Zgjedhjet lokale

Dita e nëntë e fushatës

1 muaj më parë Dita e nëntë e fushatës
zgjedhjet

Foto: Ilustrim

Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së nëntë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Abdixhiku: Kryeqyteti frymon kaltër

1 muaj më parë / 21 sht 2025 21:36
Lumir Abdixhiku

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), aktualisht edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka mbajtur një tubim elektoral me banorët e degës së tretë në Prishtinë. Gjatë këtij takimi, Rama prezantoi projektet e realizuara gjatë mandatit të tij në lagjet Bregu i Diellit, Velani, Muharrem Fejza, Rruga C dhe B, si dhe Mati 1.

Gjatë tubimit, përkrah Ramës ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilin prezantuan edhe njëmbëdhjetë kandidatët për asamblenë komunale nga kjo degë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Abdixhiku theksoi mbështetjen për Ramën dhe vlerësoi qeverisjen e tij në katër vitet e fundit, përkundër sfidave politike.

Abdixhiku, tha se në këto katër vite qeverisje në kryeqytet, LDK-ja nuk pati ndihmë nga qeveria në detyrë e as nga opozita lokale, por vetëm bllokada e sabotim, porse sipas tij, asnjë bllokadë nuk e ndali qeverisjen e tyre.

“Sonte nga ky tubim e kemi shumë të qartë, kryeqyteti frymon kaltër, kryeqyteti është me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sepse çdo betejë politike nis këtu, çdo fitore e madhe nis këtu dhe çdo shpresë për të ardhmen e vendit tonë nis këtu… Në katër vitet e fundit me gjithë pengesat e mëdha, LDK dhe Rama, treguan se çfarë do të thotë qeverisja e ndershme. Nuk kishim ndihmë nga qeveria qendrore, përkundrazi, patëm vetëm bllokada, nuk patëm bashkëpunim as nga opozita lokale, përkundrazi, patëm sabotim, por asnjë nga këto nuk mundi ta ndalë ndryshimin e nisur nga ne, sepse qyteti është më i fortë se propaganda, sepse besimi i njerëzve është më i madh se sa mashtrimi e puna e ndershme gjithmonë fiton mbi lojën e ulët politike”, tha Abdixhiku.

Ndërkohë, kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, tha se fokusi gjatë mandatit të kaluar ka qenë te projektet konkrete për qytetarët.

Rama përmendi edhe problemin më të madh të kryeqytetit, i cili është trafiku, e në mes të saj përmendi edhe kandidatët e tjerë për kryetarë të kryeqytetit, të cilët po premtojnë hapjen e sheshit “Xhorxh Bush”, por sipas tij, “aq dinë e aq flasin”.

Rama tha se trafikun e rregullon unaza e kryeqytetit, të cilën qeveria në detyrë e ka bllokuar dhe dhjetë shkollat që po ndërtohen në të gjitha pjesët periferike të Prishtinës.

“Kemi bë një numër të madh të projekteve në gjithë Prishtinën. Kemi pasur një theks të veçantë në Breg të Diellit. Në infrastrukturë, kemi asfaltuar rrugën “Enver Maloku” para shkollës këtu, si dhe shumë rrugë në lagje të tjera... Ambulanta në Breg të Diellit është rregulluar dhe ka më shumë shërbime se ka pasur me parë. Sot, Prishtina jep 200 shërbime në ditë për njerëzit me nevoja. Kemi bërë largimin e objekteve të vjetra, e kemi dhe një këtu që kemi me e transformu në park. Kemi bërë shenjëzimin e rrugëve në “Enver Maloku” dhe kemi bërë pritoret e reja dhe zgjerimin e Trafikut Urban... Disa kandidatë po thonë që ne do ta zgjedhim trafikun duke hapur sheshin “George Bush”, aq dinë, aq thonë, nuk e rregullon trafikun. Trafikun e rregullon unaza e kryeqytetit, të cilën kjo qeveri e ka bllokuar dhe dhjetë shkollat të cilat jemi duke i ndërtuar në të gjitha pjesët periferike”, tha Rama.

Ai shtoi se synimi i tij për mandatin e ardhshëm është që të gjitha shkollat në Prishtinë të funksionojnë me mësim tërëditor. Përveç kësaj, Rama premtoi realizimin e unazës së jashtme të kryeqytetit, blerjen e 120 autobusëve të rinj, rregullimin e rrugës “Agim Ramadani” dhe një sërë projektesh të tjera zhvillimore./KSP

Kandidatët e Aleancës premtojnë investime në shëndetësi e arsim

1 muaj më parë / 21 sht 2025 21:03 Nga: Arianita Hoti
AAK

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e nisi ditën e nëntë të fushatës në Prishtinë, duke i dhënë mbështetje kandidatit të kësaj partie për kryetar të kryeqytetit, Bekë Berisha.
Haradinaj ka theksuar se qytetarët çdo ditë po e rrisin përkrahjen për Berishën dhe për listën e Aleancës. Berishën e ka cilësuar si kandidat të afërt me njerëzit dhe me program të bazuar në nevojat reale të lagjeve të Prishtinës.

“Mbështetja e qytetarëve të kryeqytetit për kandidatin tonë për kryetar, Bekë Berisha, dhe për listën e Aleancës, po rritet çdo ditë, kjo falë faktit se Beka, si një njeri i përkushtuar dhe i afërt me qytetarët, ofron një vizion qeverisës që në prioritet ka nevojat e secilit qytetar të Prishtinës. Ky vizion është i ndërtuar mbi problemet konkrete të çdo rruge e lagjeje, dhe programi ynë për Prishtinën buron pikërisht nga këto nevoja”, ka thënë Haradinaj.

Në Rahovec, kandidati i AAK-së dhe kryetari aktual i komunës, Smajl Latifi, është shfaqur i bindur se do të dalë fitues më 12 tetor. Ai ka thënë se qytetarët e njohin mirë punën e tij shumëvjeçare dhe se ajo është vlerësuar edhe nga organizata vendore e ndërkombëtare.

“Qytetarët besoj e din kush është Smajl Latifi, çka punë ka bërë si njeri i zgjedhur për të gjitha këto vite. E dinë që nuk jam turist, e dinë që kam plane, realizime konkrete dhe raporte vlerësimi edhe nga organizatat vendore, OJQ-të, MAPL, si dhe nga organizatat ndërkombëtare. Ne jemi komuna e parë për përmbushjen e premtimeve. Unë i kuptoj ethet elektorale, por do të jem fitues sepse projekti ynë është fitues”, ka thënë Latifi.

E kandidati i kësaj partie në Drenas, Beqir Kiqina, të dielën ka folur për prioritetet e tij në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, duke përmendur projekte si çerdhe të reja, mësim digjital dhe përmirësime në infrastrukturën shëndetësore.

“Kemi shumë nevojë me i përmirësu kushtet e arsimit në Drenas, me kalu nga mësimi klasik në digjital. Në planprogram e kemi mësimin tërëditor, duke përzgjedhur shkollat pilot që janë me ndërrime. Kam premtuar dhe do të realizoj edhe çerdhet e reja, si në Komoran, ashtu edhe në Llapushnik. Po ashtu, do të shtojmë kapacitetet teknologjike me tabela digjitale dhe ditar elektronik. Në shëndetësi, në repartin e radiologjisë do të shtojmë mjekë specialistë dhe do të përmirësojmë kushtet laboratorike në ambulanca”, ka deklaruar Kiqina.

