Zgjedhjet lokale

Haradinaj: E kam ndërruar adresën e votimit, për ta përkrahur Ramosajn në Deçan

Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka lavdëruar kandidatin Ali Berisha që synon të kthehet në krye të Pejës. Për të, ai ka thënë se e ka dëshmuar veten edhe duke shpëtuar jetë në kohë të liga. Mbështetje i ka dhënë edhe Bashkim Ramosajt dhe ka bërë të ditur se e ka ndërruar adresën e votimit – nga Prishtina në Deçan. Në Prishtinë, kandidati i AAK-së për kryetar, Bekë Berisha, e ka përqendruar fushatën parazgjedhore në fushën e sigurisë së fëmijëve, të cilën e ka kualifikuar si prioritet. E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat, ka premtuar mbështetje për bujqit teksa në Fushë-Kosovë, kandidatja Vildane Latifi është zotuar që t’u ofrojë përkrahje bizneseve të vogla

Intensitetin më të lartë të fushatës elektorale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka vazhduar të premten në Dukagjin.

Kandidati Ali Berisha, i cili synon të rikthehet si kryetar i Pejës, ka thënë se në këtë komunë projektet kanë ngecur prej më shumë se një dekade. Ai ka kritikuar pushtetin aktual në nivel lokal dhe ka thënë se Peja ka mbetur prapa në zhvillim krahasuar me komunat e tjera.

“O gjynah çka o ka ndodhë në qytetin tonë. Një projekt i nisur para 14 vjetësh ende s’është kryer. Qytetet tjera brenda dy vjetësh e rregullojnë shtratin e lumit me kapacitetet e veta. Çfarë kapaciteti ka Peja që nuk është në gjendje me përfundu një punë të tillë? Shihni edhe ndërtesat e reja në korzo, çfarë standardi është ky? Kësaj qeverisjeje i ka ardh fundi. Më 12 tetor, ndryshimi në Pejë do të ndodhë”, ka theksuar Berisha.

Fushatë për Berishën ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Berisha në kohë të zorshme, ka shpëtuar edhe jetë si mjek.

“Unë nuk e them pahiri. E di që në kohë të zorshme Ali Berisha ka shpëtu jetë dhe na ka dhënë guxim. Në procese politike ka qenë afër nesh, kurrë s’ka kërku pozita. Por një herë kur ia keni dhënë besimin në Pejë, ai atë besim e ka kthyer me punë. Edhe atëherë nuk kanë qenë shumë të bindur njerëzit që po fiton, por fitoi – dhe shumë punë u bënë”, ka theksuar Haradinaj.

Në Prishtinë, kandidati i AAK-së për kryetar, Bekë Berisha, e ka përqendruar fushatën parazgjedhore në fushën e sigurisë së fëmijëve, të cilën e ka kualifikuar si prioritet.

“Zgjidhje reale, të mundshme dhe të menjëhershme për problemet që na shqetësojnë çdo ditë, veçanërisht për sigurinë e fëmijëve, e cila mbetet një nga prioritetet kryesore të tij”, është thënë në faqen në Facebook të Berishës.

E, në Deçan, kryetari aktual dhe kandidati për edhe një mandat të ri, Bashkim Ramosaj, gjatë një takimi me gratë u është përgjigjur kritikave që “po tentojnë ta paraqesin një imazh të rremë për këtë komunë”.

“Që mos me e paraqit Deçanin si një vend fanatik, ku gratë nuk guxojnë të dalin, është rrenë. Kjo përpjekje për ta shfaqur si vend të vrazhdë e të egër është po ashtu rrenë. Ky është vendi me virtytet më të mëdha në krejt Kosovën, me njerëz bujarë e solidarë që kanë sakrifikuar për vendin”, ka thënë Ramosaj.

Në përkrahje të Ramosajt ka dalë edhe Haradinaj, i cili ka thënë se sivjet është regjistruar për të votuar në Deçan.

Në Viti, kandidati për kryetar komune, Labinot Bislimi, fushatën e përqendroi kundër rivalit të tij nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Arsim Ademi, për të cilit ka thënë se ka dorëzuar padi në gjykatë pas publikimit të një sondazhi. Këtë sondazh, ai e ka kualifikuar si përpjekje për manipulim me opinionin publik dhe për cenim të procesin demokratik.

E kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat, është zotuar për investime në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Premtova mbështetje të plotë dhe bashkëpunim për zhvillimin e aktiviteteve blegtorale e bujqësore. Komuna e Rahovecit do të vazhdojë të jetë pranë bujkut, punëtorit dhe qytetarit”, ka theksuar Latifi, pas takimit me blegtorë të kësaj komune.

Në një takim me qytetarë dhe me mbështetës të mbajtur të premten, kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Istogut, Ukë Blakaj, ka kërkuar mobilizim të tyre për ndryshim. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shohin ditën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit si fillimin e një rruge të re për komunën.

E, në kuadër të fushatës të së premtes, kandidatja për kryetare komune në Fushë Kosovë, Vildane Latifi, ka pasur takime me pronarë të bizneseve të vogla. Përfaqësuesve të këtyre bizneseve ajo u ka premtuar mbështetje për zgjerimin dhe zhvillimin e veprimtarive.

Lexo përditësimet tjera
Vota

Dita e 21-të e fushatës

Agjenda e Partisë Demokratike të Kosovës për ditën e premte:1. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim...