Qytetarë të 38 komunave sot do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 948 qendrat e votimit në gjithë Kosovën janë hapur me kohë, në orën 7:00. Qytetarët të drejtën e votimit do të mund ta shfrytëzojnë deri në orën 19:00. Të gjitha zhvillimet rreth procesit zgjedhor do të mund t’i lexoni në këtë tekst.
Ambasadori britanik vëzhgon nga afër zgjedhjet në veri
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves bëri të ditur se ka vizituar disa qendra të votimit në veri të Mitrovicës dhe Zveçan - komuna këto të banuara me shumicë serbe.
“Është shumë bukur të shoh njerëz që dalin dhe marrin pjesë në këto zgjedhje lokale shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha ambasadori britanik përmes një video të publikuar në Facebook.
Ai njoftoi se do të vizitojë edhe pjesë të tjera të Kosovës sot kur po votohet për zgjedhjet lokale në 38 komuna.
“Ambasada Britanike ka ekipe në të gjithë vendin dhe jam shumë i kënaqur të shoh se si po zhvillohet kjo në të gjithë vendin dhe shpresoj të shoh shumë njerëz duke votuar dhe duke marrë pjesë”, tha ai.
Ambasadori i BE-së viziton qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav ka vizituar qendra të votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut.
Përmes një postimi në rrjetin social "X" Bashkimi Evropian në Kosovë ka njoftuar se Orav iu bashkua kolegëve të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën.
"Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, iu bashkua #Diplomaticwatch për Zgjedhjet Lokale të sotme së bashku me kolegët e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën", thuhet në njoftim.
Orav tha se këto vizita i ofruan pasqyrë të vlefshme të procesit.
"Vizitat në qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovica Veriore ofruan një pasqyrë të vlefshme të procesit", tha ai.
KQZ: Deri në orën 13:00 votuan 16.53 për qind e votuesve
Deri në orën 13:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 16.53 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve, deri në orën 13:00 kanë votuar 334 mijë 677 qytetarë.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 95,14 për qind të vendvotimeve.
Një person shoqërohet nga Policia në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime
Një person është shoqëruar nga Policia gjatë pasdites në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime.
Ekipi i KOHËS në terren ka siguruar pamjet e momentit të shoqërimit të këtij personi nga zyrtarët policorë.
Arsyet e shoqërimit nuk janë bërë të ditura.
KOHA ka kontaktuar Policinë, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.
VIDEO:
Policia po trajton tri raste për fotografim të votës, s’ka të arrestuar
Tri raste për fotografim të votës janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës.
Rastet janë raportuar në Prishtinë, Podujevë dhe Drenas.
Sipas zëdhënëses së Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, nuk ka të arrestuar.
“Deri tani në rajonin e Prishtinës kemi pranuar tri informata (Një në Podujevë, një në Drenas dhe një në Prishtinë), ku dyshohet se janë fotografuar fletëvotimet. Informacionet po trajtohen në koordinim me prokurorinë”, ka shkruar ajo.
Basha: Vota është mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë
Kryeparlamentari Dimal Basha ka votuar në zgjedhjet lokale të dielën.
Basha ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, teksa ka shtuar se "vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtëpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme".
"Le të jetë kjo ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie. Kështu dëshmojmë edhe një herë pjekurinë tonë demokratike dhe dashurinë e sinqertë për vendin që duam", shkroi Basha në Facebook.
Berisha voton, fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar
Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka votuar për zgjedhjet lokale në shkollën “Meto Bajraktari” në kryeqytet.
Berisha ka bërë thirrje për një fillim të mbarë.
“Qytetarë të nderuar të Prishtinës, ju ftoj që të dalim të shfrytëzojmë të drejtën që të votojmë… Ju uroj shëndet dhe suksese të gjithë juve”, tha Berisha./KP
Kurteshi: Serbët e veriut qëllimisht kanë shkuar të organizuar për votim për të shkaktuar probleme
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se Lista Serbe ka mbajtur tubim masiv në raport me numrin e popullsisë që është në veri.