Në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi ka premtuar rregullore komunale që sipas tij do të lehtësojë funksionimin e objekteve të kultit fetar. Ai ka thënë se prej kohësh ka propozuar këtë, ide që sipas tij, është përvetësuar nga subjekte të tjera.

“Prej vitesh, nga vizitat e mia në bashkësitë fetare, kam zotuar projektin për krijimin e një rregulloreje komunale që do t’i trajtonte objektet e kultit tonë fetar. Në këtë rregullore do të përfshihej pagesa e energjisë elektrike deri në 900 kë për secilin objekt, mirëmbajtja e hapësirave publike të jashtme dhe të brendshme, si dhe ndriçimi i tyre. Ndihem mirë që edhe subjektet tjera kanë filluar të marrin këtë propozim si projekt konkret”, ka thënë Krasniqi.

Në Gjakovë, kryetari aktual Ardian Gjini që synon edhe një mandat, është takuar me veteranët e gjeneratës së artë të klubit të futbollit Vëllaznimi. Ai ka thënë se tradita dhe historia e klubit do të vazhdojnë me stadiumin e ri dhe me brezat që po rriten në fushë.

Ndërsa në Deçan, Bashkim Ramosaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se ditën e ka kaluar në vizita nëpër ordinancat shëndetësore të komunës. Ai ka falënderuar mjekët dhe stafin tjetër për përkushtimin e përditshëm, duke u zotuar se do të qëndrojë afër tyre për të garantuar shërbime sa më cilësore për qytetarët.

Në Gjilan, kandidati për kryetar komune, Nazim Gagica, ka prezantuar projektin për Transportin Publik Urban, me të cilin ka thënë se synon të zgjidhë kaosin në rrugët e qytetit.

 

Kryetarët komunalë nga radhët e LDK-së bëjnë “fushatë me vepra”

1 muaj më parë / 21 sht 2025 20:30 Nga: Rrezon Gashi
Gazmend Muhaxheri

Kryetarët e komunave që aktualisht udhëhiqen nga Lidhja Demokratike, në aktivitetet e së dielës të fushatës janë krenuar me investimet që i kanë bërë, teksa kandidatët që garojnë për të marrë fronin për herë të parë, kanë bërë premtime të shumta. 

Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shpërndarë një video nga punimet e asfaltimit të rrugës tek ura në ish-kombinat. Sipas Muhaxherit, me këtë rrugë do të shkarkohet trafiku në këtë pjesë të qytetit. 

“Një rrugë e re, një hap drejt Pejës moderne. Mobilitet më i lartë për qytetarët e Pejës. Ky është vetëm fillimi i transformimit të Pejës. Rrugë për qytetarët e je për premtime”, shkruan në klipin promocional që ka postuar Muhaxheri në Facebook.

E pak kilometra nga Peja, Ilir Ferati, i cili është kryetar i Istogut, ka promovuar kanalin e ujitjes, të ndërtuar në fshatin Lubozhdë. 

Në Prishtinë, Përparim Rama që synon që më 12 tetor të rizgjidhet kryetar i komunës, ka thënë se është përpiluar strategjia e plotë, për kulturë dhe art. 

“Për herë të parë kryeqyteti ka një strategji të plotë për kulturë dhe art me vizion afatgjatë deri më 2031. Me këtë po vendosim në qendër krijimtarinë, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë kulturore. Sepse arti nuk është luks, është identitet, është e ardhmja që e ndërtojmë së bashku”, ka thënë Rama.

E Ekrem Hyesni, që e bën përpjekjen e dytë për t’u zgjedhur kryetar komune në Podujevë, ka premtuar mbështetje për të rinjtë gjatë një takimi që e pati me ta. 

“Për ta pasur të ardhmen ashtu si kemi qejf duhet fuqizuar në çdo sferë rininë. Nga viti i dytë, bursa për të gjithë studentët, qendër trajnimi për IT, kodim dhe programim dhe do të jetë e sponsorizuar nga komuna”, ka theksuar Hyseni.

Visar Azemi, kandidat për kryetar të Ferizajt, ka dhënë një listë premtimesh për ta përmirësuar trafikun në qytet.

“Do të blejë 30 autobusë të rinj elektrikë dhe do të krijoj transport publik falas për qytetarët. Do të instalojmë semaforë inteligjentë në kryqëzimet kryesore. Do të krijojmë parkingje të menaxhuara me aplikacion për t’i liruar rrugët. Do të ndërtojmë rrugë të sigurta për fëmijë dhe korsi për biçikleta. Do të bëjmë shpronësime në rrugët e ngushta të kryeqytetit për t’i zgjeruar ato me korsi shtesë dhe do e ndërtojmë unazën e brendshme të qytetit që e lehtëson qarkullimin”, ka premtuar Azemi. 
Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, që ka udhëhequr komunën në mandatin 2017-2021 ka thënë që në fshatin Reznik, nuk u investua më nga komuna që prej kur ai ishte kryetar. 
“Në Reznik bashkë me Genta Rama Makiqi në 4 vite përfunduam ujësjllësin, mbeturinat, rrugët ndriçimin e kanalizimet e shumë projekte tjera. Cilën punë e bëri pushteti aktual në Reznik? Gjysëm trotuari! Pra askund nuk është ngecja e madhe e këtij pushteti se në Reznik. Por ngecja në Vushtrri përfundon me 12 Tetor”, ka shkruar Xhafer Tahiri. 
E Gëzim Plakolli që kandidon për kryetar të Mitrovicës dhe Xhafer Gashi që synon rizgjedhjen në krye të Obiliqit, të dielën përkujtuan ish-ministrin e Mbrojtjes të qeverisë në ekzil, Ahmet Krasniqi. 
“Në mesin e ushtarakëve që dikur ishin të gatshëm të japin jetën për liri, e ndjeva fuqinë e një amaneti të madh: liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Detyra jonë sot është ta mbrojmë dhe ta forcojmë shtetin, por edhe ta zhvillojmë qytetin tonë, Mitrovicën. Një Mitrovicë që meriton punësim, investime, arsim, kulturë dhe sport, ashtu siç e kanë ëndërruar ata që sakrifikuan për të ardhmen tonë. Ky është vizioni i LDK-së, të rikthejmë krenarinë e Mitrovicës si qytet i arsimit, sportit, kulturës dhe zhvillimit”, ka thënë Plakolli. 

Krasniqin e ka përkujtuar edhe Gashi.

“Me rastin e 27-vjetorit të vrasjes së ish-Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonelit Ahmet Krasniqi, së bashku me familjarë, Sami Krasniqi dhe nën udhëheqjen e komandantit Rrustem Berisha, në emër të veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, sot bëmë homazhe pranë varrit të tij, në nderim dhe kujtim të veprës së tij, në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Gashi.
 

Qeriqi premton nënkalim në Lipjan e Mehani kritikon qeverisjen në Skenderaj

1 muaj më parë / 21 sht 2025 20:23 Nga: Arianita Hoti
Hysni Mehani

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Lipjanit, Ilir Qeriqi, është zotuar për ndërtimin e një nënkalimi në rrugën “Sadik Shala” në rast se fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor. 

