Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit, ka thënë se sheshi i planifikuar dhe i nisur nga kryetari aktual, Përparim Rama, nuk ka qenë “me qëllim për zgjerim të hapësirave publike, por qendër tregtare”.
Sipas tij, qëllimi ka qenë që dikush të përfitojë nga ky zhvillim.
“Ka disa probleme te ‘Xhorxh Bushi’. Leje që s’janë marrë nga autoritetet e ndryshme, çështjet pronësore, ka probleme procedurale në mënyrë qysh është bërë prokurimi për ta lidhë atë kontratë, ka probleme financiare me atë kontratë dhe ajo mbi të gjitha nuk është shesh, por një qendër e re tregtare. Në projektin e prezantuar si render disi kamuflohet pjesa e lokaleve midis sheshit. Qëllimi këtu nuk ka qenë t’i shtohet shesh Prishtinës, por që të nënshkruhet kontratë në vlerë të madhe dhe të krijohen lokale të reja në mënyrë që dikush të përfitojë prej asaj pune”, ka thënë Çeku në “038” në KTV.
Punimet në shesh janë ndërprerë qe disa muaj për shkak të mungesës së lejes nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve. E Komuna ka akuzuar Ministrinë e Kulturës, që udhëhiqet nga Çeku, për bllokadë.
Por sipas Çekut, problemi i këtij sheshi është krijuar artificialisht nga Rama. Ai ka thënë se zgjidhjen për këtë çështje e sheh në disa faza – duke nisur nga hapja e përkohshme gjatë ditës dhe mbyllje natës e një pjese të sheshit deri në analizimin e plotë për të vepruar në vendime më afatgjata.
Sa i përket akuzave për bllokadë, Çeku ka thënë se po të mos ishte kjo “temë e krijuar nga Rama”, atëherë “ai nuk do të kishte për çka të fliste dhe të kërkonte një mandat tjetër”.
Ai e ka akuzuar Ramën edhe për përvetësim të ideve e punëve të të tjerëve.
