Me një tubim qendror në Prishtinë, ku prezantoi të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kritikoi Qeverinë në detyrë e kandidatët për kryetarë komunash u shprehën të sigurt në fitoret e tyre. Aktualisht, AAK-ja udhëheq në pesë komuna: Gjakovë, Rahovec, Suharekë, Klinë e Deçan
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka nisur të shtunën fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Hapja u bë në Prishtinë me intonimet e himneve të Kosovës dhe atij kombëtar.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, para kandidatëve e mbështetësve të partisë ka folur për situatën politike në Kosovë, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun strategjik.
Sipas Haradinajt, Kosova është duke kaluar nëpër periudhë të vështirë.
“Jam shumë krenar me kolegët e mi. Është krenari të shohësh kolegë si Ardiani, i cili kur ka marrë detyrën, ka ngritur qeverisjen në një nivel të lartë. Kam disa fjalë për ju të gjithëve: pa ju nda, ju nuk jeni vetëm një parti politike. Ju jeni më shumë se kaq. Ju jepni shembull të qeverisjes së duhur, duke ndriçuar përmes punës suaj në komunat tuaja. Republika jonë kurrë nuk ka pasur kaq shumë nevojë për përkushtim. Po kalojmë ditë të errëta në vendin tonë, prandaj mos u ndalni. Punoni me përkushtim, sepse sytë janë nga ju”, ka thënë Haradinaj
E kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka theksuar se synon që ta shndërrojë kryeqytetin në metropol të vërtetë, duke e nisur punën nga zgjidhja e problemeve bazike, si furnizimi me ujë e shërbimet shëndetësore.
“Prishtina është vend i qytetarëve të mirë dhe vizioni i Aleancës është ta shndërrojë atë në një metropol, por fillimisht duke u marrë me problemet bazike – furnizimin me ujë dhe shërbimet në qendrat e mjekësisë familjare, siç janë sjellë këto shërbime në komuna të tjera, do të bëhen edhe në Prishtinë për të sjellë “dritë” në kryeqytet. Unë jap garanci për të gjithë prindërit e Prishtinës se do të kenë aleatët më të fortë për fëmijët e tyre, duke i mbështetur me përkushtim. Ne jemi pasardhës të dardanëve dhe ilirëve, dhe kjo përfshin mbrojtjen e familjeve dhe investimin në sport. Aleanca jonë ka qenë gjithmonë krah për krah me familjet, dhe tani synojmë t’ia kthejmë shkëlqimin që e ka pasur dikur, së bashku me ju. Ky zotim nuk është vetëm politik, por një angazhim i denjë”, tha Berisha.
E kandidatja për kryetare të komunës së Fushë-Kosovës, Vildane Halili, është zotuar për angazhim maksimal në funksion të arritjes së rezultateve të prekshme.
“Jam rritur brenda Aleancës duke parë njerëz me sukses dhe duke kuptuar se puna e palodhshme dhe përkushtimi gjithmonë shpërblehen. Udhëheqja në Aleancë shihet si përgjegjësi dhe forcë që nuk e ka asnjë parti tjetër. Si grua, ndihem jashtëzakonisht krenare për gjithçka që Aleanca ka arritur gjatë këtyre 10 vjetëve të angazhimit time në këtë parti”, ka thënë Halili.
E kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh i bindur se kandidatët e AAK-së në të gjitha komunat janë më të mirët. Ai ftoi të gjitha strukturat të punojnë fort për të korrur suksese në të gjitha komunat ku garojnë.
Aktualisht, AAK-ja udhëheq në pesë komuna: Gjakovë, Rahovec, Suharekë, Klinë e Deçan.
Në tubim, janë prezantuar të gjithë kandidatët nga AAK-ja për kryetar komunash.