Në një postim në rrjetet sociale, të dielën, Qeriqi ka prezantuar projektin, duke e cilësuar atë si një zgjidhje funksionale që lidh rrugët kryesore të qytetit, lehtëson qarkullimin dhe kontribuon në rritjen e sigurisë rrugore.

“Ky është plani i nënkalimit në rrugën ‘Sadik Shala’ në Lipjan, ku parashihet ndërtimi i këtij nënkalimi modern për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Ky projekt do të reduktojë ndjeshëm ngarkesën e trafikut dhe do të sjellë një transformim estetik për qytetin, duke i dhënë Lipjanit një pamje më moderne dhe të rregulluar”, ka shkruar Qeriqi.

Në Skenderaj, kandidati për kryetar komune nga kjo parti, Hysni Mehani, ka adresuar kritika ndaj pushtetit aktual për, siç ka thënë, mungesë të investimeve në hapësirat publike.

“Gjatë gjithë mandatit të tyre kanë vendosur vetëm dy lodra – ato pranë gjykatës – dhe asnjë tjetër. Fëmijët dëshirojnë të dalin çdo ditë, por çfarë të bëjë një prind që është në ndihmë sociale? Ka disa probleme të vogla që mund të zgjidhen shumë lehtë, por ata nuk duan. Nuk duan që fëmijët të shkojnë në parkun e qytetit pa pagesë, por i çojnë në parqe private që u sjellin fitim biznesmenëve. Nuk po i shfrytëzojnë pronat publike për interes të qytetarëve, por për ndërtime private”, ka thënë Mehani.

E në Han të Elezit, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vazhduar fushatën duke ua kujtuar qytetarëve investimet që sipas tij janë bërë në këtë komunë. Ai ka përmendur parkun “Isa Berisha”, asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Imri Curri”, rregullimin e parkut përgjatë lumit Lepenc, si dhe rikthimin e terminalit doganor në pronësi të shtetit.
Për dështimin e projekteve të tjera, Kurti ka kritikuar qeverisjen aktuale për mosbashkëpunim. Ai po ashtu ka shpallur mbështetjen e Vetëvendosjes për kandidatin e pavarur për kryetar, Rufki Suma. 
Në Podujevë, kryetari aktual i komunës, Shpejtim Bulliqi, e ka cilësuar këtë qytet ndër më të pastrit dhe më të rregulluarit.

Kandidati për kryetar komune në Junik, Jetmir Tofaj, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, gjatë ditës së diel vizituan hapësirat sportive ku stërviten të rinjtë e Junikut. Gjatë vizitës, Tofaj kritikoi ashpër qeverisjen aktuale të kryetarit Ruzhdi Shehu (LDK), duke theksuar se premtimet e dhëna për ndërtimin e stadiumit dhe palestrës nuk janë realizuar.

“Qeverisja aktuale premtoi stadium dhe palestër, por asnjëra nga këto nuk është përfunduar. Ne zotohemi që me ardhjen tonë në krye të komunës do ta rikthejmë krenarinë e klubit të futbollit, do të krijojmë kushte të denja për klubin tonë të suksesshëm të ping-pongut dhe do të ndërtojmë një hapësirë të mirëfilltë për boksin sport në të cilin Juniku ka shkëlqyer me emra si Luan e Haxhi Krasniqi, dhe me talentët e rinj që po rriten brenda e jashtë vendit. Ashtu si Peja është bërë qytet i xhudos, Juniku do të bëhet qytet i boksit, futbollit, ping-pongut dhe sportit në përgjithësi, aty ku rinia jonë gjen motivim, disiplinë dhe krenari”, u shpreh Tofaj.

Mbështetjen e tij për klubet e futbollit e shprehu edhe Valon Hoti, kandidat për kryetar komune në Malishevë, i cili vizitoi klubin e futbollit Malisheva. Ai theksoi se Malisheva është simbol i sportit në këtë qytet, krenari e tifozëve dhe frymëzim për gjeneratat e reja.

Hoti premtoi se, nëse del fitues në zgjedhjet e 12 tetorit, do t’u ofrojë mbështetje institucionale të fuqishme këtij klubi dhe të gjithë të tjerëve, duke u angazhuar për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e sportit në komunë.

 

Cana dhe Hajdari kritikojnë qeverisjet lokale në Rahovec e Drenas

1 muaj më parë / 21 sht 2025 20:18 Nga: Rrezon Gashi
PDK - Drenas - Memli Krasniqi - Petrit Hajdari

Edhe të dielën, kandidatët e Partisë Demokratike për kryetarë komunash kanë përqendruar aktivitetet e fushatës në premtime dhe në kritika ndaj qeverisjeve lokale.

Edon Cana, që garon për kryetar në Rahovec, ka thënë se kryetari aktual, Smajl Latifi, ka udhëhequr pa vizion për më shumë se një dekadë. 

“Çdo projekt në komunën tonë, nëse e analizoni, është i dështuar. Ose nuk është kryer deri në fund, ose është shkëputur kontrata, ka rifilluar kontrata e re. Populli konsiderohet si numër, shikoni ku i ka interesat e veta elektorale ky kryetar edhe shikoni qysh ka investuar”, ka thënë Cana gjatë një tubimi në fshatin Fortesë të Rahovecit. 

Ai ka theksuar se çdo projekt i nisur gjatë 12 vjetëve të fundit ka dështuar dhe për një prej tyre Latifi është nën hetime, sipas tij.

“Ky kanal i Duhllos, tash u bë një kontratë e re nga Shtavica në Fortesë. A e dini pse i jepte zor kryetari dje, që s’donte të përgjigjej, sepse pikërisht për këtë kanal është nën hetime edhe prapë edhe një kontratë e ka bërë”, ka theksuar Cana.

Petrit Hajdari, kandidati për Drenas, ka kritikuar mënyrën se si komunën e ka drejtuar PDK-ja gjatë viteve 2021–2025. 

“Drenasi nuk ka nevojë për një kryetar që ua mbyll derën qytetarëve me arrogancë, që ndan favore për njerëzit e tij. Programi ynë nuk është shkruar në zyrë, por në terren bashkë me ju. Janë hallet dhe brengat tuaja që do të kenë zgjidhje. Qytetarët e Drenasit nuk kanë pse të paguajnë kostot e tekeve personale, ata meritojnë respekt dhe trajtim të barabartë”, ka thënë ai. 

Hajdari ka premtuar se programi i tij do të ndërtohet bashkë me qytetarët, duke përfshirë projekte për arsim.

“Do ta nis pilot-projektin për mësimin gjithëditor, do të mbështesim mësuesit, do të gjallërojmë jetën kulturore dhe sportive. Ne do të pasurojmë jetën kulturore që rinia të mos ketë arsye të largohet nga Drenasi. Do të kujdesemi për të moshuarit, për familjet e dëshmorëve dhe do t’i fuqizojmë gratë dhe vajzat e Drenasit”, ka thënë ai.   

Shaqir Totaj, kandidati për Prizren, ka premtuar mbështetje për nënat lehona dhe ka promovuar investimet e bëra në ndërtimin e çerdheve gjatë mandatit të kaluar. 

