Kandidati i PDK-së për kryetar të Malishevës, Gëzim Krasniqi, ka thënë se kjo komunë vuan si asnjë tjetër në Kosovë për ujë të pijshëm.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - Debati për Malishevën”, teksa ka premtuar zgjidhje nëse fiton besimin e qytetarëve, ka kritikuar qeverisjen aktuale edhe për një sërë problemesh të krijuara sipas tij.
“Prioriteti i parë, është uji dhe kanalizimi. Malisheva vuan për ujë si asnjë komunë tjetër në Kosovë. Kanalizimet ecën qytetit e fshatrave si në asnjë komunë në Kosovë. Ky është një fakt që të gjithë qytetarët e Malishevës e dinë. Në vitin 2025 dhe kanalizimet ecin rrugës”, ka thënë ai.
Ka premtuar investime edhe në fushën e arsimit e shëndetësisë, të cilat sipas tij, po ashtu kan shfrytëzuar nga qeverisja aktuale për përfitimem politike.
“Pastaj kemi planifikuar me ngrit cilësinë e arsimit, pasi ai në Malishevë është jashtëzakonisht i politizuar. Mbi gjysma e shkollave janë me ushtrues detyre me militantë partiakë, të cilët shantazhohen e mbahen në presion për vota e për presion ndaj fëmijëve me i nxjerr në fushatë. Pastaj mirëmbajtja e shkollave është lënë pas dore. Shkollat shihen vetëm si objekt tenderimi dhe zyrë punësimi për militantë dhe jo burim i dijes. Shëndetësia po ashtu shfrytëzohet si strehë e punësimit me projekte të dyshimta të militantëve partiakë. Derdhën miliona në këtë fushë dhe ne nuk i shfrytëzojmë mundësitë që Ministria e Shëndetësisë na jep”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka premtuar zgjidhje edhe për urbanizimin që sipas tij është në kaos dhe për ndarje me merite të subvencioneve për bujqit.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