Ai ka thënë se në mënyrë të organizuar serbët e veriut të Mitrovicës kanë shkuar në vendvotim. Sipas tij “qëllimisht janë bllokuar korridoret dhe qendrat e votimit për të shkaktuar probleme, incidente”.
Ai në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka kritikuar raportimet e mediave serbe lidhur me zgjedhjet lokale në Kosovë duke deklaruar se “e kanë thyer kodin e mirësjelljes me gjuhën e urrejtjes”.
Voton Shahini, bën thirrje që më shumë gra ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë
Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka votuar në shkollën fillore "Iliria".
Shahini ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e procesit të votimit, sidomos gratë.
"Sapo votova në shkollën fillore Iliria, ftoj të gjithë qytetarët të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, sidomos gratë. Kemi fol shumë që në zgjedhjet lokale votojnë më pak sesa burrat, i ftoj të gjitha që sot ta përmbysim këtë statistikë edhe të jemi në numër sa më të madh duke marrë pjesë në zgjedhje...", tha Shahini.
Numri i përgjithshëm i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës në Prishtinë është mbi 224 mijë. Janë 54 qendra të votimit të rregullta, me 268 vendvotime dhe një qendër votimi me kusht.
KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 7.84 për qind të votuesve
(Tekst i përditësuar) - Deri në orën 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 7.84 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve, deri në orën 11:00 kanë votuar 158 mijë 691 qytetarë.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 94,00 për qind të vendvotimeve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media, ka thënë se dalja deri në këtë kohë, ka qenë më e ulët sesa në zgjedhjet e kaluara lokale që janë mbajtur në vitin 2021.
Atëherë, sipas tij, deri në orën 11:00 patën votuar 8,2 për qind.
E, prokurorja koordinatore për zgjedhjet, Laura Pula, tha për Kohën se asnjë incident i natyrës penale nuk është shënuar deri në orën 12.
Limaj: Qytetarët sot kanë shansin të vlerësojnë punën e kandidatëve
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarët sot kanë shansin që t’i japin mundësi përmirësimit të jetës në komunën e tyre, duke dalë për të votuar.
Pasi ka votuar edhe vetë, Limaj ka thënë se pret që nga këto zgjedhje lokale të fitojnë kandidatët që vlerësohen për punën e tyre.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë një shans të jashtëzakonshëm për të vlerësuar punën, angazhimin e atyre që kanë qenë, dhe për t’i dhënë mundësi vetes së tyre për të përmirësuar jetën. Gjithmonë komunat, qytetarët, do t’ vlerësojnë punën e secilit kryetar veç e veç dhe mbi bazën e punës shpresoj të votojnë. Dua sonte që kur kandidatë fitues të shpallin fitoret, shpresoj që në atë fitore kanë fituar edh qytetarët e jo vetëm ata vetë. Ka raste shumë në Kosovë që sonte ka shanse që kandidatët të fitojnë bashkë me qytetarët. Presim këso rezultatesh”, u shpreh ai.
Rama uron që të fitojë kryeqyteti
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka votuar.
Në një deklarim për media pasi që ka votuar ka thënë se uron që në këto zgjedhje të fitojë kryeqyteti.
“Uroj që sot të fitojë kryeqyteti, të fitojë zhvillimi i vendit tonë, të fitojë një bashkëpunim i mirësjellë nga të gjithë, një unifikim, një zgjidhje e përbashkët për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka theksuar Rama.
Voton Abdixhiku: Zgjedhjet në Kosovë janë festë e madhe e demokracisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij.
Ai në një prononcim për media ka thënë se zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë qenë dhe janë festë e madhe e demokracisë.
“Janë ditë ku vendimmarrja kthehet të qytetarët për katër vjetet e ardhshme. Le të urojmë që Kosova do të jetë sërish shembull i organizimit të zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Osmani: Ndërkombëtarët të marrin masa për ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë, kur ajo është pyetur për organizimin e serbëve në veri nga Lista Serbe që t’iu drejtohen kutive të votimit.