“Gjatë mandatit tonë të parë kemi dhënë përkrahje serioze për nënat lehona, si dhe kemi investuar në ndërtimin e çerdheve. Në këtë mënyrë kontribuojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Në mandatin tjetër do të vazhdojmë me rritje të përkrahjes në mënyrë serioze për nënat lehona”, ka thënë Totaj. 

Uran Ismaili në Prishtinë ka adresuar kritika ndaj kundërkandidatëve të tij gjatë një tubimi në fshatin Bardhosh.

“Njerëzit të cilët i kemi në garë, nesër, pasnesër, i kanë qytetet e tyre. Disa do të ikin nga Kosova, ndoshta krejt, disa të tjerë kthehen në qytete të veta. Ne s’kemi qytet tjetër, ne prapë duhet të jetojmë këtu, neve këtu do të na rriten fëmijët”, ka thënë Ismaili.  

E në Mitrovicë, Arian Tahiri, njëherësh nënkryetar komune, ka premtuar ndërtimin e mijëra vendparkingjeve në rast se fiton besimin e qytetarëve.

“Një zgjidhje konkrete dhe afatgjate për mungesën e parkingjeve në qytet. Me ndërtimin e 2500 vendparkingjeve të reja në tri lokacione strategjike, ne do të ofrojmë hapësira të sigurta, të organizuara dhe funksionale për qytetarët tanë. Sistemi i ri i parkingjeve do të menaxhohet nga Komuna e Mitrovicës, duke siguruar transparencë, mirëmbajtje të rregullt dhe shërbim cilësor për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Tahiri.

Ferit Idrizi, që kandidon edhe për një mandat në krye të Vushtrrisë, ka publikuar një video të fasadimeve të disa objekteve në qytet. Ai ka thënë se investimet në objekte të përbashkëta banimi do të vazhdojnë. 

“‘Banesat e Bardha’ dita-ditës po marrin pamje të re dhe krejtësisht moderne. Edhe këtë premtim po e bëjmë realitet për banorët tanë dhe investimet do t'i vazhdojmë edhe në lagje të tjera, për të bërë transformimin e madh. Projekti përfshin renovimin, izolimin, fasadimin dhe rikonstruimin e çative dhe të bodrumeve”, ka shkruar ai.
 

Lëvizja Kombëtare Serbe premton qeverisje “me duar të pastra” në Graçanicë

1 muaj më parë / 21 sht 2025 19:36
Branimir Stojanoviq

Kryetari i Lëvizjes Kombëtare Serbe, Branimir Stojanoviq, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit kandidon për postin e kryetarit të komunës së Graçanicës, ka premtuar qeverisje me duar të pastra. Në fushatën e tij elektorale, Stojanoviqi ka thënë se partia e tij do të garanton këtë lloj të qeverisjes edhe në komuna të tjera, të banuara kryesisht me serbë, e ku subjekti ka kandidatë për kryetarë. Ai i ka akuzuar partitë e tjera serbe për korrupsion, e të cilin është zotuar që ta çrrënjosë gjatë qeverisjes së tij.

“Ata që marrin para nga të gjithë ju, nga të gjithë qytetarët që jetojnë këtu, ato para i marrin ngaqë shesin diçka, e shesin ndonjë interes, e shesin cilësinë e jetës suaj, e shesin cilësinë e arsimit, të shëndetësisë, shesin të ardhmen tonë këtu. Andaj, apeli ynë në të cilin do të insistojmë është që duhet të luftojmë kundër korrupsionit, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë këtë”, tha Stojanoviq. 
 

Kurti nga Hani i Elezit akuzon kryetarin aktual, mbështet kandidatin e pavarur Refki Suma

1 muaj më parë / 21 sht 2025 18:09
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, gjatë së dielës ka vizituar Hanin e Elezit. Nga atje, Kurti tha se gjatë këtij mandate kanë bërë investime të rëndësishme e do të bënin edhe më shumë po të kishte bashkëpunim me kryetarin aktual të komunës.

Udhëheqës aktual është Mehmet Ballazhi nga radhët e PDK-së.

“Si qeveri qendrore, gjatë mandatit tonë kemi bërë investime të rëndësishme në Komunën e Hanit të Elezit, përfshirë parkun "Isa Berisha" ku u mblodhëm sot, asfaltimin e rrugëve të ndryshme, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës "Imri Curri", rregullimin e parkut përgjatë lumit Lepenc, investimin në Stadiumin e Qytetit i cili është në ndërtim e sipër e kthimin e terminalit doganor në pronësi të shtetit. Edhe shumë projekte të tjera do të ishin realizuar poqese do të kishte bashkëpunim të mirë me qeverinë tonë nga ana e kryetarit aktual të komunës”, shkroi në Facebook, Kurti.

Gjithashtu, Kurti tha se në këto zgjedhje mbështesin kandidatin e pavarur Rufki Suma. 

“Prandaj, si Lëvizje VETËVENDOSJE!, më 12 tetor në Han të Elezit e mbështesim kandidatin e pavarur për kryetar, Rufki Suma, dhe listën e 17 kandidatëve për anëtarë të Kuvendit Komunal, shumica gra, me bartëse të listës Medina Imishti. Bashkë për më shumë çerdhe publike, banim të përballueshëm e social dhe furnizim me ujë të pijshëm”, shkroi Kurti.
 

Abdixhiku: Betim Shala, zëri i qytetarëve të Kaçanikut

1 muaj më parë / 21 sht 2025 18:01
Lumir Abdixhiku - Kaçanikut

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditën e nëntë të fushatës e ka vazhduar në Kaçanik.

Derisa prezantoi kandidatin për kryetar komune, Betim Shalën, Abdixhiku u shpreh i bindur se Shala është zëri i qytetarëve.

“Betimi është ndryshe nga të tjerët. Ai nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si përgjegjësi. Ai nuk flet me slogane boshe, por me gjuhën e së vërtetës. Ai nuk është larg njerëzve, por gjithmonë pranë tyre. Në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo rrugë të Kaçanikut, Betimi ka qenë me qytetarët, ka dëgjuar hallet e tyre, ka ndarë brengat e tyre. Sot, ai vjen para jush jo vetëm si kandidat i Lidhjes Demokratike, por si zëri i vetë qytetarëve”, u shpreh Abdixhiku, raporton “Ekonomia Online”.

Abdixhiku, mes tjerash kërkoi mbështetje të plotë për kandidatin Shala dhe listën e asamblesë.

“Dhe këto janë zotimet e Lidhjes Demokratike me Betim Shalën: ujë i pijshëm, qytet i planifikuar, shkolla moderne dhe çerdhe të reja. Por Betimi nuk është vetëm. Përkrah tij është një ekip i tërë i Lidhjes Demokratike për Asamblenë e Kaçanikut. Një ekip i përbërë nga gra e burra të ndershëm, profesionistë, qytetarë të përkushtuar. Ky ekip është garancia se fjala e dhënë kthehet në vepra. Ky ekip është ura që lidh pushtetin me qytetarët. Ky ekip është garancia se çdo vendim do të merret me përgjegjësi dhe transparencë. Prandaj, mbështetja duhet të jetë e plotë: për kryetarin dhe për listën e LDK-së.”, tha Abdixhiku.

