Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së dytë të fushatës zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 9 nëntor. 18 komuna janë në balotazh.
Kandidatët e AAK-së inspektojnë vendpunishte e premtojnë projekte të reja
Kandidati për kryetar të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, që synon mandatin e tretë, të martën, inspektoi dy vendpunishte: në Pikën e Zezë dhe në Bardhaniq, ku tha se punët po kryhen me dinamikë të shpejtë.
“Kemi me hi me punu trotuaret komplet edhe gjelbërimin, ka mu kon lagje kapak. Kemi me punu shumë, dritat janë kry, uji është kry”, tha Gjini.
Kundërkandidat për kryetar komune Gjini e ka Ardian Golën e Lëvizjes Vetëvendosje, që doli i dyti.
Gjini në rundin e dytë të zgjedhjeve, më 9 nëntor, futet edhe me përkrahjen e LDK-së, me të cilën parti ka lidhur koalicion për Gjakovën.
E kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në ditën e dytë të fushatës prezantoi projektet të cilat do të realizohen në mandatin e ardhshëm.
Përmes një videoje të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, kryetari aktual Muharremaj premtoi: Stacion modern të autobusëve, ndërtim të objektit të ri të “EkoTheranda”, ndërtim të një çerdheje bashkëkohore, ndërtim të qendrës së zjarrfikësve, ndërtim të pishinës gjysmë-olimpike, ndërtim të shkollës “7 Marsi”, pastaj studim fizibiliteti për ngrohtoren e qytetit dhe kujdes për të moshuarit.
Smajl Latifi po ashtu kërkon mandatin e radhës. Kandidat i AAK-së për kryetar të Rahovecit, takoi banorët e Krushës së Madhe. Në një postim, ai tha se po bëhet bashkë më banorët e Krushës rreth konceptit të punës, rezultateve dhe angazhimit të pandalshëm.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pos në Gjakovë, Rahovec e Suharekë, është në balotazh edhe në Klinë me kryetarin aktual Zenun Elezaj dhe në Junik me Agron Kuçin.
Gola zotohet ta ketë prioritet kryesor arsimin, Hyseni premton praktikë me pagesë për të rinjtë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komune në Gjakovë, Ardian Gola, në ditën e dytë të fushatës për balotazhin e 9 nëntorit u zotua se gjatë mandatit që e synon do ta ketë prioritet arsimin.
Nëse del fitues, Gola premtoi se në fokus të qeverisjes së tij do ta ketë rritjen e cilësisë së mësimnxënies, si dhe efikasitetin në procesin mësimor.
“Nga mësimi tradicional do të kalojmë në mësimin kabinetik, ku fëmijët mësojnë në kabinetet të specializuara për çdo lëndë. Kështu rritet cilësia e mësim nxënies dhe rritet efikasiteti i mësimdhënies. Për fëmijët 5 deri në 6 vjeç do të hapim një objekt të ri për mësim parafillor e gjithëditor duke lehtësuar barrën e prindërve dhe duke shtuar kujdesin ndaj fëmijëve. Do të hapim 6 çerdhe të reja në qytet dhe në fshat”, tha Gola.
E bashkëpartiaku i tij që synon ta udhëheqë Komunën e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, premtoi investime në çështje elementare, si furnizimi i pandërprerë me ujë të pijes dhe në rrjetin e kanalizimit.
“Melenicën heroike, e cila derdhi gjak për lirinë e Kosovës, por edhe pas një çerekshekulli nuk posedon ujë të pijshëm. E një mjerimi të tillë, përbuzje të Shalës së Bajgorës, të qeverisjes në largim ne do t’i japim fund, për shkak se do ta kthejmë interesimin, investimin dhe vëmendjen në radhë të parë për çështjet elementare sikurse është uji dhe kanalizimi. Këto dy tema, jo vetëm në Shalë të Bajgorës, por në gjithë qytetin e Mitrovicës, nuk do të jenë temë e diskutimit deri në vitin 2029”, tha Peci.
Ndërtimi i parkingjeve të reja nëntokësore, lidhja e rrugëve me synim zvogëlimin e tollovisë me vetura e zgjerimi i shkollës fillore “Ismail Qemali” janë disa nga zotimet që ua numëroi banorëve të lagjes “Bregu i diellit”, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku.
E në Gjilan, Alban Hyseni, që në balotazh me kandidatin e LDK-së, Arbër Ismajli, e synon edhe një mandat në krye të komunës, premtoi praktika profesionale me pagesë për të rinjtë e moshave nga 16 deri 24 vjeç.