Osmani ka shtuar se institucionet ndërkombëtare duket të reagojnë për shkelje flagrante të tilla nga Serbia.
“Siç e dini vazhdimisht Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në procese zgjedhore në Kosovë, ne natyrshëm që me institucionet e sigurisë do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe atyre në veri t’iu garantohet e drejta e lirisë në votë. Megjithatë shpresoj që pas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën të kemi edhe më shumë institucione ndërkombëtare që do të reagojnë e të marrin masa për këto shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë, që përfshinë edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në zgjedhjet e një shteti tjetër, e në këtë rast të Kosovës, duke përfshirë metoda të ndryshme, edhe kriminale për këto ndërhyrje”, deklaroi Osmani.
“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë... Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre”, ka thënë ajo.
Krasniqi voton: Të gjithë qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka votuar.
Ai dhe bashkëshortja e tij, e kanë ushtruar të drejtën e votës në shkollën “Hasan Prishtina”.
Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë masivisht.
“Katër vite janë shumë dhe verdikti i tyre duhet të jetë ai i cili vendos për të ardhmen e tyre, për një jetë më të mirë për ta. Besoj që sot do të jetë një ditë feste për qytetarët ane e mbanë”, ka thënë ai.
Voton Uran Ismaili
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka votuar.
Ai ka ushtruar të drejtën e votës bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij.
“Sot është një ditë e mirë për Prishtinën në të cilën vendosim të gjithë për të ardhmen e saj për katër vitet e radhës...Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të gjithë pa dallim të votojnë, ta shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe që e kemi, për t’i dhënë Prishtinës atë që e meriton si një kryeqytet që ka nevojë të jetë simbol për të gjithë ne”, tha ai.
Voton Kurti: Ftoj qytetarët të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës.
Kurti ka thënë se sot është një ditë shumë e rëndësishme.
“Votojmë për të vendosur për katër vjetet e ardhshme në komunat tona. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës jemi dhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, ka thënë ai.
Kurti ka votuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Rreth 100 prokurorë nëpër Kosovë, Prokuroria: Denonconi keqpërdorimet
Rreth 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës po qëndrojnë kujdestarë në të gjithë Kosovëm për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Në njoftimin nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale”, thuhet në njoftim.
Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.
Prokuroria u ka bërë thirrje qytetarëve, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
Voton Hajrulla Çeku
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka votuar.
Të drejtën e votës e ka ushtruar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.
“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste…”, tha Çeku pas votimit.
Lista Serbe mbledh qytetarët për të votuar në mënyrë të organizuar, Burjani: E paligjshme
Serbët në veri të Kosovës në grup të organizuar janë drejtuar drejt kutive të votimit.
Ata janë mbledhur fillimisht para zyrës së Listës Serbe e më pas nën drejtimin e Zlatan Elekut dhe Igor Simiqit kanë vazhduar për në qendër të votimit.
Analisti Blerim Burjani ka thënë se ky lloj organizimi është joligjor dhe kundër demokracisë. Ai në KTV ka theksuar se nuk mund të ndodhë një organizim i tillë i qytetarëve e se ata “duhet të votojnë pa u nënshtruar”.
“Në veri nuk ka demokraci elektorale”, ka thënë Burjani.
Voton Haradinaj: Sot është dita për t'i marrë vendimet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në komunën e Deçanit.
Haradinaj ftoi qytetarët të votojnë për të marrë vendimin e tyre për qeverisjet komunale për vitet në vijim.
"Unë e kam kryer obligimin tim qytetar, e shfrytëzova të drejtën time për të votuar. I ftoj qytetarët të votojnë të gjithë. Parlamentet Komunale, kryetarët e komunave kanë shumë rëndësi për standardin e jetës, për të gjitha çështjet, sot është dita për t'i marrë vendimet, pra votoni vendosni", tha Ramush Haradinaj.
Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.
Votimi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në këtë komunë organizohet në 14 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime të rregullta dhe 1 vendvotim me kusht.
KQZ: Votimi ka nisur me kohë
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali në të gjitha qendrat e votimit.
Ai ka thënë se procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka nisur me kohë në të gjitha qendrat, përjashtimisht në ndonjërën që ka pasur sipas tij ndonjë vonesë të vogël.
Sipas tij, sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra.
Elezi ka thënë se përveç organizimit të votimit në vendet e rregulla, është organizuar edhe votimi përmes ekipeve mobile.
“KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sot “pas numërimit të fletëvotimeve, pas përfundimit të procesit të votimit do të arrijnë të prezantojnë rezultatet preliminare”.
“Është punuar shumë që të mos kemi vonesa”, ka thënë ai.
Radoniqi pret numërim më të rregullt të votave
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur votën në Qendrën e Votimit në Pejë.
Radoniqi pas votimit tha se KQZ është siguruar që nuk do të ketë probleme sikur që kishte ndodhur mbrëmjen e 9 shkurtit.
“Kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyr në fuqi në 2023. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën për të cilën presim të dalim me rezultatet preliminare, Gjithashtu edhe qendrat komunale të numërimit të gjitha janë të pajisura me të gjitha pajisjet me numërim. Presim që në mëngjesin e së nesërmes të nis numërimi për asamblistë”, tha Radoniqi.
Në një shkollë në Prizren mungon zyrtari ndihmës: Qytetarët s'po i gjejnë emrat
Qytetarë nga qytete të ndryshme qysh në minutat e para të hapjes së qendrave të votimit u janë drejtuar kutive ku do të hedhin votën e tyre për të zgjedhur kryetarin e komunës.
Ekipet e KOHËS nga disa komuna të vendit kanë raportuar se në qendrat gjithandej Kosovës ka numër të konsiderueshëm të qytetarëve që po ushtrojnë të drejtën e tyre.
Drejtoresha e një shkolle në Prizren ka thënë se të gjitha klasat e kanë filluar me kohë procesin e votimit.
Ajo ka thënë se ka mungesë të përfaqësuesve në tavolinën e ndihmës. Sipas saj, ata janë zgjedhur me konkurs nga KQZ-ja, duke shtuar se për këtë kanë problem sepse disa qytetarë nuk po i gjejnë emrat e tyre.
“Shpresojmë që shpejt do ta kemi një zyrtar”, ka thënë ajo.
Si të votohet?
Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme. Secili kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50% plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë, zgjidhet kryetar i komunës. Edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për Kuvendet Komunale ka mbetur e njëjtë, si në zgjedhjet e kaluara lokale. Pra, në anën e majtë të fletëvotimit votohet vetëm një subjekt politik dhe në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat nga lista e kandidatëve të atij subjekti politik. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, vota për subjektin e politik konsiderohet si votë për kandidatin e parë apo bartësin e listës të atij subjekti politik.
Votuesi ka të drejtë të votojë në mënyrë të pavarur për secilën garë. Kjo do të thotë që një votues mund të votojë një kandidat për Kryetar Komune nga një subjekt politik dhe një subjekt tjetër politik në zgjedhjet për Kuvend Komune. Zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunale janë procese të ndara dhe kanë fletëvotime të veçanta. Pra, votuesi nuk është i detyruar të votojë për të njëjtin subjekt në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe në zgjedhjet për Kuvend Komunale.
Zgjedhjet lokale kanë një kosto tjetër nga ato parlamentare, në zgjedhje lokale parashihet mbajtja e raundit të dytë nëse kandidatët nuk arrijnë të marrin votat e mjaftueshme, sa do të jetë numri i komunave që do jetë i domosdoshëm raundi i dytë nuk mund ta dimë ende në këtë fazë, por kosto në zgjedhje lokale është më e lartë, në këtë proces zgjedhor KQZ është kujdesur që votuesit jashtë vendit të ua dërgoj përmes postës pakon e votimeve në adresat ku janë të regjistruar votuesit dhe ajo kosto përfshihet në KQZ.