Përveç në Kaçanik, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të vizitojë edhe Hanin e Elezit dhe takime me qytetarë do të mbajë edhe në Prishtinë.
 

Hajrulla Çeku viziton disa fshatra të Prishtinës, rendit projektet për to

1 muaj më parë / 21 sht 2025 16:54
Hajrulla Ceku

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje Hajrulla Çeku, ka vizituar disa fshatra të Prishtinës në drejtim të Llapit, bashkë me ministrin e Mbrojtjes në detyrë Ejup Maqedonci dhe disa kandidatë për asamble.

Vizita u zhvillua në fshatin Besi, Prugoc, Barilevë, Rimanishtë, Vranidoll dhe Teneshdoll, dhe te secili prej tyre ka renditur në disa pika projektet dhe investimet e parapara, për të cilat tha se ishin kërkesa të banorëve të këtyre fshatrave gjatë bashkëbisedimit.

“Dje bashkë me ministrin Ejup Maqedonci dhe kandidatët tanë për Kuvendin e Komunës vizituam fshatrat e Prishtinës në drejtim të Llapit. I dëgjuam kërkesat e banorëve, i pamë nga afër problemet. Ato do t'i shndërrojmë në projekte e investime për fshatra funksional që rrisin mirëqenien e banorëve. Lagje për lagje e fshat për fshat, kërkesat dhe nevojat e banorëve do të bëhen buxhet për komunën.”, ka shkruar Çeku në Facebook.
 

Uran Ismaili prezanton pesë zgjidhjet emergjente për Prishtinën

1 muaj më parë / 21 sht 2025 16:05
Uran Ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar pesë zgjidhjet e tij emergjente për kryeqytetin. 

Zhbllokimi i trafikut brenda një viti e gjysmë është një prej pikave që ka paraqitur ai në ditën e nëntë të fushatës zgjedhore.

Tjerat kanë të bëjnë me rrugë të sigurta e lagje të pastra, si dhe kthimin e hapësirave publike “nga betoni te komuniteti”, e investime në teknologji, sport e kulturë.

Ismaili ka deklaruar se nëse fiton zgjedhjet e 12 tetorit, qeverisja e tij do të jetë e barabartë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake apo politike. 

Ai ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë me të gjithë pa dallim, vetëm që Prishtina të bëhet qytet funksional, i jetueshëm dhe me kushte dinjitoze për secilin qytetar.

Sipas tij, ndarjet partiake kanë qenë shkaku kryesor që për 25 vjet kryeqyteti ka mbetur në kaos dhe pa zgjidhje për problemet bazike.

“Nuk ka lagje e as qytetar i Prishtinës që do të mbeten prapa me mua si kryetar i Prishtinës. Do të punojmë bashkë përtej dallimeve politike për çdo lagje, çdo familje e çdo fshat të Prishtinës. Ndryshimi po vjen e pas 12 tetorit do t’ia nisim jetësimin e 5 zgjidhjeve për Prishtinën funksionale dhe për secilën lagje”, ka thënë Ismaili.
 


Uran Ismaili premton mbështetje për futbollistët e rinj

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, ka vizituar klubin e futbollit “2 Korriku”, ku njofton se është takuar me lojtarët e rinj. 

Ismaili kujton se përkrahja për sportin është e përfshirë në platformën e tij me pesë zgjidhjet për një Prishtinë të jetueshme.

“Prishtina e talentëve do të vazhdojë të nxjerrë yje në çdo lëmi sportive! Klubi i futbollit ‘2 Korriku’ është shembulli më i mirë i punës dhe përkushtimit. Gjatë vizitës time i sigurova se asnjëherë në Prishtinë nuk është shfrytëzuar potenciali i madh që ekziston. Prandaj, drejtuesve dhe futbollistëve të rinj u premtova se do ta rrisim kujdesin ndaj klubeve sportive dhe do t’i shtojmë investimet në infrastrukturë, si në qytet ashtu edhe në fshat,” tha Ismaili.

Plani i Ismailit për sportin përfshin përkrahjen financiare dhe infrastrukturore për klubet ekzistuese, ndërtimin e qendrave sportive multifunksionale në lagjet kryesore të kryeqytetit, si dhe krijimin e hapësirave të reja sportive qytetarët e sidomos të rinjt të kenë mundësi të zhvillojnë talentin dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Bali Muharremaj: Fitorja nuk lind rastësisht, ndërtohet me besim

1 muaj më parë / 21 sht 2025 15:57
Bali Muharremaj

Kryetari aktual i Komunës së Suharekës nga AAK-ja, njërit kandidat për një mandat tjetër Bali Muharremaj, përmes një postimi në Facebook është shprehur në një fitore të radhës sepse sipas tij besimin te qytetarët e ka ndërtuar me suksese në punë.

“A e dini pse fitojmë? Sepse fitorja e ardhshme nuk lind rastësisht, ajo ndërtohet me besim dhe me zemër. Ia kemi dhënë fjalen njëri-tjetrit, me duar të bashkuara, pas çdo suksesi të punës, se nuk do ta tradhtojmë njëri-tjetrin në momente të caktuar. Ju që flisni mirë, që shpërndani fjalë shprese dhe që besoni thellë, se bashkë me qytetarët do ta realizojmë fitoren, jeni fryma e këtij rrugëtimi.”, ka shkruar Muharremaj.

Haradinaj: Mbështetja për Bekë Berishën po rritet çdo ditë

1 muaj më parë / 21 sht 2025 15:43
beka rambo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbështetja e qytetarëve të kryeqytetit për kandidatin për kryetar, Bekë Berisha, dhe për listën e Aleancës, po rritet çdo ditë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo rritje po bëhet falë faktit se “Beka, si një njeri i përkushtuar dhe i afërt me qytetarët, ofron një vizion qeverisës që në prioritet ka nevojat e secilit qytetar të Prishtinës”.

“Ky vizion është i ndërtuar mbi problemet konkrete të çdo rruge e lagjeje, dhe programi ynë për Prishtinën buron pikërisht nga këto nevoja. Sot, në Mramor të Prishtinës, ndamë idetë tona për ta rikthyer Dritën në kryeqytet, për ta bërë Prishtinën qendër të zhvillimit dhe atraksionit në rajon.  Prishtina është qytet me natyrë të pasur e gjelbërim, që duhet ta shfrytëzojmë duke inkurajuar turizmin malor dhe rekreacionin, për ta kthyer kryeqytetin në destinacion modern e tërheqës”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka thënë se problemet bazike nuk janë problem, ato janë punë të kryera në programin e Berishës.

“...sepse Beka bon me punë, përkushtim dhe ekipin e fitores për Prishtinën, bashkë me qytetarët e saj”, ka shkruar ai.

Rahimaj i LVV-së e takon diasporën e Kamenicës

1 muaj më parë / 21 sht 2025 15:37
Kadri Rahimaj

Kryetar aktual i Komunës së Kamenicës, njëherit kandidat për një mandat të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se është takuar me diasporën e kësaj komune. Ai e ka quajtura forcë të Kamenicë.

