Pas një gare të ngushtë në shumë komuna, harta politike e Kosovës është riformësuar në prag të balotazhit. Me më shumë se gjysmën e komunave që shkojnë në rund të dytë, njohësit presin që subjektet të tentojnë edhe bashkëpunimet për të arritur fitore në rundin e dytë. Sipas tyre, ky balotazh nuk shihet vetëm si betejë lokale, por edhe si test i ri nëse ai do të ketë ndikim edhe në negociatat për koalicionin e nivelit qendror
Pas rezultateve preliminare, partitë politike mund t’i bëjnë kalkulimet për raundin e dytë, ku në lojë janë 17 komuna. Në garën ku diferencat janë minimale, aleancat po shihen si përcaktuese në ndryshimin e rezultatit përfundimtar duke e bërë balotazhin jo vetëm betejë për pushtetin lokal, por edhe ndikimin që do ta kenë në nivelin qendror.
Lëvizje Vetëvendosje do të jetë në garë në balotazh për 12 komuna nga 20 që shkojnë në raund të dytë, në bazë të rezultateve preliminare. Partia më e madhe në nivelin qendror ka fituar pa balotazh në Kamenicë, Podujevë e Shtime sipas rezultateve të deritashme.
E ajo po udhëheq edhe në Gjilan dhe Fushë-Kosovë si e para. Ndërsa si e dyta do të jetë në Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti e Vushtrri.
Gara më e ngushtë do të jetë në Prishtinë e Mitrovicë, ku dallimi është rreth 700 përkatësisht, 28 vota. Në kryeqytet balotazhin do ta ketë me LDK-në që doli parti e parë, e në Mitrovicën e Jugut me PDK-në, po ashtu si parti e parë.
Për mundësinë e bashkëpunimeve në balotazh është pyetur të hënën kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, porse tha se paraprakisht do t’i bëjnë analizat.
“Fokusi i Lëvizjes Vetëvendosje gjithandej është qytetari i Republikës së Kosovës... Por natyrisht paraprakisht balotazhit edhe fushatave në balotazh neve na nevojitet që sot dhe nesër ta bëjmë një analizë gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme, edhe të rezultatit zgjedhor por edhe raportit të rezultat zgjedhor me fushatën që bëmë. Vetëm pas kësaj do t’i bëjmë përgatitjet për rrugën dhe planet përpara gjithnjë në bashkëpunim aq të ngushtë me kandidatët që i kemi në balotazh”, ka thënë Kurti.
Partia Demokratike ka fituar në tri komuna pa balotazh. Ajo ka siguruar fitoren në Skenderaj, Ferizaj e Han të Elezit. Ndërsa në balotazh shkon si parti e parë në Kaçanik, Mitrovicë, Prizren e Vushtrri. Si e dyta PDK-ja siguroi raundin e dyte në Dragash dhe Klinë. Në këtë parti nuk janë deklaruar për koalicionet e mundshme.
E kandidati i saj në Mitrovicë, Arian Tahiri, përmes një postimi ka falënderuar qytetarët tek tha se “së bashku, pa dallime, ecim bashkë drejt fitores tonë të plotë”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar Istogun dhe Lipjanin pa balotazh, ndërsa prin si parti e parë në rundin e parë edhe në Dragash, Obiliq, Prishtinë, Pejë, Viti e Junik. Si parti e dytë në balotazh, LDK-ja është në garë për Gjilanin, Fushë-Kosovën e Suharekën.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar pa balotazh në Deçan. Ajo udhëheqë në rund të parë edhe në Gjakovë, Klinë, Rahovec dhe Suharekë. Si e dyta, ajo do të garojë në Junik.
Lista Serbe ka siguruar fitore pa balotazh në nëntë komuna, ndërsa në raund të dytë do të përballet në Kllokot me Partinë Uniteti Kombëtar Serb.
Pa balotazh, sipas rezultateve preliminare, kanë mbyllur garën edhe Drenasi në të cilin udhëheq mbi 50 për qind Ramiz Lladrovci. Nisma ka fituar në Malishevë, ndërkaq Mamusha do të udhëhiqet nga KDTP-ja.
Juristi Mazllum Baraliu thotë se përvoja e deritashme tregon se koalicionet në balotazh janë të pashmangshme.
“Përvoja në mëson nga e kaluara që politika përdorë metoda e mënyra për të arritur qëllimin. Do të ketë dhe mund të ketë të tilla që janë të heshtura jo transparente dhe të fshehta dhe nuk ka diçka të keqe, por do të duhej të kishte transparencë, nuk duhet të trajtohen si armiq...Këto teket që i treguan në mos ofrimin e bashkëpunimeve kanë për strategji të përfitojnë në vota...Kombinacione me qëllim të hakmarrjes dhe përfitimit të dikujt”, ka thënë Baraliu në emisionin “60 minuta” në KTV.
Politologu Dritëro Arifi dhe hulumtuesja në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), Donika Emini, kanë thënë për Radion Evropa e lirë se gara e partive politike në rundin e dytë të votimit do t'i ndikojë negociatat për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
“Ose do të kemi një qeveri shumë të shpejtë, me një koalicion të madh shqiptar – LVV, PDK dhe LDK, ose do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka theksuar Arifi.
Sipas Eminit, partitë e ish-opozitës nuk do të bëjnë shumë lehtë një koalicion qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa janë në garë të ashpër me të në disa komuna për rundin e dytë, përfshirë kryeqytetin.