Zgjedhjet lokale

Kandidatët e AAK-së premtojnë projekte të reja, mburren me ato që i realizuan

AAK

Duke premtuar zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Vitisë, Labinot Bislimi, është zotuar se nëse fiton zgjedhjet më 12 tetor, do të nisë ndërtimin e kanalit të lumit Morava në fshatin Binçë.

Sipas Bislimit, ky projekt do të hapë mundësi për zhvillim të industrisë e tregtisë.

“Jemi këtu në Binçë, në fshatin e bukur të Vitisë, që për ne është një pikë strategjike, ku do të fillojë ndërtimi i kanalit të lumit Morava. Kjo pjesë e majtë, nga perspektiva ku jemi, do të ofrojë mundësi për ndërtim dhe zhvillim të industrisë, tregtisë dhe shërbimeve të ndryshme, ku investitorë të shumtë do të mund ta shfrytëzojnë në maksimum. Ndërkohë, në të dy anët – e sidomos në anën e majtë të bregut të këtij lumi – do të ndërtohet një shëtitore e gjatë, rreth 4 kilometra, të cilën qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë në çdo mbrëmje apo pjesë të ditës. Një shëtitore super e bukur”, ka thënë Bislimi të dielën.

Ndërkohë në Pejë, kandidati i AAK-së, Ali Berisha, i cili synon të kthehet në krye të komunës pas 12 vjetësh, ka kujtuar arritjet gjatë mandatit të tij të kaluar si kryetar.

“Në atë kohë kemi investuar shumë në shëndetësi. U ndërtua Qendra e Mjekësisë Familjare dhe u bë një riorganizim total i shëndetësisë. Në atë periudhë janë ndërtuar shumë shkolla – shumë prej atyre që përmenden sot se i kanë ndërtuar të tjerët. Në fakt, atëherë janë ndërtuar më shumë shkolla sesa në 12 vjetët që kanë pasuar. Po ashtu, është investuar edhe në ujësjellës. Në atë kohë kishte probleme me furnizimin me ujë në pjesën e sipërme të qytetit, por janë ndërtuar kapacitete akumuluese për ujë në mënyrë që të mos ketë probleme në periudhat e ardhshme”, ka thënë Berisha.

Në Rahovec, kryetari aktual, Smajl Latifi, që synon mandat të ri, gjatë një tubimi në Ratkoc, të dielën, ka folur për bashkëpunimin me qytetarët dhe punët e kryera gjatë qeverisjes së tij.

“Bashkë kemi ecur para lufte, bashkë kemi ecur në luftë, bashkë po ecim edhe pas luftës, bashkë po ecim në qeverisje. Dhe gjithë ky rrugëtim i përbashkët, me etapa, na ka bërë krenarë me punën, me emrin e mirë dhe me veprat që kemi bërë. Pra, veprat e mira dhe kontributet e shumta – para luftës, gjatë luftës, në paqe dhe në qeverisje – i kanë dhënë emër të mirë këtij vendi, kësaj komune, këtij fshati dhe kësaj treve. Jemi gati për 12 tetor – fitoren tonë nuk e ndal askush. Ratkoci është fuqia e madhe që do të sjellë fitoren e madhe, pa balotazh”, ka deklaruar Latifi.

Kryetari aktual i komunës së Gjakovës dhe kandidati i Aleancës, Ardian Gjini, ka theksuar investimet dhe përmirësimet në infrastrukturë që, sipas tij, janë realizuar, veçanërisht në furnizimin me ujë të pijshëm në fshatra. Ai ka premtuar se këto përpjekje do të vazhdojnë me intensitet edhe në mandatin e ardhshëm, me synimin për zhvillimin e mëtejshëm të komunës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Kanë ndodhur shumë projekte në Gjakovë, ka ndodhur shumëçka që unë besoj mund të quhet pozitive, si në sensin e iniciativës private, të investimeve të mëdha kapitale, të transformimit të disa pjesëve të qytetit që kanë dukur se janë të pa transformueshme. Duhet t’u vëmë gurët e rrugës, që Gjakova kurrë më në asnjë kohë të mos kthehet pas. Kur unë e kam marrë detyrën, 47 prej 88 fshatrave të banuara në Gjakovë nuk kanë pasur ujë të pijshëm, tashmë kanë. Gjakova shumë shpejt do të bëhet e vetmja komunë në Kosovë që secila familje është me ujë të pijshëm të ujësjellësit”, ka thënë Gjini.

Ukë Blakaj, kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Istogut, të dielën është zotuar se prioritet i tij kryesor do të jetë furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët. 

Ndërkohë, të dielën mbrëma, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka mbajtur tubim dhe ka prezantuar kandidatët për asamble.
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 23-të e fushatës