“Këta djem na e mbajnë gjallë lidhjen me vendlindjen, me zemër e me shpirt. Faleminderit secilit për këtë mbrëmje të ngrohtë, e sidomos Basriut, Sokolit e Bajramit që çdo herë janë krah nesh. Bashkë, s’ka forcë që na ndal, Kamenica rritet e zhvillohet veç me dashninë dhe përkushtimin tuaj”, ka shkruar Rahimaj duke ia bashkangjitur disa fotografi.

Peci në qendrën Down Syndrome: Do ta mbështesim duke angazhuar logoped, psikolog e punëtor social

1 muaj më parë / 21 sht 2025 15:27
Faton Peci

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga radhët e LVV-së, Faton Peci, ka zhvilluar një vizitë në qendrën Down Syndrome Kosova. Nga aty, Peci përmes një postimi në Facebook, tha se do ta mbështesin përmes angazhimit të logopedit, psikologut dhe punëtorit social.

“Gjatë vizitës në Qendrën Down Syndrome Kosova patëm mundësinë të shohim nga afër përkushtimin dhe punën e palodhshme që zhvillohet çdo ditë për fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down”, ka thënë ai. “Në mbështetje të këtij përkushtimi të madh, ne do të sigurojmë mbështetje të qëndrueshme profesionale përmes angazhimit të logopedit, psikologut dhe punëtorit social . Ky është një hap i domosdoshëm për të krijuar kushte më të mira zhvillimi, integrimi dhe mirëqenieje për fëmijët tanë.”, ka shkruar kandidati Peci në Facebook.

Rama: Prishtina për herë të parë ka strategji të plotë për kulturë dhe art

1 muaj më parë / 21 sht 2025 15:11
rama

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama i cili kandidon edhe për një mandat tjetër, ka thënë se për herë të parë kryeqyteti ka një strategji të plotë për kulturë dhe art me vizion afatgjatë deri në vitin 2031.

Ai ka thënë se me këtë po vendosin në qendër krijimtarinë, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë kulturore.

“Sepse arti nuk është luks, është identitet, është e ardhmja që e ndërtojmë së bashku. Prishtina përtej improvizimeve”, ka thënë ai në një video të postuar në profilin e tij.

Tahiri i PDK-së prezanton projektin për 2 mijë e 500 vendparkime të reja në Mitrovicë

1 muaj më parë / 21 sht 2025 14:59
aRIAN TAHIRI

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka prezantuar projektin e tij për ndërtimin e 2 mijë e 500 vendparkimeve të reja në tri lokacione të Mitrovicës së Jugut.

Sipas Tahirit, kjo do të ofronte hapësira të sigurta e funksionale për qytetarët e kësaj komune.

“Ky është projekti im për ndërtimin e parkingjeve moderne në qendër të Mitrovicës, një zgjidhje konkrete dhe afatgjate për mungesën e parkingjeve në qytet. Me ndërtimin e 2500 vendparkimeve të reja në tri lokacione strategjike, ne do të ofrojmë hapësira të sigurta, të organizuara dhe funksionale për qytetarët tanë. Sistemi i ri i parkingjeve do të menaxhohet nga Komuna e Mitrovicës, duke siguruar transparencë, mirëmbajtje të rregullt dhe shërbim cilësor për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Tahiri në Facebook duke i bashkangjitur edhe disa fotografi të projektit.

Aliu viziton disa fshatra të Ferizajt: Kumboi zëri i fitores së qytetarëve

1 muaj më parë / 21 sht 2025 14:48
Agim Aliu

Kryetari aktual i Komunës së Ferizajt, njëherit edhe kandidati nga radhët e PDK-së për një mandat tjetër Agim Aliu, ka njoftuar për takimet e radhës në disa fshatra të kësaj komune, në kuadër të fushatës zgjedhore.

Aliu shkroi në një postim në facebook se zëri i fitores së qytetarëve, kumboi në Greme dhe për Ferizajin e gjeneratës tjetër.

“Gremja, Gaçka, Doganaj, Pleshina, Zaskoku, Dubrava e Burrniku tashmë kanë ndarë mendjen, me 12 Tetor fitojnë qytetarët, vizioni i dëshmuar me punë, transformimi që ka emër e energjia e pashtershme për ta bërë çdo ditë më të mirë, qytetin e fshatrat tona.”, shkroi në videon e publikuar në Facebook.

Shahini viziton Asociacionin Nacional për Autizëm

1 muaj më parë / 21 sht 2025 13:30
besa shahini

Kandidatja për kryetare  të Prishtinës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Besa Shahini, ka vizituar Asociacionin Nacional për Autizëm në Kosovë (ANAK).

Ka deklaruar se qiraja e lartë është barrë e madhe për ta, duke shtuar se Komuna duhet të ofrojë hapësirë fizike dhe mbështetje financiare të rregullt.

Ajo ka thënë se një ekip profesionistësh, i udhëhequr nga Jeta Deva, punon çdo ditë me fëmijët me autizëm, me prindërit që kanë nevojë për mbështetje dhe me asistentët në shkolla që trajnohen për t’i ndihmuar ata.

Ka vlerësuar se për një organizatë si ANAK, qiraja e lartë në Prishtinë është barrë shumë e madhe sepse shërbimet kërkojnë shumë hapësira individuale për punë me fëmijët.

“Komuna minimalisht duhet të ofrojë hapësira fizike, por edhe mbështetje financiare të rregullt. Ishte kënaqësi të shihnim nga afër edhe artin e fëmijëve, disa prej të cilave ishin shndërruar në broshe që na zbukuruan këmishat. Faleminderit për punën që bëni, ANAK”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lladrovci: Besnikët e Thaçit e Veselit janë besnikë të UÇK-së e PDK-së, jo të “Dadës Razë”

1 muaj më parë / 21 sht 2025 12:56
ramiz lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se qytetarët e Drenasit e dallojnë mirë veprën nga mashtrimi.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se besnikët e Hashim Thaçi e Kadri Veselit, janë besnik të UÇK-së e PDK-së, por jo edhe të "Dadës Razë" e votimit symbyllur.

Lladorvci që po garon me subjektin “Për Drenasin Kampion” ka shkruar se qytetarët e Drenasit “tashmë janë përcaktuar për subjektin e tij.

“Prej lisit, nuk po e shohin malin! Qytetarëve të mirë, atdhetarëve të devotshëm e punëtorë të Drenasit, gjashtë herë kampion të performancës, edhe një herë u vije oferta e lodhtë nga ata që nuk e presin.  Qytetarët e Drenasit e dallojnë mirë veprën nga mashtrimi, e dallojnë kampionin nga bedeli, e dallojnë profilin origjinal nga imitimi. Ata, tashmë janë përcaktuar, me 101 arsye, ‘Për Drenasin Kampion’. Ftoj qytetarët e komunës së Drenasit të mos bien pre e përjashtimit publik, të mos ndjehen të fyer nga etiketat që ju vihen në media dhe mos e vlerësoni përçarjen, shpifjen apo dezinformimin, sepse, fitoren tonë nuk mund ta ndalë askush”, ka shkruar ai.

Lladrovri u ka bërë thirrje liderëve partiak që “ta lënë Drenasin dhe qytetarët në dimensionin e vet, ashtu siç janë”.

