Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 22-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Kurti: Prishtina ka një shans të qartë, ai quhet Hajrulla Çeku

2 muaj më parë / 4 tet 2025 21:38
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se “Prishtina e ka një shans të artë” me Hajrulla Çekun. 

Në një tubim në lagjen “Dardania”, Kurti ka thënë se atij i duhet një kryetar i Prishtinës me të cilin mund të bashkëpunojë. 

“Prishtina e ka një shans të artë, e ai quhet Hajrulla Çeku. Hajrulla Çeku është njeriu që e njeh Prishtinën më mirë se kushdo, njeri i punës konkrete e rezultateve të prekshme...Ata tjerët kanë fjalë të mëdha e punë qysh të vijnë. Duhet të flasësh për qytetarin e me qytetarin, të punosh vet i pari e ta kesh organizatën që të mbështet. E në këtë nuk është vetëm organizata e Lëvizjes, por edhe Qeveria e Republikës, që kërkesat e Hajrulla Çekut i merr si obligim me përgjegjësi e i zbaton të gjitha ato menjëherë”, tha Kurti. “Si kryeministër i Republikës më duhet një kryetar i Prishtinës me të cilin bashkëpunoj, e me këtë kryetar që është edhe naj ditë kryetar, s’kam mundur të bashkëpunoj”. 

Kurti ka thënë se kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka pasur “ankesa e jo kërkesa”.

“Është kryetar që në vend se të bashkëpunojë me Qeverinë, e përdor komunën për rivalitet politik e opozitarizëm ndërpartiak”, tha Kurti. 

Abdixhiku: Obiliqi meriton qeverisjen më të mirë – mbështetje për Xhafer Gashin

2 muaj më parë / 4 tet 2025 21:21
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një tubim elektoral në Obiliq, ku prezantoi kandidatin e partisë për kryetar të komunës, Xhafer Gashin, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti Obiliqin “zemrën energjetike të Kosovës”, duke vlerësuar sakrificën dhe kontributin e qytetarëve të kësaj komune për zhvillimin e vendit.
Ai tha se Obiliqi meriton kujdes dhe investime më të mëdha, pasi ka dhënë shumë për Kosovën.

“Për këtë arsye, Obiliqi meriton një njeri të madh, një udhëheqës shembull, një kryetar kampion, siç e keni tashmë; Obiliqi e meriton njeriun tuaj, njeriun tonë, Kryetarin e tashëm dhe të ardhshëm Xhafer Gashin. Me Xhafer Gashin në krye, Obiliqi ka parë një transformim të madh. Ka parë një qeverisje që ka qenë pranë qytetarëve, një lidership që ka ditur të marrë vendime, një kryetar që ka punuar çdo ditë për qytetin. Me Xhafer Gashin në krye, janë realizuar projekte konkrete. Janë ndërtuar e rinovuar rrugë, janë hapur sheshe e parqe, janë ndërtuar hapësira publike për qytetarët. Janë rinovuar shkolla, janë përmirësuar kushte për nxënës e mësues, janë hapur klasa të reja dhe çerdhe për fëmijët. Janë bërë investime në shëndetësi, janë përkrahur mjekët dhe pacientët. Janë mbështetur bujqit, është përkujdesur për fshatrat dhe periferinë, njësoj si për qytetin. Xhafer Gashi është kryetar i punës, kryetar i ndershmërisë, kryetar i rezultateve. Ai nuk është njeri i fjalëve të thata, ai nuk është njeri i propagandës”, tha Abdixhiku. /EO

Zafir Berisha: Prizreni është lodhur nga premtimet boshe, ne s’premtojmë mrekulli

2 muaj më parë / 4 tet 2025 19:45
Zafir Berisha

Kandidati nga radhët e Bashkimit Demokratik për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka thënë se Prizreni është lodhur nga premtimet boshe. 

Berisha ka thënë se nuk premton mrekulli. 

