Zgjedhjet lokale

Misini: Nuk përfitojmë asgjë nga ndarja e 100 eurove për studentët

Shkumbin Misini

Me vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e 100 eurove për studentët nuk është pajtuar profesori i politikave makro-ekonomike Shkumbin Misini. 

Sipas tij, me këtë vendim nuk është përfituar asgjë. Ai ka theksuar se në ekonomi nuk ndikojnë vendime të tilla por punësimi.

“Asgjë nuk përfitojmë ne, në fakt asgjë. I vetmi indikator i rritjes ekonomike në Kosovë është importi. I vetmi indikator, s’ka tjetër. Nëse shkon me të kaluarën, qeveritë e kaluara, kemi pasur dy indikatorë të rritjes. Po flas me rezultate empirike jo të dhëna abstrakte. Kam bërë analiza empirike. Nëse flasim për vitet e kaluara pa marrë qeverisjen aktuale, e ke pasur konsumin në rritje dhe shpenzimin, investimet kapitale që kanë investuar në infrastrukturë. Parametri kryesor i shëndetit ekonomik të një vendi është punësimi. Rritja e punësimit”, deklaroi Misini.

Tutje, Misini tha se më efektive do të ishte të zgjidheshin disa studentë të mirë dhe të financohej ndonjë projekt i tyre.

“Ka mundur të mbledhë një grup të studentëve të mirë dhe të shikojë çfarë projekte kanë, çfarë projekte ideore dhe ata t’i vetëpunësoj në njëfarë forme në grupe. Unë kam studentë të cilët janë të shkëlqyer dhe t’i shohësh çfarë ide kreative kanë. Pse ata mos me qenë të mbështetur nga Qeveria, të formohet një komision, të ndahen këto 26 milionë euro dhe të financohet ai projekt. Kjo do të kishte ndikim në ekonomi”, tha Misini në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”.


Dakaj: Ndarja e mjeteve nga Qeveria Kurti është direkt blerje e votave

Gazetari Shkelzen Dakaj ka thënë se ndarja e 26 milionë eurove për studentët është blerje e votave. Ai ka theksuar se vendimi i Qeverisë në detyrë i 7 tetorit është marrë pa asnjë analizë dhe nuk ka ndikim apo ndonjë efekt afatgjatë.

Dakaj u shpreh se ndarja e mjeteve është “tejkalim i çdo norme dhe nuk mund të bëhet asnjë krahasim me qeveritë e kaluara”.

“Kjo është direkt blerje e votave”, ka thënë ai.

“Veprimet ad hoc të kësaj qeverie po bëhen për t’i vu në kurth kundërshtarët politikë. Në prag të zgjedhjeve, nëse reagojnë tash partitë tjera këta e kanë një frikë se po humbin vota. Nuk po e kanë guximin me luajt rolin si parti politike që kundërshtojnë masa të tilla”.


Hasaj për ndarjen e 100 eurove për studentët: Nuk po matet ndikimi i tyre

Drejtori i Instituti GAP, Blend Hasaj, ka thënë se nuk mund të matet ndikimi i vendimit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për studentet, në aspektin ekonomik.

Sipas Hasajt, vendime të tilla do të duhej të merreshin sa më pak.

“Normalisht edhe vitin e kaluar edhe rritja e pagave edhe shpërndarja prej 100 eurosh për pensione ndodhi poashtu para zgjehdjeve, e edhe atëherë e kemi kritiku. Këto vendiemt ad-hoc, problemi me to është se nuk matet ndikim i tyre. Resuret publike, tatimet të cilat mbledhen nga qytetarët, duhet të shikohet si e kanë efektivitetin më të madh, kthimin më të madh. Normalisht kur bëhen shpërndarje të tilla pa një analizë është problematike të arsyetohen nga aspekti ekonomik”, deklaroi Hasaj në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”.

Vendimin për ndarjen e nga 100 eurove për studentët dhe lehtësimin për ata që udhëtojnë për studime, Qeveria e arsyetoi si vazhdim i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.