“Shihni e bëni propagandë në degët ‘e mëdha’, duke filluar nga kryeqendra dhe komunat që tashmë i keni ftuar qytetarët pa dallim të votojnë për kryetarët ‘e suksesshëm’ gjë që duan t'i pengojnë qytetarët kampionë ta votojnë kryetarin kampion. Nga lisi që e kanë përpara, disa nuk po e shohin malin”, ka shkruar tutje Lladrovci.

LDK-ja në Fushë-Kosovë organizon Turneun e Futsallit

1 muaj më parë / 21 sht 2025 12:13
BesniK Osmani

 

Është organizuar turneu në Fustall “Fushë Kosova PËRTEJ”. Për këtë aktivitet ka njoftuar kandidati për kryetar të Fushë Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besnik Osmani.

Ai ka thënë se me këtë synojnë të tregojnë pasionin për sportin dhe fuqinë e bashkëpunimit.

“Sot, e dielë, kemi organizuar Turneun në Futsall “Fushë Kosova PËRTEJ”! Ekipet e nëndegëve, strukturave dhe ato të rinisë janë bashkuar për të treguar pasionin për sportin dhe fuqinë e bashkëpunimit”, ka shkruar Osmani.


Kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës viziton një fermë në Vragoli

 

Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga LDK-ja, Besnik Osmani, ka vizituar një fermë në fshatin Vragoli.

Osmani përmes një postimi në Facebook, premton mbështetje edhe për bujqit.

“Me bika shumë të shëndetshëm dhe një pastërti të jashtëzakonshme në çdo pjesë të fermës, Burimi tregon punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e gjatë të tij, duke punuar mbi 100 hektare të arave të komunës sonë dhe duke e zgjeruar fermën nga vetëm 5 krerë në mbi 55 krerë. Ne mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen për bujqit tanë dhe të jemi pranë tyre çdo herë, sepse ata janë zemra e prodhimit tonë ushqimor.”, ka shkruar Osmani.

Shukri Buja tregon planet për Lipjanin

1 muaj më parë / 21 sht 2025 12:06
Shukri Buja

Për arsim cilësor, shëndetësi publike për të gjithë, ujë të pijshëm e trajtim të ujërave të zeza, Shukri Buja po synon të rikthehet në krye të Komunës së Lipjanit. Kthimi i tij në udhëheqjen e kësaj komune, sipas tij, përveç që është nevojë, është edhe kërkesë e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

Buja, i cili është kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Lipjanit, e konsideron të fituar garën në zgjedhjet lokale 2025. Sipas tij, 12 vjet qeverisje nga kryetari aktual, Imri Ahmeti, e kanë “degraduar qytetin”.

“Është një degradim tepër i madh urban, është një moszhvillim i Lipjanit, është një ngecje tepër e madhe në të gjitha fshatrat, me shumë pasoja që i ka për 12 vjet të kësaj qeverisje dhe realisht insistimi i shumë bashkëluftëtarëve të mijë pas luftës, i njerëzve që e udhëheqin partinë, në veçanti udhëheqja e degës së partisë dhe e qendrës së partisë kanë bërë që unë të rikthehem si kandidat. Dhe është një nga porositë e bashkëluftëtarëve që po vuajnë në burgjet e Hagës”, deklaron Buja.

Buja premton se nëse arrin të jetë në krye të Lipjanit, në pozita udhëheqëse komunale do të jenë të emëruara mbi 30% gra.

“Pavarësisht që nuk është kuota ligjore në aspektin e drejtorive, kam dhënë premtimin që mbi 30% të drejtorive do të jenë të udhëhequra nga gratë, kam arsyetimin e plotë sepse janë shumë më të ndjeshme shumë më të përgjegjshme në udhëheqje dhe besoj se kjo do të jetë shumë lehtë e realizueshme”, shprehet ai.

E konkurrencën për garën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit për Lipjanin, Buja nuk e konsideron të fuqishme, ndërsa beson se kjo komunë do të jetë në balotazh.

“Kryetari që ka qenë deri tash i ka 12 vjet mandat, dhe po pretendon edhe 4 vite, realisht nëse merremi nga ky shembull ky nuk do të duhej të kandidojë fare, por pavarësisht pretendimeve të zotëri Ahmeti, ai është që i ka lodhur qytetarët me politikën e tij, ka shtruar rrugë private, të anëtarëve të tij, ka shtruar rrugë me anime politike, ka punësuar njerëz me kërkesën për vota edhe sot shantazh tek punëtorët që nëse dalin në përkrahje të PDK-së do ta pësojnë me vende pune. Realisht e ka humbur busullën, kam besimin e plotë sidomos me përkrahjen që po e shoh që zotëri Ahmeti do të jetë një njeri që do të shkojë në shtëpi, konkurrencën nuk e shoh të fuqishme...Nëse do të jemi në balotazh sigurisht do të jemi të parët, PDK dhe kandidati i PDK-së, dhe në balotazh dihet ajo që ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Tash për raundin e parë kemi koalicion bukur të mirë e në raundin e dytë bukur më të fuqishëm”, shprehet Buja.

Prioriteti kryesor i Bujës nëse arrin të rikthehet në qeverisjen e Lipjanit është digjitalizimi i arsimit, shëndetësi të mirë-organizuar dhe zhvillim ekonomik.

Mbështetje për bizneset përmes ndërtimit të Tregut të ri dhe mbështetjes përmes trajnimeve të vazhdueshme janë disa nga synimet që Buja i ka për lipjanasit.

“Kemi një program të qartë në të gjitha fushat dhe kompetencat komunale që e fillojmë me arsimin i cili do të jetë digjital e jo vetëm me tabela smart por edhe me ditarë digjital, kemi ngrohjet alternative për shkollat. Kemi ndërlidhjen e praktikës profesionale me pagesë, po ashtu kemi shëndetësinë e cila është e organizuar në mënyrë anarkike dhe të paorganizuar në Lipjan që do ta organizojmë shumë mirë, shumica e Qendrave të Mjekësisë Familjare nuk funksionojnë 24 orë dhe kemi një mbipopullim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Kemi zhvillimin ekonomik si prioritet i kapitullit të tretë, zonat industriale janë tri zona që i kam shpall në kohën që kam qenë kryetar t’i funksionalizojë ato tri zona. Pjesë e zhvillimit ekonomik do të jetë edhe zhvillimi bujqësor i cili nuk zhvillohet përmes serrave dhe motokultivatorëve, por përmes subvencionimit të projektet të cilat e zhvillojnë bujqësinë“, deklaron kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit.

Buja po synon që brenda mandatit qeverisës të zgjidh për banorët e Lipjanit çështjen e ujit të pijes për fshatrat dhe qytetin.