“Prizreni është lodhur nga premtimet boshe dhe nga udhëheqësit që kujtohen për qytetarët vetëm në fushatë zgjedhore. Jemi disa ditë larg një vendimi që mund ta ndryshojë Prizrenin për të mirë.  Kemi dëgjuar hallet e qytetarëve dhe kemi ndërtuar një plan realist për të ardhmen. Nuk premtojmë mrekulli – premtojmë punë të ndershme, transparencë dhe zë të fuqishëm për secilin prej jush. Nëse je ende në dyshim, të ftoj të na japësh një mundësi. Një votë për ne është një votë për një qytet që i kthen dinjitetin qytetarit”, ka shkruar Berisha në Facebook. 

Zgjedhjet lokale në Kosovën mbahen më 12 tetor. 
 

Berisha premton pesë fabrika në Prishtinë e zonë industriale në Kodër të Trimave

2 muaj më parë / 4 tet 2025 19:31 Nga: Ardona Popova
Bekë Berisha

Zhvillimin ekonomik të kryeqytetit e ka premtuar kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar komune në Prishtinë, Bekë Berisha.

Po qe se e siguron mandatin në zgjedhjet e 12 tetorit, ai është zotuar që t’i hapë pesë fabrika për riciklim e përpunimin e drurit dhe ushqimit, si dhe të krijojë zonë industriale për 100 biznese në Kodrën e Trimave.

“A po duam  zhvillim ekonomik? Kemi me i hap 5 fabrika nga riciklimi, druri e deri të ushqimi. Kemi me e bo zonën industriale për 100 biznese në Kodrën e Trimave. Kemi me subvencionu 50 serra dhe 30 ferma. Kemi me bo një fond subvencionimi prej 2 milionë për të rinjtë. Kemi me i ndërtu 7 tregje të reja dhe kemi me i ndërtu tregjet ekzistuese. Do të bëjmë një Prishtinë që punon”, tha Berisha.

Kandidat për kryetar të Gjilanit, Nazim Gagica, u zotua që ta vërë sportin në shërbim të edukimit, të mirëqenies dhe të barazisë për fëmijët. Në këtë synim, ai premtoi që të sigurojë hapësira sportive për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë.

E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat në këtë detyrë, ka premtuar se në qeverisjen e tij të ardhshme, prioritet do të jetë Krusha e Madhe.
“Krusha është simbol i dhimbjes, sakrificës, i flijimit, i punës, i atdhe dashurisë por është edhe tema më e madhe që unë kam axhënden time dhe e kam pasur edhe në të kaluarën. Krusha e madhe ka edhe një vulë të zhvillimit me tendencë të fuqizimit të përhapjes, këtë shtrirjes, të rritjes, të konsolidimit në sektorin e përpunimit dhe prodhimet krushiane të cilat bëhen nga duart e arta të fermerëve tanë, ne do ti përkrahim”, tha Latifi.

Labinot Bislimi, që është kandidat për kryetar në Viti, është zotuar se në qeverisjen e tij do të jetë afër çdo biznesi e qytetari të komunës.

“Me ju, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo ditë pune. Me ju, në përpjekje, në ndryshim, e deri në fitore e më tej”, tha Bislimi.

E Faton Jakupi, i cili kandidon për kryetar komune në Kamenicë, ka premtuar furnizim të rregullt me barna për pensionistë dhe për përgjigje të shpejtë në kërkesat për rinovimin e objektit të pensionistëve.
 

Selmanaj premton furnizim me ujë për biznese në Prizren

2 muaj më parë / 4 tet 2025 19:28 Nga: Ardona Popova
Driton Selmanaj

Kryetarë të komunave që udhëhiqen nga Lidhja Demokratike (LDK), në ditën e 22-të të fushatës për zgjedhjet lokale, kanë promovuar projektet e realizuara, teksa pretendentët për udhëheqje lokale kanë shpalosur zotime për mandatet që i synojnë.

Në Prishtinë, Përparim Rama e ka prezantuar projektin e transformimit të parkingut përballë Bankës Qendrore të Kosovës, në park për qytetarë.

“Jemi këtu përballë BQK-së, në parkun tash të mrekullueshëm që ka qenë parking përpara. Është bërë një punë e mirë, tash edhe fëmijët, edhe të gjithë qytetarët mund të kalojnë kohë të mirë këtu përkundër faktit që është ftoftë”, ka thënë Rama.