Hapen vendvotimet
Nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet në qendrat zgjedhore në komunat e Kosovës.
Sipas Komisionit Zgjedhor janë 948 qendra të votimit, anë e mbanë vendit.
Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.
Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.
Kosova voton për udhëheqësit e komunave
Qytetarë të 38 komunave të dielën do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale. E për këtë synim, 948 qendra votimi në gjithë Kosovën do t’i hapin dyert në orën 7 të mëngjesit e do t’i mbyllin, në orën 19.
Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.
“Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në qendra të votimit”, ka thënë Elezi.
Për përgatitjet e bëra, kanë diskutuar të shtunën edhe anëtarë të KQZ-së.
Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi që të kihet kujdes me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që administrohet nga ekipet mobile.
“Në zgjedhjet e fundit kemi pasë votime edhe përtej orarit të paraparë... Kërkoj që të jeni në kontakt me zyrtarët komunalë që ata t’i krijojnë me kohë ekipet mobile, ekipet që do të merren me këtë proces votimi në mënyrë që të mbyllen në kohën e paraparë”, ka thënë ai.
Rezultati me kohë
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja dështoi që t’i publikojë në kohë rezultatet preliminare.
E sqarime lidhur me përgatitjet e bëra për ta shmangur përsëritjen e kësaj situate edhe më 12 tetor ka kërkuar anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi.
“A keni ndonjë shenjë, ndonjë element që ju bën me dyshu ose që mundet me paraqitë probleme nesër për nxjerrjen e rezultateve preliminare qysh na ka ngja në shkurt 2025? Sa është garancia e madhe?”, e ka pyetur ai ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KQZ-së, Besnik Buzhala.
“Shpresojmë që mos me ndodhë ajo që ka ndodhë më 9 shkurt, por angazhimi i stafit në këta 3 muajt e fundit ka qenë jashtëzakonisht i madh, i stafit profesional që është marrë me zhvillimin e rezultateve për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër”, është përgjigjur Buzhala.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit.
Zëdhënësi Elezi ka bërë të ditur se KQZ-ja ka bërë përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Ndërkaq, gjatë zhvillimit të procesit të votimit, në orare të caktuara është planifikuar të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, qendër votimi dhe vendvotim.
Apeli i Radoniqit
Një ditë para zgjedhjeve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Radoniqi.
Ai ka apeluar për përgjegjësi dhe profesionalizëm nga të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve.
“Ju bëjmë thirrje që të veproni me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, ka thënë ai.
Në mesazhin e tij, kryetari i KQZ-së nënvizoi se institucioni që e udhëheq po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, për të garantuar një proces të qetë, të drejtë dhe të sigurt në të gjitha komunat e vendit.
Kamera gjithkund
Përveç KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet të angazhohen edhe institucionet e ndryshme, siç janë Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë për ruajtje të integritetit zgjedhor, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim. Ai ka thënë se kjo është bërë në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Vendosja e kamerave regjistruese bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë Elezi.
E, Policia ka bërë të ditur se ka bërë përgatitjet dhe planifikimet lidhur me zgjedhjet e së dielës.
Sipas Policisë, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, do të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, të përfshirë në njësite të ndryshme.
Policia ka marrë masa shtesë duke caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara, si dhe duke hartuar udhëzues për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë procesit zgjedhor.
“Qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale, depove zgjedhore dhe materialit sensitiv”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky institucion gjithashtu ka apeluar te drejtuesit e subjekteve zgjedhore dhe qytetarët që për çdo informacion të dyshuar lidhur me sigurinë e procesit të njoftojnë institucionet kompetente përmes linjës 192, emailit [email protected] ose në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore menjëherë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, janë gjithsej 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet lokale, prej të cilëve 43 mijë e 933 janë të regjistruar nga diaspora.