“Prioriteti i parë si kryetar i komunës që është çështja e ujit të pijshëm. Paramendoni viti 2025, 15 fshatra janë pa rrjet të ujësjellësit fare, qyteti i Lipjanit në katet e katërta e mbi nuk shkon uji. Në Janjevë e kemi tmerrësisht keq asnjëherë nuk është zgjedhur çështja e ujit të Janjevës në Sllovi e kemi njëjtë gjendje ka rrjet por nuk ka ujë. Në Gadime është investuar 5 milionë, por nuk ka ujë të pijes se gabimi është që nuk është ndërruar rrjeti që 12 vite në fshatin Gadime Epërme dhe të Ulët. Po ashtu, ujërat e zeza, nëse shkoni tek lumi Sitnica nuk mund të qëndroni ashtu sepse gjitha ujërat e zeza derdhen në lumin Sitnica dhe nuk ka arritur ky ekzekutiv të përkujdeset që të realizohet një projekt i filluar nga viti 2010 është përjashtuar Lipjani nga ky projekt është realizuar kontrata e realizimit të fabrikës së përpunimit të ujërave të zeza që në atë kohë ka qenë Lipjani, Shtimja, Prishtina, Podujeva, Obiliqi dhe Fushë-Kosova, tani është futur Graçanica dhe jo Lipjani, është nënshkruar kjo kontratë dhe ne jemi jashtë këtij projekti për shkak të neglizhencave dhe mos interesimit të këtij ekzekutivi”, deklaron Buja.

Duke premtuar ndërtimin e shkollave të reja sidomos në qytet, Buja shpreh bindjen se qeverisja e tij do të sjellë ndryshime substanciale në arsim.

Krahas procesit të digjitalizimit, ai paralajmëron edhe nisjen e një pilot-projekti për mësimin gjithë ditor, duke e konsideruar këtë një hap drejt modernizimit të sistemit arsimor.

“E ka politizuar edhe mësimdhënien dhe realisht kjo do të marr fund sepse fëmijët tanë po përgatiten aty, në rast se politizojmë arsimin si do të përgatiten fëmijët tanë në këtë drejtim kur janë jo profesionalë dhe i marrim për shkak të përcaktimeve politike...Kur komuna të tjera nuk e kanë pas as ëndërr një projekt të tillë, sa isha kryetar kemi ndërtuar 5 shkolla me infrastrukturë për të zhvilluar mësimin tërë ditor dhe ato shkolla janë të ndërtuara, ne do të zhvillojmë pilot projekt se si do të zhvillohet ky mësim në vitet e para për t’u zgjeruar pastaj edhe në shkollat tjera ky nuk është vetëm në aspektin e mësimdhënies dhe mësim nxënies është atraktiv”, theksoi ai.

Buja premton 1 mijë euro për fëmijën e pestë dhe 100 euro mbështetje mujore për familjet që kujdesen për të moshuarit me aftësi të kufizuara.

“Ka filluar të bie tepër shpejt nataliteti në Kosovë, në programin tonë e kemi fëmija i pestë të subvencionohet nga komuna e 1 mijë euro, kemi familjet që kanë njerëz apo pleq të palëvizshëm dhe ne do t’i subvencionojmë çdo familje nga 100 euro në muaj që të mund t’i dalin zot mbikëqyrjes së këtyre personave”, theksoi ai.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja premton edhe ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve në Lipjan.

Buja thotë se kthimi në udhëheqjen e kësaj komune, sipas tij, përveç që është nevojë, është edhe kërkesë e ish-krerëve të UCK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

Buja i cili ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konsideron se dëshmia e ish-ndihmësit të Sekretarit amerikan, James Rubin në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi në Hagë tregoi se UÇK nuk kishte strukturë të organizuar, por vullnetare, që synim kishte çlirimin e Kosovës.

“Unë kam pritur që James Rubin ta thotë të vërtetën për luftën, me gjithë luftën jemi munduar ta fitojmë simpatinë e faktorit ndërkombëtar e ne gjithmonë iu kemi folur ushtarëve që të jenë të kujdesshëm e të mos na cilësojnë si terroristë dhe me këtë angazhim kemi arritur ta përfitojnë faktorin ndërkombëtarë në mbështetjen tonë...[Rubin] E theksoi shumë qartë strukturën tonë e cila ka qenë vullnetare, ne kemi qenë ushtri vullnetare nuk kemi qenë ushtri e rregullt sepse nuk kemi pas mundësi as shtet për të organizuar një ushtri të rregullt, por kemi pas ushtrinë vullnetare e cila me vullnet të jashtëzakonshëm ka qenë për çlirimin e Kosovës”, theksoi ai.

Motoja e Partisë Demokratike të Kosovës për Lipjani është “Ma mirë për Lipjanin”.

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur më 13 shtator dhe përfundon më 12 tetor në ora 06:59 para hapjes së qendrave të votimit./ksp

Ferit Idrizi: Premtimet tona po realizohen

1 muaj më parë / 21 sht 2025 11:10
ferit idrizi

Kryetari i Komunës së  Vushtrrisë dhe kandidati edhe për një mandat tjetër nga radhët e PDK-së, në krye të kësaj komune, Ferit Idrizi, ka thënë se premtimet e tij po realizohen.

Në një video të publikuar në rrjete sociale ka deklaruar se  “Banesat e Bardha" dita-ditës po marrin pamje të re dhe krejtësisht moderne.

“Edhe këtë premtim po e bëjmë realitet për banorët tanë dhe investimet do t'i vazhdojmë edhe në lagje të tjera, për të bërë transformimin e madh. Projekti përfshin renovimin, izolimin, fasadimin dhe rikonstruimin e çative dhe të bodrumeve. Punë e shumë projekte për Vushtrrinë tonë”, ka shkruar ai.

Agjenda e partive politike në ditën e nëntë të fushatës

1 muaj më parë / 21 sht 2025 09:39
partite

Partitë politike po vazhdojnë fushatën për zgjedhjet lokale edhe sot në ditën e nëntë, duke mbajtur tubime dhe takime me qytetarë për të shpalosur plan programet për qeverisjen katër vjeçare në komuna.

Për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë 420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Më poshtë janë aktivitetet e partive politike që deri tash kanë njoftuar për agjendën e ditës së sotme.

Agjenda e Partisë Demokratike të Kosovës:

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, mban konferencë për media. Vendi: Selia Qendrore e PDK-së, Prishtinë, ora 13:00.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja mban takim me qytetarët e Gadimes së Epërme. Vendi: Shkolla “Zenel Hajdini”, ora 19:00.

Agjenda e Lidhjes Demokratike të Kosovës

17:00, Kaçanik (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj”)

18:00, Hani i Elezit (Platoja pranë Shtëpisë së Kulturës “Imri Curri”)

19:30, Prishtinë Dega III (Hapësira e oborrit të shkollës fillore “Ismail Qemali”)

Agjenda e aktiviteteve të Lëvizjes Vetëvendosje

Kryetari i LVV-së Albin Kurti merr pjesë në aktivitetet që mbahen në Han të Elezit, Kaçanik dhe Ferizaj.

13:00 - Tubim me banorë të Hanit të Elezit në Parkun ‘Isa Berisha.

15:00 - Takim me të rinjë në lokalin Lizz në Mitrovica Mall, Mitrovicë.

19:00 - Takim në fshatin Nekoc, Drenas.

18:00 - Takim me komunitetin artistik, kafiteria "N'dritare", Ferizaj.

19:00 - Shpalosja e programit, sheshi " Hyre Emini", Ferizaj.

16:00 - Vizite te ansambli "Gjilani", Gjilan.

16:15 – Vizitë në fermën e gjedhit “Vëllezërit Mema”, lagjja Memaj, fshati Dubravë, Kaçanik.

17:00 - Tubim në Strofc, Vushtrri.