Zgjedhjet lokale

Fushatë para fushatës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm formalisht ka caktuar 3 nëntorin si datë të fillimit të fushatës për rundin e dytë të zgjedhjeve. Kandidatët për kryetarë komunash që kanë siguruar balotazhin nuk i kanë ndalur aktivitetet në terren. E, në mungesë të adresimit të parafushatës në ligj, kandidatët dhe subjektet politike amnistohen për shkeljet, e për të cilat gjobiten në fushatë zyrtare

Kandidatët për kryetarë komunash që kanë siguruar balotazhin nuk kanë ndërprerë kampanjën për të siguruar sa më shumë vota, pavarësisht se fushata nuk ka filluar zyrtarisht.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata të nisë më 3 nëntor.

Intensitet më të lartë parafushata ka në kryeqytet.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, gjatë ditës ka shpërndarë njoftimin për dy takime të realizuara, një nga to me disa të rinj që organizojnë trajnime dhe kurse në fushën e blockchain-it dhe kriptovalutave.

Është paralajmëruar një takim në Mramor, ndërsa Çeku ka shpërndarë edhe adresime nëpërmjet videove.

Njësoj ka vepruar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që synon mandatin e radhës si kandidat i Lidhjes Demokratike. Ai ka promovuar punë të deritashme, nga të cilat edhe punimet në unazën e brendshme të kryeqytetit, duke theksuar se ato janë zhvilluar edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Rezultati më i ngushtë në rundin e parë është shënuar në Mitrovicë. Edhe në këtë komunë, kandidatët nuk kanë pushuar.

Takime me qytetarë ka organizuar kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, e edhe ai i Vetëvendosjes, Faton Peci.

Ligji për zgjedhje parasheh që tubimet apo çdo aktivitet i ngjashëm i subjekteve politike të organizohet gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Aktivitetet politike të zhvilluara para se zyrtarisht të nisë fushata, nuk janë të rregulluara në legjislacion. Ky boshllëk, sipas avokatit, Ardian Bajraktari, përbën një nga mangësitë e ligjit aktual.

“Do të duhej të sanksionohej organizimi i aktiviteteve të ngjashme para fushatës sepse në instancë e fundit pikërisht këtë qëllim e ka, çështja e rregullimit të aktiviteteve brenda fushatës, prandaj mungesa e dispozitave sanksionuese qoftë për organizim të aktiviteteve para fushatës, në bindjen time, është njëra prej mangësive që ka ligji aktual”, ka thënë Bajraktari.

Në mungesë të adresimit të çështjes në ligj, nuk ndëshkohen kandidatët dhe as subjektet politike për shkeljet për të cilat gjobiten në fushatë zyrtare.

Juristi Bajraktari thotë se boshllëku ligjor është lënë qëllimshëm nga të gjitha partitë.

“Kjo në mënyrë më të mirë shpërfaq mungesën e vullnetit politik të subjekteve politike sepse në legjislaturën e kaluar si rrallë herë ka ndodhur që një ligj të miratohet thuajse me unanimitet të plotë, prandaj kjo shpërfaq mungesën e vullnetit të subjekteve politike për ta adresuar një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme sepse në instancë të fundit, për çka në fakt përcaktohet fushata zgjedhore”, ka thënë ai.

Ligji për Zgjedhje parasheh sanksione gjatë periudhës zyrtare të fushatës, ku përcaktohet se shkeljet e dispozitave të ligjit mund të ndëshkohen, përveçse përmes Kodit Penal, edhe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.