Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komune në Gjakovë, Ardian Gola, në ditën e dytë të fushatës për balotazhin e 9 nëntorit u zotua se gjatë mandatit që e synon do ta ketë prioritet arsimin.
Nëse del fitues, Gola premtoi se në fokus të qeverisjes së tij do ta ketë rritjen e cilësisë së mësimnxënies, si dhe efikasitetin në procesin mësimor.
“Nga mësimi tradicional do të kalojmë në mësimin kabinetik, ku fëmijët mësojnë në kabinetet të specializuara për çdo lëndë. Kështu rritet cilësia e mësim nxënies dhe rritet efikasiteti i mësimdhënies. Për fëmijët 5 deri në 6 vjeç do të hapim një objekt të ri për mësim parafillor e gjithëditor duke lehtësuar barrën e prindërve dhe duke shtuar kujdesin ndaj fëmijëve. Do të hapim 6 çerdhe të reja në qytet dhe në fshat”, tha Gola.
E bashkëpartiaku i tij që synon ta udhëheqë Komunën e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, premtoi investime në çështje elementare, si furnizimi i pandërprerë me ujë të pijes dhe në rrjetin e kanalizimit.
“Melenicën heroike, e cila derdhi gjak për lirinë e Kosovës, por edhe pas një çerekshekulli nuk posedon ujë të pijshëm. E një mjerimi të tillë, përbuzje të Shalës së Bajgorës, të qeverisjes në largim ne do t’i japim fund, për shkak se do ta kthejmë interesimin, investimin dhe vëmendjen në radhë të parë për çështjet elementare sikurse është uji dhe kanalizimi. Këto dy tema, jo vetëm në Shalë të Bajgorës, por në gjithë qytetin e Mitrovicës, nuk do të jenë temë e diskutimit deri në vitin 2029”, tha Peci.
Ndërtimi i parkingjeve të reja nëntokësore, lidhja e rrugëve me synim zvogëlimin e tollovisë me vetura e zgjerimi i shkollës fillore “Ismail Qemali” janë disa nga zotimet që ua numëroi banorëve të lagjes “Bregu i diellit”, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku.
E në Gjilan, Alban Hyseni, që në balotazh me kandidatin e LDK-së, Arbër Ismajli, e synon edhe një mandat në krye të komunës, premtoi praktika profesionale me pagesë për të rinjtë e moshave nga 16 deri 24 vjeç.
“Do të vazhdojmë për fondin për ndërmarrësit e rinj ku financojmë startup pra ide të reja për biznese që garantojnë punësim por edhe zhvillim për të rinjtë tanë. Përveç këtyre për rininë tonë kemi bërë jashtëzakonisht shumë dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë. Investime në terrene sportive, salla të sportit, stadiumin e qytetit, bibliotekën e qytetit e shumë e shumë projekte të tjera”, tha Hyseni.
Në raundin e parë të 12 tetorit, kandidati i LVV-së për kryetar në Gjakovë, Ardian Gola, ka marrë 13 mijë e 403 vota. Kundërkandidat më 9 nëntor do ta ketë kryetarin aktual e që është nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini.
E 15 mijë e 830 vota i ka siguruar në raund të parë kandidati i LVV-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Nga 18 komunat, Vetëvendosja ka shkuar në balotazh në 12 syresh. Kjo parti ka lidhur një numër të vogël marrëveshjesh për koalicion. Përveç marrëveshjeve në Prizren dhe Junik me AAK-në, LVV-ja do ta mbështesë Shaban Shabanin e PDK-së në Dragash dhe tashmë ka lidhur marrëveshje me Xhafer Tahirin e LDK-së për Vushtrri.