Demolli: Mos i votoni politikanët që kanë gënjyer

51 min. më parë / 26 sht 2025 21:47
Megi Demolli

Megi Demolli, drejtoreshë e organizatës FOL, ka thënë se qytetarët nuk duhet t’u besojnë më politikanëve që nuk i kanë përmbushur premtimet në mandatin e parë si kryetarë komunash.

Ajo ka thënë se ndëshkimi më i mirë për ata që kanë gënjyer dhe s’i kanë përmbushur premtimet është mosdhënia e shansit të ditë.

“Po flasim për premtime që ta fyejnë inteligjencën. Qytetarët të kenë kujdes e të dinë kë ta votojnë, por më kryesorja është që pasi të votojnë po atij personi t’i kërkojnë llogari sepse vetëm ashtu mund t’i vetëdijësojmë ata kandidatë që synojnë një post të tillë”, ka thënë ajo.

Demolli ka thënë se qytetarët mund t’i vëzhgojnë vazhdimisht se sa janë realizuar premtimet.

“Po i shohim në debate, po shihet vlerësimi i punës sa i ka realizuar premtimet. E vetmja masë është te vota. Mos i votoni njerëzit që ju kanë gënjyer. Përderisa nuk i mbajnë premtimet e veta, nuk duhet dhënë shansin e dytë. Ka kandidatë që synojnë edhe mandatin e katërt e që shpërfaqin arrogancë sikur e kanë atë pozitë si me tapi që themi dhe nuk mund t’ua marrë asnjë kandidat. Dinë qytetarët edhe të ndëshkojnë”, ka thënë ajo.

Jakupi: Vazhdimi i fushatës vetëm lodhje, 99% e qytetarëve e dinë kë do të votojnë

1 o. më parë / 26 sht 2025 21:22
Shkëlqim Jakupi,

Shkëlqim Jakupi, ekspert i çështjeve lokale, ka thënë se fushata një muaj për zgjedhjet lokale është shumë e gjatë.

Sipas tij, tashmë qytetarët veçse e dinë se kë do të votojnë si në nivel për kryetar po ashtu edhe për asamblistë.

“Fushata është e gjatë. Jam i bindur që 99 për qind e qytetarëve e dinë kë do të votojnë edhe për kryetar edhe kandidat për asamble. Kë ta pyesësh sot 99 për qind thonë se s’ka nevojë të vazhdohet fushata tutje. Është lodhje. nuk besoj se ka të papërcaktuar”, ka thënë ai.

Jakupi po ashtu ka vlerësuar se komunat në katër vjetët e fundit janë përballur me “opozitarizëm” nga niveli qendror. Ai ka thënë se pa fajin e tyre, komunat janë ballafaquar me sfidën e kontratave kolektive e mungesën e investimeve nga Bashkimi Evropian si pasojë e masave të BE-së ndaj Qeverisë.

Hajrullahu: Kandidatët po ruhen nga premtimet, po kuptojnë peshën e fjalëve

1 o. më parë / 26 sht 2025 20:47
Muhamet Hajrullahu

Redaktori i “Telegrafit”, Muhamet Hajrullahu, ka thënë se kandidatët për kryetarë komunash po bëhen më të kujdesshëm në deklaratat dhe premtimet e tyre, pasi tashmë ato mbeten të dokumentuara dhe lehtësisht verifikohen.

“Fatkeqësisht apo fatmirësisht, kandidatët kanë filluar ta kuptojnë peshën e fjalëve që thonë. Nëse në të kaluarën premtimet humbnin me kohën, sot ato mbeten në rrjetet sociale dhe i ballafaqojnë ashpër për çdo deklaratë të madhe. Shumica e kandidatëve po ruhen se çka po ofrojnë”, u shpreh Hajrullahu në emisionin “Zgjedhjet në Kohë.

Sa i përket premtimeve madhore, ai përmendi rastin e shkollës “Ismail Qemali”, e cila e nisi vitin e ri shkollor, por u përball me probleme me kanalizim, duke e detyruar të ndryshojë orarin.

“E për çfarë projekte madhore po flasim? Shumë mirë që kemi ardhur në ditën për të bërë premtime, por t’i shohim projektet që kemi nevojë”, shtoi ai.

Salihu e quan paradoksal premtimin e Ramës për tramvaj

2 o. më parë / 26 sht 2025 20:37
Bekim Salihu

Bekim Salihu nga Instituti GAP e ka quajtur paradoksal premtimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se vitin e ardhshëm kryeqyteti do të ketë tramvaj elektrik në linjën deri në Fushë-Kosovë.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te ideja për tramvaj, por te premtimi se ai do të realizohet që vitin e ardhshëm, pa pasur asnjë detaj procedurial apo financiar.

“Premtimi për tramvajin nuk ishte paradoksal pse u premtua tramvaji, por se u premtua realizimi për vitin e ardhshëm. A është buxhetu? Jo. Fillimisht, Prishtina nuk po mundet ta miratojë buxhetin dhe gjasat janë të mëdha që nuk do ta miratojë as këtë vit deri më 30 shtator siç e parasheh ligji dhe siç ndodhi në vitin paraprak. Në një gjendje ku nuk sigurohen as dollapët në shkolla, po planifikohet tramvaji. Kjo është paradoksale”, ka thënë Salihu në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” ku po diskutohen premtimet e kandidatëve për kryetarë komunash.

Ai shtoi se nuk ekziston studim fizibiliteti për koston, rrugët që do të përshkojë tramvaji, përdoruesit potencialë apo ndikimin në trafik.

“Në njërën anë kryetari thotë se janë shumë afër të vijnë 32 autobusë të rinj, në anën tjetër premton tramvaj. Këto janë premtime pa asnjë bazë procedurale e financiare, të dhëna vetëm për pompozitet apo avantazh politik”, përfundoi Salihu.