"Uji në Ferizaj është luks" - Premtimet e Azemit për ujin e pijshëm

4 o. më parë / 29 sht 2025 21:45
Ferizaj

“Uji sot në Ferizaj është lluks, sepse nuk e kanë”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi.

Derisa ka shpalosur programin e tij në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Ferizaj”, Azemi ka thënë se premtimi i tij i parë me të cilin po garon në këto zgjedhje është pikërisht zgjidhja e problemit me ujë të pijshëm.

Azemi ka prezantuar edhe një plan përmes së cilit synon ta zgjidhë këtë çështje.

“E para që është një opsion afat shkurtër, në dy vitet e para do të bëjmë shpimin e puseve të thella që do t’i bëjmë me rezervar, me filtra dhe me preparatet të cilat do ta shndërrojnë ujin në një ujë të pijshëm. Ne kemi paraparë që në secilin fshat të hapet një pus... që do të kushtoj rreth 4 milionë euro. Paralelisht me këtë do të punojë në ujëmbledhësin e Pleshinës dhe Jezercit, do të bëjmë një digë”, ka thënë Azemi.

Ai ka shtuar se do të punoj në zgjidhjen e këtij problemi pasi edhe në bazë të testeve të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik, uji në Ferizaj nuk është i pijshëm.

Ai ka premtuar se nuk do të fillojë projekte të mëdha që do të duken bukur, derisa qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm.

"Është ndërtu për nja 3-4 Ferizaja" - Azemi: Duhet të ndalohen ndërtimet

4 o. më parë / 29 sht 2025 21:36
Visar Azemi

Kandidati i LDK-së për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi, ka akuzuar kryetarin aktual të Ferizajt njëherësh kandidat i PDK-së, Agim Aliu, për betonizim të qytetit.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Ferizaj”, kandidati i LDK-së ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet do të ndalojë ndërtimet në Ferizaj për së paku 1 vjet, derisa ta bëjë një plan të mirëfilltë për zhvillimin e qytetit.

Lejet e dhënë për ndërtim në këtë komunë, Azemi i ka cilësuar si shkatërrim të qytetit që mbajnë emrin e Agim Aliu.

“Në katër vitet e fundit, pushteti i Agimit i ka lëshuar mbi 1 milion m2 leje ndërtimore, i kërkuam edhe për katër vitet e më hershme, por sot na refuzuan kërkesën... Edhe katër vitet e mëhershme sigurisht aty pari do të jetë, pra është ndërtuar për nja 3-4 Ferizaja”, ka thënë Azemi.

Kandidati i LDK-së ka thënë se atyre u vyen kohë ta shërojnë Ferizajn prej kaosit urban që tashmë ka ndodhur si dhe ta rregullojnë komunikacionin përmes planit të mobilitetit.

Haliti premton blerjen e 24 autobusëve për transportin publik në Ferizaj

4 o. më parë / 29 sht 2025 21:34
Enver Haliti

Kandidati i LVV-së për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, ka shpalosur programin e tij për të cilin ka thënë se përputhet 100% me kërkesat e qytetarëve të kësaj komune.

“Ferizaj i jetueshëm, Ferizaj që zhvillohet”, janë dy shtyllat kryesore të programit, ka thënë Haliti.

Fokus të veçantë i ka dhënë edhe transportit publik në këtë qytet, ku ka premtuar blerjen e disa autobusëve të rinj.

“Kemi paraparë rikthimin e stacionit të vjetër që do të shërbejë për linjat e fshatrave ndërsa stacioni i ri që është ndërtuar në periferi të Ferizajt, do të shërbeje për linjat ndërurbane dhe ndërkombëtare. Në programin tonë kemi edhe themelimin e ndërmarrjes publike të transportit publik, do t’i blejmë 24 autobusë të rinj, do të lidhim dy stacionet, stacionin e ri me stacionin e vjetër dhe gjithashtu edhe zonën urbane me fshatrat përreth”, ka thënë Haliti.

Haliti ka akuzuar kryetarin aktual të Ferizajt, Agim Aliu, se ka demoluar stacionin e vjetër të autobusëve me të kuptuar programin e  tij për transportin, por Haliti ka thënë se kjo gjë nuk do t’i ndal.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Ferizaj”,  kandidati i LVV-së ka premtuar edhe zgjidhje të problemit me ujë të pijshëm si dhe krijimin e ngrohtores së qytetit.

Zgjedhjet lokale mbahen me 12 tetor.