Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e nisi ditën e nëntë të fushatës në Prishtinë, duke i dhënë mbështetje kandidatit të kësaj partie për kryetar të kryeqytetit, Bekë Berisha.
Haradinaj ka theksuar se qytetarët çdo ditë po e rrisin përkrahjen për Berishën dhe për listën e Aleancës. Berishën e ka cilësuar si kandidat të afërt me njerëzit dhe me program të bazuar në nevojat reale të lagjeve të Prishtinës.
“Mbështetja e qytetarëve të kryeqytetit për kandidatin tonë për kryetar, Bekë Berisha, dhe për listën e Aleancës, po rritet çdo ditë, kjo falë faktit se Beka, si një njeri i përkushtuar dhe i afërt me qytetarët, ofron një vizion qeverisës që në prioritet ka nevojat e secilit qytetar të Prishtinës. Ky vizion është i ndërtuar mbi problemet konkrete të çdo rruge e lagjeje, dhe programi ynë për Prishtinën buron pikërisht nga këto nevoja”, ka thënë Haradinaj.
Në Rahovec, kandidati i AAK-së dhe kryetari aktual i komunës, Smajl Latifi, është shfaqur i bindur se do të dalë fitues më 12 tetor. Ai ka thënë se qytetarët e njohin mirë punën e tij shumëvjeçare dhe se ajo është vlerësuar edhe nga organizata vendore e ndërkombëtare.
“Qytetarët besoj e din kush është Smajl Latifi, çka punë ka bërë si njeri i zgjedhur për të gjitha këto vite. E dinë që nuk jam turist, e dinë që kam plane, realizime konkrete dhe raporte vlerësimi edhe nga organizatat vendore, OJQ-të, MAPL, si dhe nga organizatat ndërkombëtare. Ne jemi komuna e parë për përmbushjen e premtimeve. Unë i kuptoj ethet elektorale, por do të jem fitues sepse projekti ynë është fitues”, ka thënë Latifi.
E kandidati i kësaj partie në Drenas, Beqir Kiqina, të dielën ka folur për prioritetet e tij në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, duke përmendur projekte si çerdhe të reja, mësim digjital dhe përmirësime në infrastrukturën shëndetësore.
“Kemi shumë nevojë me i përmirësu kushtet e arsimit në Drenas, me kalu nga mësimi klasik në digjital. Në planprogram e kemi mësimin tërëditor, duke përzgjedhur shkollat pilot që janë me ndërrime. Kam premtuar dhe do të realizoj edhe çerdhet e reja, si në Komoran, ashtu edhe në Llapushnik. Po ashtu, do të shtojmë kapacitetet teknologjike me tabela digjitale dhe ditar elektronik. Në shëndetësi, në repartin e radiologjisë do të shtojmë mjekë specialistë dhe do të përmirësojmë kushtet laboratorike në ambulanca”, ka deklaruar Kiqina.
Në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi ka premtuar rregullore komunale që sipas tij do të lehtësojë funksionimin e objekteve të kultit fetar. Ai ka thënë se prej kohësh ka propozuar këtë, ide që sipas tij, është përvetësuar nga subjekte të tjera.
“Prej vitesh, nga vizitat e mia në bashkësitë fetare, kam zotuar projektin për krijimin e një rregulloreje komunale që do t’i trajtonte objektet e kultit tonë fetar. Në këtë rregullore do të përfshihej pagesa e energjisë elektrike deri në 900 kë për secilin objekt, mirëmbajtja e hapësirave publike të jashtme dhe të brendshme, si dhe ndriçimi i tyre. Ndihem mirë që edhe subjektet tjera kanë filluar të marrin këtë propozim si projekt konkret”, ka thënë Krasniqi.
Në Gjakovë, kryetari aktual Ardian Gjini që synon edhe një mandat, është takuar me veteranët e gjeneratës së artë të klubit të futbollit Vëllaznimi. Ai ka thënë se tradita dhe historia e klubit do të vazhdojnë me stadiumin e ri dhe me brezat që po rriten në fushë.
Ndërsa në Deçan, Bashkim Ramosaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se ditën e ka kaluar në vizita nëpër ordinancat shëndetësore të komunës. Ai ka falënderuar mjekët dhe stafin tjetër për përkushtimin e përditshëm, duke u zotuar se do të qëndrojë afër tyre për të garantuar shërbime sa më cilësore për qytetarët.
Në Gjilan, kandidati për kryetar komune, Nazim Gagica, ka prezantuar projektin për Transportin Publik Urban, me të cilin ka thënë se synon të zgjidhë kaosin në rrugët e qytetit.