Në Podujevë, kandidati Ekrem Hyseni u ka premtuar grave të komunës se gjatë mandatit të tij do të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisjes.

“Rrugëtimi historik i vendit tonë por edhe i femrës në përgjithësi ka treguar që shtyllë në familje ka qenë e edhe heroinë, gruaja”, u shpreh Hyseni.

Takim me gratë zhvilloi edhe Besnik Osmani, kandidat për kryetar të Fushë Kosovës. Ai tha se programi i tij ka synim të garantojë të drejta të barabarta dhe mbështetje për gratë.

“Në programin tonë kemi synim të qartë: të drejta të barabarta, më shumë mundësi dhe mbështetje konkrete për gratë. Zëri i grave duhet të dëgjohet dhe të ketë ndikim në zhvillimin e Fushë-Kosovës që duam”, ka theksuar Osmani.

Ndërkaq, Arbër Ismajli, që e synon postin e kryetarit në Gjilan, u ka premtuar qytetarëve të Zhegrës furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm e asfaltim të rrugëve, teksa në lagjen “Dheu i Bardhë” është zotuar të ndërtojë çerdhe, udhëkryq si dhe të sigurojë transport për nxënësit.

“Investimi në çerdhe në zonën e planifikuar, ndërtimi i udhëkryqit në qarkore dhe rishikimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme që lidhet me lagjen Poredin dhe sigurimi i transportit për nxënësit nga lagjja Poredin deri tek shkolla fillore”, ka thënë Ismajli.

Furnizim 24 orë në ditë me ujë të pijshëm e infrastrukturë moderne për zona ekonomike u ka premtuar bizneseve në Prizren, kandidati për kryetar, Driton Selmanaj.

“Komuna ua merr paratë për taksat e tyre, por ndërkohë nuk ua kthen fare atyre me shërbime. E tërë kjo zonë që është një hapësirë bukur e madhe, nuk kanë madje as kanalizim dhe rrjedh të ujit të pijshëm. E rënd, e pa pranueshme. Me qeverisjen time, kjo çështje do t’i takojë së kaluarës. Tërë kjo pjesë do të ketë kanalizim, do të ketë 24 orë ujë të pijshëm”, ka deklaruar Selmanaj.

E, në Istog, kandidati Ilir Ferati është zotuar që në rast se e siguron udhëheqjen e komunës, prioritet do t’i ketë arsimin, rininë, ekonominë dhe zhvillimin rural, e të tjera.

“Me vizionin tonë, ekonomia, turizmi dhe bujqësia janë motorët e zhvillimit të qëndrueshëm. Zhvillimi rural dhe turizmi malor janë prioritetet tona më të mëdha. Digjitalizimi është pjesë thelbësore e reformës modern të qeverisjes lokale ku synojmë ta shndërrojmë Istogun në një komunë të mençur, efikase dhe të përqendruar të qytetari”, u shpreh Ferati.

Në Junik, kandidati Ruzhdi Shehu ka bërë thirrje për mobilizim të mërgatës, duke theksuar se vota e tyre në zgjedhjet e 12 tetorit është vendimtare për fitoren, sipas tij, pa balotazh.

“Mërgata është gjysma e zemrës së Junikut prandaj vota juaj është e domosdoshme për të vendosur mbi fatin e Junikut në 4 vitet e ardhshme.  Lusim të gjithë mërgimtarët që ende nuk kanë votuar të shfrytëzojnë votën e tyre. Vetëm në këtë mënyrë ju mund të konfirmoni fitoren tonë më 12 tetor pa balotazh”, ka theksuar Shehu.

Ndërkaq, kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Gëzim Plakolli, ka zhvilluar takime me banorët e lagjes së Bairit, ku diskutuan për sfidat dhe nevojat e përditshme të komunitetit. 

Edhe kandidatë të që synojnë pushtetin në komuna tjera kanë vazhduar fushatën, duke prezantuar projektet para qytetarëve.
 

