Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 23-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Sipas njoftimit, kjo është agjenda e partive politike për ditën e sotme:
Agjenda e Lëvizjes Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim zgjedhor. Marrin pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu. (Restorant “Goni”, Malishevë, ora 16:00)
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim zgjedhor. Merr pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti. (Shtëpia e Kulturës "Jehona Dukagjini" Klinë, ora 17:30)
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim zgjedhor. Merr pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti. (Shtëpia e Kulturës "Adem Jashari", Istog, ora 19:00)
Agjenda e Partisë Demokratike të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë e Komunës së Lipjanit. E pranishme do të jetë edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku. (Restaurant “Toni”, ora 16:30)
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Rahovecit. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. (Shtëpia e Kulturës “Mensur Zymberaj”, ora 17:00)
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Malishevës. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. (Shtëpia e Kulturës “Tahir Sinani”, ora 18:30)
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Shtimes. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. (Shtëpia e Kulturës, ora 20:00)
Agjenda e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës mban tubim elektoral në Prishtinë Dega I. (Salla e sportit në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, ora 19:00)
Agjenda e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj mban tubim zgjedhor. (Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë, Prishtinë, 19:00)
Krasniqi në Podujevë: Çdo votë për numrin 191 është një mundësi më shumë për ndryshim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar të shtunën në Podujevë në mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Isak Shabani.
Krasniqi në një tubim në mesin e llapjanëve, ka thënë se Shabani është njeri i dëshmuar, patriot dhe profesionist i shkëlqyer.
“Çdo votë është një mundësi më shumë për ndryshim, çdo votë është një mundësi më shumë drejt fitores. E nga sot dëshiroj ta përmbyll me mesazhin se për Podujevën ma mirë është me numrin 191 dhe me PDK-në. Ma mirë për Podujevën është me Isak Shabanin”, ka theksuar lideri i PDK-së.
Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës Podujevës, Isak Shabani duke i falënderuar të gjithë për përkrahjen, u zotua për zhvillim ekonomik, subvencione në bujqësi, modernizim të shkollave e shërbime shëndetësore cilësore.
“Ne nuk premtojmë gjëra boshe, unë nuk premtoj mrekulli. Premtoj përkushtim, premtoj punë të ndershme, premtoj një komunë që punon, jo që flet, një administratë që hapë dyer, jo që mbyllë, një qeverisje që e sheh qytetarin në sy, jo nga dritarja”, ka thënë Shabani.
Memli Krasniqi: Gjilani më mirë me Riad Rashitin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një tubim në Gjilan ka thënë se kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune, Riad Rashiti është njeriu i duhur për ta udhëhequr Gjilanin.
“Ma mirë për Gjilanin është me Riad Rashitin, ma mirë për Gjilanin është me të gjithë ju bashkë, sepse vërtetë koha për Gjilanin ka ardhë dhe ne do ta bëjmë bashkë realitet programin e Riadit dhe të PDK-së”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, Rashiti tha se PDK-ja e ka ekipin më të mirë, listën më të mirë dhe programin më të mirë që do t’i jap kësaj komune drejtim të ri.
“Nuk do të dalloj qytetarët tanë asnjëherë në ne dhe ata, sepse qyteti ynë meriton unitet, zhvillim dhe një të ardhme ma të mirë. Prandaj, më 12 tetor le ta kthejmë shpresën në fitore”, ka thënë Rashiti.
Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor.
Shahini takohet me banorët e fshatit Prugovc, bisedojnë për problemet infrastrukturore
Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga PSD-ja, Besa Shahini, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Prugovc. Shahini në këtë takim tha se bisedoi për problemet infrastrukturore me të cilat përballen banorët e këtij fshati.
“Vetëm 12 km larg qytetit, por i shkëputur për shkak të mungesës së infrastrukturës. Biseduam për 200 metra rrugë që nuk shtrohen tash e 4 vite, ndriçimin që mungon, stacionin e autobusit pa pritore dhe mungesën e linjës së rregullt të autobusit”, shkroi në Facebook, Shahini.
Çeku për artistët: Janë mbështetur nga MKRS-ja, do të mbështeten edhe nga komuna
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, nga “Lagjja e Artistëve” në Ulpianë, ka premtuar mbështetje për këtë komunitet. Çeku theksoi se artistët i ka mbështetur edhe sa ka qenë në krye të Ministrisë së Kulturës.
