicë

1 muaj më parë / 19 sht 2025 18:55
Igor Rashiq

Subjekti politik Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (Za Slobodu Pravdu i Opstanak) e ka fokusuar fushatën për zgjedhjet lokale te puna e ministrit në detyrë për Komunitete, Nenad Rashiq.

E kandidati për kryetar të Graçanicës, Igor Rashiq, ka premtuar përfundimin e ndërtimit të objektit të Spitalit në këtë komunë.

“Spitali ka nisur të ndërtohet në vitin 2021 dhe punimet janë ndërprerë në momentin kur Lista Serbe mori besimin për të ardhur në pushtet... Vizioni ynë është i qartë për një komunë ku premtimet përmbushen, ku përfundohen projektet, ku për çdo problem gjendet zgjidhja. Kjo komunë meriton energji të re, punë të përgjegjshme e të ndershme për të mirën e përbashkët të qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Peci jep premtime për Mitrovicën “në koordinim me Qeverinë”

1 muaj më parë / 19 sht 2025 18:08
Faton Peci

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka dhënë premtime për të cilat ka thënë se do t’i realizojë në koordinim me Qeverinë e ardhshme.

Këtu ka përmendur adresimin e çështjes së mbetjeve industriale. Është zotuar se po që se fiton në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, do të realizojë trajtimin e mbetjeve industriale dhe kimike; do të bëjë ndarjen në burim, riciklim e depozitim; unazën e gjelbër me drunj dekontaminues rreth deponive të mbeturinave e pastrimin e lumenjve bashkë me fushata ekologjike.

Ndër premtimet, Peci ka thënë se “Qeveria do të ndërtojë Spital me infrastrukturë moderne”.

“Rritjen e shërbimeve të reja në shëndetin primar dhe inkuadrimi i profesionistëve, si logopedë, psikologë, fizioterapeutë dhe punëtorë socialë. Për një Mitrovicë me mirëqenie!”, ka shkruar ai.

Deri tash Peci ka qenë ministër i Bujqësisë.

Lista Serbe premton heqjen e shiritave, me të cilët janë ndaluar punimet e disa ndërtimeve në veri

1 muaj më parë / 19 sht 2025 17:45
Lista Serbe

Lista Serbe ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për t’i mbajtur komunat me shumicë serbe në jug dhe për t’i rifituar komunat në veri.

Kandidati për Mitrovicë të Veriut, Milan Radojeviq, ka shpërndarë një video-spot, në të cilin ky subjekt politik u jep premtim qytetarëve në veri se do t’u hiqen shiritat objekteve ku paraprakisht është ndaluar ndërtimi.

Kjo parti e ka promovuar veten me këngën, me titull “Kjo është Serbia”.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Graçanicës, Novak Zhiviq, ka theksuar se kandidatët e Listës Serbe e kanë mbështetjen e Serbisë.

“Jam i bindur që populli serb nuk ka dilemë se kujt t’ia japë votën: Listës Serbe dhe se me kë është Serbia. Pa këtë ndihmë, të gjithë e dimë se ç’do të bëhej me ne. Për këtë shkak s’kemi të drejtë të gabojmë. Ju bëj thirrje që të dilni në zgjedhje dhe të votoni për Listën Serbe, si për kryetar ashtu edhe për asamblistë”, ka thënë Zhiviq.

Latifi akuzon nivelin qendror, Berisha kërkon rikthim në krye të komunës

1 muaj më parë / 19 sht 2025 17:41
Smajl Latifi

Foto: Arkiv

Kandidatët e AAK-së për kryetarë komunash fushatën e kanë vazhduar me akuza ndaj nivelit qendror, dhe me premtime për përfundimin e punëve të lëna në gjysmë.

Smajl Latifi, i cili synon edhe një mandat në Rahovec, ka akuzuar Qeverinë për mbështetje të pamjaftueshme buxhetore, ndërsa ka theksuar se është duke u marrë me problemin e ujërave të zeza, të cilin e ka cilësuar si një sfidë madhore për komunën.

Në Suharekë, kryetari Bali Muharremaj i cili synon mandatin e radhës, ka vizituar ish-tregun për të promovuar produktet bujqësore dhe ka premtuar hapjen e një shërbimi geriatrik për të moshuarit që jetojnë vetëm.

E, në Pejë, kandidati Ali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët e Baranit, është zotuar për rikthimin e tij në krye të komunës, dhe ka kritikuar qeverisjen aktuale të Gazmend Muhaxherit.

Kelmendi në Pejë premton nga 250 euro për çdo të lindur

1 muaj më parë / 19 sht 2025 17:36
Taulant Kelmendi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka prezantuar pakon e dytë nga programi i tij qeverisës.

Nga kjo pako që është titulluar “Peja e Mirëqenies”, Kelmendi ka dhënë një varg zotimesh që synon t’i realizojë gjatë mandatit 4-vjeçar në mirëqenie sociale, arsim, biznes e bujqësi.

Kelmendi ka premtuar subvencionim me 250 euro për çdo të porsalindur, subvencionimi të ilaçeve për pensionistët dhe mbulim të shpenzimeve të funeralit për qytetarët e Pejës.

Ai është zotuar edhe për hapjen e 5 çerdheve të reja.

Rama: Për herë të parë vajzat e Prishtinës kanë fushën e tyre të futbollit

1 muaj më parë / 19 sht 2025 15:54
Perparim Rama

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar klubin e futbollit të vajzave Prishtina.  

Ai ka thënë se për herën e parë vajzat e kanë fushën e tyre të futbollit. 

“Kënaqësi e jashtëzakonshme me pa entuziazmin e vajzave në momentin e pranimit të terrenit të futbollit në Bardhosh. Klubi i futbollit i vajzave Prishtina, që nga dita e parë, i ka hapur dyert për vajzat e kryeqytetit nga 5-vjeçaret e deri te senioret pa asnjë pagesë dhe ne, si kryeqyteti, vazhdojmë t’i përkrahim. Kjo fushë është më shumë se sport: është barazi, është mundësi dhe është premtim për një gjeneratë vajzash që rriten të gatshme të arrijnë majat”, ka shkruar Rama në Facebook.

Tahiri premton treg “Made in Mitrovica”

1 muaj më parë / 19 sht 2025 15:49
Arian Tahiri

Arian Tahiri, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka premtuar treg të ri për këtë komunë.

Ai ka premtuar mundësi për rritje të ekonomisë lokale me krijimin e markës “Made in Mitrovica”.

“Mitrovica do të bëhet me tregun e ri. Ky është projekti im për modernizimin e tregut, i cili do të krijojë mundësi për rritjen e ekonomisë lokale. Krijimi i markës “Made in Mitrovica” do t’i mundësojë çdo biznesi të rritet dhe të arrijë potencialin maksimal. Bizneset, bujqit dhe blegtorët e Mitrovicës kanë shumë për të ofruar dhe “Made in Mitrovica” do të bëhet simbol krenarie për të gjithë ne”, ka shkruar ai në Facebook.

Arian Tahiri në mandatin e shkuar të PDK-së në Mitrovicë ka qenë nënkryetar i komunës. Pas një mandati si kryetar, Bedri Hamza nuk synon një mandat tjetër.

Krasniqi në Dragash: Me Shaban Shabanin, pushteti nuk është privilegj por përgjegjësi

1 muaj më parë / 19 sht 2025 13:26
Memli Krasniqi - Dragash

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, mori pjesë në tubimin në Dragash të enjten mbrëma, duke i dhënë mbështetje kandidatit për kryetar të komunës nga kji parti, Shaban Shabanin, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në fjalimin para qytetarëve, Krasniqi theksoi se Dragashi meriton ma shumë dhe ma mirë.

“Prandaj më 12 tetor, qytetarët e Dragashit kanë një zgjedhje të qartë: të mbeten në të njëjtën rrugë të dështimit, apo të hapin një kapitull të ri me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Shaban Shabanin. Dhe kjo është arsyeja pse sot, si kryetar i PDK-së, jam krenar të them: alternativa për Dragashin ka emër e mbiemër – Shaban Shabani! Ai nuk do të mbyllë dyert e komunës, por do t’i hapë ato për çdo qytetar. Nuk do të ndajë njerëzit sipas partive, por do t’i bashkojë ata për të ardhmen. Nuk do të merret me propagandë, por me punë të ndershme. Me Shaban Shabanin, Dragashi do të ketë një kryetar që e di se pushteti nuk është privilegj, por përgjegjësi. Një kryetar që e di se qytetari nuk është spektator, por partner. Një kryetar që e di se e ardhmja ndërtohet me punë, me ndershmëri dhe me guxim”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Në fund të fjalës së tij, Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për ndryshimin, duke thënë:

“Më 12 tetor, fleta juaj e votimit ka një numër që përfaqëson ndryshimin: 191. Me këtë numër, ju votoni për PDK-në. Me këtë numër, ju votoni për Shaban Shabanin. Me këtë numër, ju votoni për një Dragash më të zhvilluar. Sepse me Shaban Shabanin, do ta bëjmë ‘Ma Mirë’”, shtoi ai.

Nga ana e tij, kandidati për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, paraqiti vizionin e tij për të ardhmen e komunës.

“Angazhimi im është i qartë: Arsim modern, ku fëmijët tanë të përgatiten për të ardhmen. Shëndetësi me dinjitet, ku secili qytetar të marrë kujdesin që e meriton. Bujqësi e blegtori të fuqizuara, sepse toka dhe bagëtia janë gjaku i kësaj treve. Turizëm të zhvilluar, që bukuritë e Sharrit të mos mbesin vetëm fotografi, por të kthehen në ekonomi për secilën familje”, u shpreh Shabani.

Dragashi udhëhiqet nga Bexhet Xheladini i LDK-së.