“Do të vazhdojmë për fondin për ndërmarrësit e rinj ku financojmë startup pra ide të reja për biznese që garantojnë punësim por edhe zhvillim për të rinjtë tanë. Përveç këtyre për rininë tonë kemi bërë jashtëzakonisht shumë dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë. Investime në terrene sportive, salla të sportit, stadiumin e qytetit, bibliotekën e qytetit e shumë e shumë projekte të tjera”, tha Hyseni.
Në raundin e parë të 12 tetorit, kandidati i LVV-së për kryetar në Gjakovë, Ardian Gola, ka marrë 13 mijë e 403 vota. Kundërkandidat më 9 nëntor do ta ketë kryetarin aktual e që është nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini.
E 15 mijë e 830 vota i ka siguruar në raund të parë kandidati i LVV-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Nga 18 komunat, Vetëvendosja ka shkuar në balotazh në 12 syresh. Kjo parti ka lidhur një numër të vogël marrëveshjesh për koalicion. Përveç marrëveshjeve në Prizren dhe Junik me AAK-në, LVV-ja do ta mbështesë Shaban Shabanin e PDK-së në Dragash dhe tashmë ka lidhur marrëveshje me Xhafer Tahirin e LDK-së për Vushtrri.
Memli Krasniqi: Fitorja e PDK-së është fitore e Mitrovicës
Kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj, njëherësh kandidat i Partisë Demokratike edhe për një mandat, në kuadër të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të martën zhvilloi takim në një qendër invoacioni në qytet.
Totaj tha se do të vazhdojë përkrahjen e bizneseve të reja të sektorit të teknologjisë.
“Me të vërtetë ne kemi të rinj, kemi talente, kemi të rinj dhe të reja që kanë vizion të qartë dhe kanë potencial, dhe në qoftë se i përkrahim dhe i orientojmë drejt do e zhvillojmë kapacitetin e tyre, e ai kapacitet më vonë hynë në funksion të zhvillimit të qytetit dhe të shtetit... E kemi pasur një program të ribrendimit të bizneseve të vogla. Kur e kemi bërë ribrendimin, atyre u është trefishuar pazari ditor. Normal që në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë me përkrahjen e ideve të tilla”, tha Totaj.
Totaj më 12 tetor doli i pari me 41% të votave. Si kundërshtar në balotazh ka kandidatin e Vetëvendosjes, Artan Abrashi.
Totaj ka lidhur koalicion me LDK-në, fuqinë e tretë në komunë.
E Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë që kandidon sërish, të martën u takua me Nasuf Bejtën, ish-kandidat për president dhe ish-deputet i Vetëvendosjes.
Idrizi i ndau Bejtës mirënjohje për, siç tha, kontributin e çmuar dhe përkushtimin shumëvjeçar në fushën e arsimit.
Në Vushtrri, PDK-ja doli e para me 45% të votave. Në balotazh është me kandidatin e Vetëvendosjes, Sylejman Meholli.
Në veri të Vushtrrisë, në Mitrovicë, në një tubim me qytetarë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehu mbështetjen për kandidatin Arian Tahiri.
“Me 9 nëntor Mitrovica fiton përsëri, sepse fitorja e Arian Tahirit dhe Partisë Demokratike të Kosovës gjithsesi nënkupton fitore për secilin qytetar të Mitrovicës. Ariani, për ata që s’e kanë njohur, vërtet ka qenë befasi. Por për neve që e kemi njohur që nga fillimi i rrugëtimit të tij ka qenë pikërisht ai Ariani që e kemi pritë, që do të jetë ylli i këtyre zgjedhjeve jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në nivel të Kosovës”, tha Krasniqi.
E Tahiri tha se në Mitrovicë të Jugut asnjëherë më parë nuk ka pasur konsensus të tillë politik, sikur rreth kandidaturës së tij.
“Të gjitha lagjet, i gjithë qyteti, gjithandej familjet janë duke e mbështetur kauzën tonë të përbashkët. I gjithë spektri politik në qytetin e Mitrovicës si asnjëherë më parë na është bashkuar, na është bashkuar në vlerat që i ka Partia Demokratike dhe i ka lidershipi jonë në qytetin e Mitrovicës”, tha Tahiri.
Tahiri në raundin e parë doli i dyti me 47.57% të votave, 122 më pak se i pari, Faton Peci i Vetëvendosjes.