“Shumë nga nismat e tyre janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, ndërsa prej 12 tetorit e në vazhdim do të kenë përkrahje edhe nga Komuna. Në kuadër të platformës “Prishtina 2035”, kemi paraparë dhjetëra masa të qarta për zhvillimin e artit dhe veprimtarive krijuese në qytet, nga hapësirat shumëpërdorimëshe komunitare në çdo lagje e fshat, deri te rezidencat vjetore për 30 artistë dhe fondi emergjent për përkrahjen e tyre shoqërore.”, ka shkruar Çeku në Facebook, pas një takimi që zhvilloi në lagjen Ulpiana.
Petrit Hajdari premton hapjen e rrugës së bllokuar nga zgjerimi i sheshit në Drenas
Kandidati për kryetar të Drenasit nga PDK-ja, Petrit Hajdari, ka premtuar hapjen e rrugës që lidhë bizneset dhe lagjet përtej sheshit. Sipas tij, kjo do të mundësonte qasje më të lehtë për çdo qytetar.
“Kjo rrugë ka mbetur e bllokuar prej zgjerimit të sheshit dhe janë bllokuar disa biznese të cilat nuk e kanë mundësinë e furnizimit. Ne, qysh ditët e para do e hapim këtë rrugë dhe do e bëjmë të qarkullueshme.”, u zotua Hajdari i cili poashtu shtoi se hapja e kësaj rruge do t’ua lehtësonte qytetarëve edhe marrjen e shërbimeve mjekësore, duke e shmangur rrugën më të gjatë që aktualisht e bëjnë.
Gjithashtu Hajdari tha se kjo rrugë në mbrëmje sërish kthehet shesh duke i vendosur laurat tokësore.
Hajdari, në rrjetin e tij social Facebook, ka shkruar edhe për një takim me qytetarë në fshatin Poklek të Vjetër të Drenasit. Hajdari tha se në këtë fshat u pritën ngrohtësisht nga qytetarët.
“Në Poklek të Vjetër qytetarë entuziastë që e duan PDK-në e mbi të gjitha Drenasin na pritën ngrohtësisht. Ky besim është forca që po e kthen fushatën tonë në një rrugëtim të përbashkët drejt fitores së Drenasit. Vala e fitores ka nisur e me 12 tetor zyrtarizohet. Drenasi po hap kapitull të ri”, shkroi kandidati Petrit Hajdari.
Ferati premton projekte milionëshe: Do ta ndryshojmë Istogun
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka treguar planet konkrete për mandatin tjetër, që synon ta fitojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ai në një video përmendi projekte milionëshe që tha se “do ta trasnformojnë qytetin e Istogut”.
“Me energji, ide të qarta dhe përkushtim po ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët me progres real dhe një vizion që na bashkon të gjithëve. Sepse çdo shtyllë e programit bart një qëllim, të vazhdojmë rrugëtimin tonë së bashku, për të ardhmen që duam
. Rrugëtimi ynë vazhdon! #LDK113 I juaji, Iliri”, shkroi ai në Facebook.
Ismaili me të rinjtë e Kodrës së Trimave: Zbatimi i 5 Zgjidhjeve nis pas 12 tetorit!
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, është takuar me të rinjtë e Kodrës së Trimave, me të cilët thotë se ka biseduar për energjinë e ndryshimit dhe për rëndësinë e votës më 12 tetor.
Sipas tij, Prishtina funksionalizohet vetëm kur zgjedhin ndryshimin përmes votës.
“Prishtina funksionale bëhet vetëm atëherë kur secili prej nesh e zgjedhim ndryshimin përmes votës. Kodra e Trimave e ka kuptuar: me 12 tetor e përcaktojmë bashkë të ardhmen tonë dhe të gjithë Prishtinës,” tha Ismaili.
Besnik Osmani: Fitorja më 12 tetor është e pashmangshme
Kandidati për kryetar të komunës së Fushë-Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besnik Osmani ka vizituar familjen Sylejmani.
Në rrjetin social Facebook ai ka shkruar se fitoren në këtë komunë e kanë të sigurt.
“Sonte na mirëpriti me shumë dashuri dhe respekt familja Sylejmani në Vragoli. Përkrahja e tyre e sinqertë dhe pa asnjë alternativë është dëshmi se qytetarët e dinë mirë drejtimin që duan. Me këtë përkushtim dhe me këtë besim, fitorja më 12 tetor është e pashmangshme! Faleminderit të gjithëve që po na besoni qeverisjen e mirë për komunën tonë, dhe shumë respekt për familjen Sylejmani! Fushë Kosova PËRTEJ!”, ka shkruar ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor ku qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e komunave dhe asambleistët e kuvendit komunal.