Tahiri në Mitrovicë premton 2.500 parkingje publike. Hajdari muze të luftës në Drenas

2 muaj më parë / 4 tet 2025 19:23 Nga: Marigona Brahimi
Projekti i PDK-se per Mitrovice

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka prezantuar shtyllën e parë të programit të tij për “Mitrovicën në lëvizje”.

Ai ka thënë se kjo pjesë e programit përfshin infrastrukturë moderne, transport publik, ndërtimin e nënkalimit në magjistralen e Adriatikut, parkingje e projekte të tjera.

“Asfaltimin e të gjitha rrugëve urbane dhe rurale përfshirë Shalën e Bajgorës, ndërtimin e unazës së brendshme në qendër të qytetit, për ta lehtësuar komunikacionin, ndërtimin e parkingjeve publike në tri lokacione në qendër për 2500 vetura”, tha Tahiri.

E afër qytetarëve 24 orë në ditë ka premtuar se do të qëndrojë kandidati i PDK-së për kryetar komune në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Këtë zotim ai e ka bërë në tubimin me të rinjtë e komunës, e në të cilin është shoqëruar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Unë do të jem në shërbim të qytetarëve 24 orë, gjithmonë duke komunikuar dhe duke dëgjuar hallet e secilit qytetar apo secilës familje”, tha Lushtaku.

Krahas Lushtakut, kryetari i PDK-së e shoqëroi në tubim elektoral edhe kandidatin për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja.

Tek e kërkoi mbështetjen për të, Krasniqi ka thënë se nuk ekziston projekt i madh që është realizuar në Lipjan e që nuk e ka vulën e Bujës, si kryetar komune.

“Shukri Buja është njeri i fjalës dhe i punës. Për Shukin, po është po, jo është jo. Atë që e thotë, e mendon mirë, por kur e thotë dhe e premton, atëherë edhe e mban edhe e realizon”, tha Krasniqi.

E në Drenas, kandidati Petrit Hajdari është zotuar për ndërtimin e një muzeu të luftës, për të cilin ka thënë se do ta ruajë të vërtetën, do ta nderojë sakrificën dhe do t’i edukojë brezat.

Këtë muze, ai ka paraparë të ngrejë në një sipërfaqe prej rreth 1 mijë e 500 metrash katrorë, me 20 hapësira për ekspozim e me eksponate për fëmijët e vrarë gjatë luftës.
 

Kurti: Faton Peci edhe llugat i bën ara

2 muaj më parë / 4 tet 2025 19:21 Nga: Marigona Brahimi
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka kërkuar votën e minatorëve për kandidatin e partisë së tij për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.

Në një takim me ta, Kurti tha se Peci do të realizojë projekte edhe përtej premtimeve. 

“Më duhet me kërku diçka prej jush. Duhet t’i keni pritjet edhe më të larta sepse ky i tejkalon zotimet e veta. Pra dijeni që çka premton Fatoni boll mirë është, por çka realizon Fatoni është hala më mirë”, tha Kurti. 

Kandidati për Mitrovicën u zotua për kujdes shëndetësor për minatorët, qendër të kujdesit ditor dhe kujdes për të pensionuarit. 

E, Kurti tha se do të kryhen edhe punë të tjera.

“Për Faton Pecin unë them që, ky edhe llugat i bën ara”.

E në jug të Kosovës, kandidati për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, u zotua për investime në infrastrukturë edukative e arsimore.   

“Ne do të ndërtojmë çerdhe të reja publike aty ku mungesa është më e madhe dhe do të mbështesim familjet me të ardhura të ulëta që fëmijët e tyre të kenë qasje të barabartë. Në çdo çerdhe, në çdo shkollë do të sigurojmë ushqim të shëndetshëm, kushte higjienike dhe mbikëqyrje transparente. Në shkolla do të sjellim arsim gjithditor, laborator modern dhe programe inovative”, tha Abrashi. 

Në Malishevë kandidati për kryetar Valon Hoti premtoi se do të angazhohet për ta bërë këtë komunë qendër të turizmit natyror, kulturor e sportiv. 

