Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ndërroi pa njoftim paraprak qytetarëve qendrat e votimit. Shumë prej tyre u kthyen mbrapa të zhgënjyer, ndërsa të tjerë u detyruan të shkojnë në qendra të reja. KQZ-ja ka kontraktuar kompaninë “Red Mill” për informim dhe edukim të votuesve nëpërmjet mediave, por e cila edhe e ka nisur informimin tek pas hapjes së fushatës elektorale e edhe ka transmetuar në televizione shumë më pak sekonda sesa parasheh kontrata
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, shumë qytetarë nuk arritën të votojnë në qendrat e tyre të zakonshme, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ndërroi pa njoftim paraprak. Shumë prej tyre u kthyen mbrapa të zhgënjyer, ndërsa të tjerë u detyruan të shkojnë në qendra të reja.
“Unë prej shtratit, smut jam ardhë me votu. Nuk është në rregull, pa paralajmërim pa kurrgjë (e kanë ndërruar qendrën e votimit v.j.). Domethënë emri jonë është zhdukë prej listave këtu, është shku në një shkollë tjetër, pa e ditë na hiç”, është ankuar një qytetar.
“Kjo nuk është në rregull dhe duhet të bartë pasoja ai që vendos, pa e njoftuar qytetarët”, ka thënë një tjetër.
Ditën e votimit, problemi u konfirmua edhe nga menaxherë qendrash.
“Problematikë apo si shqetësim i votuesve ka qenë fakti se disa votuesve iu është ndërruar qendra e votimit pa njoftim paraprak”, ka thënë Visar Osmani, menaxher i një Qendre Votimi në Prishtinë.
KQZ-ja ka kontraktuar kompaninë “Red Mill” për informim dhe edukim të votuesve nëpërmjet mediave, por e cila edhe e ka nisur informimin tek pas hapjes së fushatës elektorale e edhe ka transmetuar në televizione shumë më pak sekonda sesa parasheh kontrata.
Bazuar në kontratën me KQZ-në, “Red Mill” obligohet që në dy televizionet nacionale, KTV dhe RTV21, të transmetojë nga 21 mijë sekonda spote edukuese dhe informuese për zgjedhjet.
Por, sipas një raporti jozyrtar, në RTV21 deri më 8 tetor janë transmetuar rreth 12 mijë e 500 sekonda. Ky televizion nuk ofroi të dhënat për transmetimet e këtilla.
Ndërkaq, as 15 për qind e kontratës nuk është përmbushur për transmetimin e videospoteve në KTV.
Prej nëntë ditësh, “Red Mill” nuk u është përgjigjur pyetjeve të redaksisë lidhur me përmbushjen e kontratës.
Përgjigje nuk ka kthyer as KQZ-ja.
E Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, pranon gjatë një interviste në emisionin “60 Minuta” se institucioni nuk ka ende qartësi për zbatimin e kontratës.
“Ne e kemi një komision ad hoc dhe mbetet më pastaj të shohim nëse janë kryer punët në bazë të specifikave... Jemi në proces zgjedhor dhe deri në balotazh nuk është çështje e mbyllur, vetëm duhet të monitorojmë se si po shkojnë rrjedhat”, ka thënë Gashi.
KQZ-ja pati anuluar tenderin e rregullt për fushatën e informimit dhe edukimit të votuesve nëpërmjet mediave, me arsyetimin se të gjitha ofertat paraprake ishin “të papërgjegjshme”. Më pas, ajo e kontraktoi për 104 mijë euro kompaninë “Red Mill”, përmes procedurës së negociuar.
Krahas dy televizioneve me frekuencë nacionale, në kontratë parashihet që spotet të transmetohen edhe në radio dhe televizione të tjera me shikueshmëri të lartë, përfshirë një medium lokal në gjuhën serbe. As për këto KQZ-ja nuk ka ofruar dëshmi, në lidhje me shkallën e zbatimit të kontratës.