Ilir Gashi, anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, derisa ka folur për shkeljet dhe kontestimet në numërimin e votave për zgjedhjet lokale, ka përmendur një rast në komunën e Malishevës që po trajtohet me shqetësim më të madh.
Sipas tij, një person ka asistuar deri në 50 persona gjatë votimit, ndonëse legjislacioni lejon që një votues të ndihmojë vetëm një person tjetër.
“Ka raste, si rasti në Malishevë që është pak më shqetësues, ku thuhet se një person deri në 50 persona i ka asistuar në proces të votimit, gjë që është e ndaluar të asistojë më shumë se një person, por akoma nuk e kemi një raport përfundimtar për të parë se çfarë ka ngjarë atje dhe a ka bazë për ta rishikuar”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Pavarësisht disa sfidave teknike me fuqinë e internetit në disa komuna, të cilat kanë shkaktuar vonesa në rrjedhën e sistemit të numërimit, procesi po zhvillohet në të gjitha komunat.
“Besojmë shumë që deri në fund të javës do të përmbyllet pjesa e rregullt e numërimit të votave për kandidatët,” shtoi ai.
Lidhur me listat e votuesve, Gashi sqaroi se në to përfshihen të gjithë qytetarët me shtetësi të Kosovës, pavarësisht se ku jetojnë, andaj kjo mund të krijojë mospërputhje në atë se sa ka qytetarë dhe sa janë në listë votuese.
“Në listën e votuesve gjenden të gjithë qytetarët e Kosovës, kudo që jetojnë nëpër botë. Nuk i heqim nga lista. Këtu ndoshta bie ndesh se sa qytetarë të Kosovës jetojnë në Kosovë dhe sa janë në listë votuese, pasi që të gjithë qytetarët që kanë shtetësi të Kosovës por jetojnë kudo nëpër botë, janë brenda listës. Kjo pastaj e krijon një diskrepancë se sa ka qytetarë dhe sa janë në listë votuese. Pa dyshim që ka qytetarë që nuk janë të larguar nga lista votuese për shumë arsye”, ka theksuar ai.