Ai u zotua për ndërtimin e një muzeu në Pagarushë për ta përjetësuar trashëgiminë e Nexhmije Pagarushës dhe për realizim të projekteve të tjera.

“Ujëvarat e Mirushës një prej mrekullive më të mëdha natyrore të Kosovës do të shndërrohen në destinacion turistik të organizuar. Shpellat e Malishevës do të promovohen e mbrohen si pasuri të rralla. Do të ndërtojmë pishinën gjysmë olimpike në banjë duke hapur rrugë për sport e turizëm shëndetësor. Do të zhvillojmë Via Ferrata”, tha Hoti. .

Ndërsa në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku ka premtuar mbështetje për bizneset, gratë ndërmarrëse e sportistët. 
 

Ismaili takon motoristët: Siguri, rregullim i zhurmës në rrugët e Prishtinës dhe pista të dedikuara

2 muaj më parë / 4 tet 2025 16:23
Uran Ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka mbajtur sot një takim me motoristët e kryeqytetit, ku ka diskutuar për mënyrat se si Prishtina mund të ofrojë hapësira më të përshtatshme për ta, në mënyrë që të lëvizin të lirshëm dhe të kultivojnë pasionin e tyre, pa penguar qytetarët dhe qarkullimin urban.

Ismaili tha se kryeqyteti duhet t’u ofrojë hapësirë të gjithëve, pavarësisht mjetit të transportit që zgjedhin. Ai u zotua se gjatë mandatit të tij do të krijohen pista të dedikuara për motorë dhe motokros, duke theksuar se edhe problemi i zhurmës së motorëve duhet trajtuar me seriozitet.

“Zhurma e motorëve është kthyer në shqetësim për qytetarët, prandaj do të zbatojmë rregullore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për të parandaluar zhurmat e panevojshme,” tha Ismaili.
 

Krasniqi: Rinia është forca që e mban gjallë PDK-në

2 muaj më parë / 4 tet 2025 14:53
pdk

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se PDK-ja po garon në zgjedhjet lokale me 237 të rinj, e se kjo dëshmon se partia e tij e sheh rininë si forcë vendimmarrëse. 

Ai ka thënë se rinia është forca që e mban gjallë PDK-në dhe që e çon përpara Kosovën.

Postimi i tij: 

Kënaqësi dhe krenari e madhe të qëndrosh përballë brezit të ri të PDK-së, djemve e vajzave që po i japin kuptim të ri politikës sonë.

Në këto zgjedhje, PDK garon me 237 të rinj nën moshën 30 vjeç për kuvendet komunale dhe për kryetarë të komunave. Kjo është dëshmia më e qartë se PDK është partia e rinisë, e energjisë dhe e shpresës.

PDK nuk e sheh rininë si dekor, por si forcë vendimmarrëse. Si përgjegjësi. Si të ardhme.

Prandaj, besimi në rini në PDK vazhdon brez pas brezi - sepse ndër ta janë kryetarët e ardhshëm të partisë, përfaqësuesit e popullit në Kuvend dhe liderët e institucioneve të shtetit. 

Koha është për ju.
Sepse kur rinia fiton – fiton Kosova. 
Guxoni për të ëndërruar!

Totaj: Zhvillimi i Prizrenit përfshin të gjithë qytetarët pa dallim

2 muaj më parë / 4 tet 2025 11:35
totaj

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka takuar qytetarë nga komuniteti rom në lagjen “Jeta e Re”.

Ata bashkëbiseduam për nevojat e këtij komuniteti dhe për projektet që do ta përmirësojnë jetën e familjeve të tyre.

“Ata e vlerësuan lart vendimmarrjen tonë për njohjen e gjuhës Rome në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit– një hap domethënës drejt përfshirjes së plotë dhe barazisë në qeverisjen lokale. Kemi dëshmuar me vepra konkrete se zhvillimi i Prizrenit përfshin të gjithë qytetarët, pa dallim, deris do të vazhdojmë me projekte që garantojnë mirëqenie, integrim dhe kushte më të mira jetese për secilin banor të qytetit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.