Për balotazh, Tahiri ka marrë përkrahjen e LDK-së, AAK-së dhe të Partisë Demokratike Turke.
Lumir Abdixhiku: Të dielën Prishtina flet e para, Peja e Dukagjinit i flet pas
Në Pejë qe ndalesa e radhës e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në ditën e dytë të fushatës për balotazhin e 9 nëntorit.
Abdixhiku tha se qytetarët e Pejës duan punë, e LDK-ja dhe kandidati i saj Gazmend Muhaxheri janë përgjigjja e kësaj kërkese.
“Të dielën, me 9 nëntor, Prishtina flet e para, Peja e Dukagjinit i flet pas; bindshëm dhe qartë. LDK në dy krahët e saj do të marrë mbështetje të madhe qytetare. Dy festa në dy anë. Sepse shfaqjet politike, fjalët e thata e vetë propaganda nuk përcaktojnë më fatin e njerëzve tanë. Kosova do zhvillim”, ka shkruar Abdixhiku.
Muhaxheri në rundin e parë doli i pari me 46% të votave. Në balotazh përballë ka kandidatin e Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi.
Muhaxheri, kryetar i Pejës është zgjedhur më 2013, e tash po synon mandatin e katërt.
Pos Muhaxherit, një tjetër kryetar komune synon mandatin e katërt.
Sokol Haliti i Vitisë, në një adresim përmes Facebookut i listoi disa nga arritjet e 12 vjetëve të fundit.
“Në këto vite bashkë ndërtuam mbi 200 km rrugë, hapëm vende të reja pune dhe investuam në arsim, shëndetësi e domene të tjera. Rritëm ndjeshëm përkrahjen për bujqit, për grupet e margjinalizuara, për bizneset, shoqërinë civile, për mërgatën, sportin, kulturën dhe studentët. Gjithashtu i përkrahëm edhe pensionistët”, tha Haliti.
Besnik Osmani, kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, njëherësh nënkryetar komune, të martën mori pjesë në një inaugurim të fillimit të punimeve për ndërtimin e një çerdheje në qytet.
Osmani shkroi në Facebook se institucioni parafillor do të ketë kapacitet për 60 fëmijë.
Ai hyn në këtë balotazh me barrën e ruajtjes së Fushë-Kosovës si bastion të LDK-së, komunë kjo që nga paslufta s’e ka ndërruar partinë në udhëheqjen lokale. Në raundin e parë Osmani doli i dyti me 36% të votave. Përballet me Valon Prebrezën e Vetëvendosjes, që doli i pari më 12 tetor.
Kryetari i Dragashit e kandidati për një mandat të dytë, Bexhet Xheladini, me anë të një videoje i është drejtuar diasporës me kërkesën për mbështetje.
Xheladini në zgjedhjet e 12 tetorit mori 1,181 vota me postë apo 18% të totalit të 6670 votave për të. Ai në balotazh përballet me kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani.
“Kjo tregon që ju keni vlerësuar punën time katërvjeçare dhe keni treguar përkushtimin dhe dashurinë e madhe që keni për vendlindjen. Në këtë balotazh shpresoj që të kem mbështetjen tuaj edhe më të fuqishme. Të nderuar mërgimtar, ju lutem kur të pranoni zarfin për votim, votoni sipas procedurave të cekura në fletushkën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Xheladini.
E Ruzhdi Shehu, kryetar e kandidat edhe për një mandat në Junik, njoftoi për ndarjen e 145 bursave për studentët.
Në komunën me rreth 4,000 banorë, Shehu doli i pari më 12 tetor.. Në balotazh do të përballet me Agron Kuçin e AAK-së.
Bali Muharremaj prezanton projektet e mandatit të ardhshëm
Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka prezantuar projektet të cilat i ka paraparë t’i realizoj në rast se do të jetë sërish në krye të kësaj komune.
Përmes një video të publikuar në rrjetin e tij social, Facebook, Muharremaj ka premtuar: Stacion modern të autobusëve, ndërtim të objektit të ri të “EkoTheranda”, ndërtim të çerdhes bashkëkohore, ndërtim të qendrës së zjarrfikësve, ndërtim të pishinës gjysmë-olimpike, kujdes për të moshuarit në shtëpi, ndërtimin e shkollës “7 Marsi” e studim fizibiliteti për ngrohtoren e qytetit.
Në balotazh, Bali Muharremaj do të garoj kundër Ardian Shalës nga LDK-ja. Në ciklin e parë të zgjedhjeve, Muharremaj mori 45.42% ndërsa Shala 31.32%.