Bytyçi premton administratë komunale të pakorruptuar në Malishevë

1 o. më parë / 6 tet 2025 20:40
Selajdin Bytyçi

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Malishevës Selajdin Bytyçi, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, ka thënë se prioritet kryesor e ka krijimin e një administrate të mirëfillt dhe jo të korruptuar brenda komunës.

Ai gjithashtu tha se do t’ia tërheqë vërejtjen çdo drejtori i cili nuk e respekton orarin e punës në mënyrë që sipas tij, të punohet me përgjegjësi ligjore.

“Do të mundohem për një ekonomi më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme. Prioritet i imi kryesor për Malishevën është përmirësimi i të gjitha projekteve në radhë të parë të cilat i ka kryer deri më tash pushteti aktual. Duke u nisur nga administrata brenda në komunë, që të jetë e mirëfilltë dhe jo e korruptuar, duke e trajtuar çdo drejtor të çdo drejtorie, duke ia tërhequr vërejtjen që të jenë sa më profesional, të respektohet orari i punës dhe të punojnë secili me përgjegjësi ligjore, e jo në atë formë si ka punuar deri tash pushteti aktual”, ka thënë Bytyçi.

Kandidati Bytyçi ka premtuar se do të punojë edhe në siç tha – de-politizimin e arsimit shërbime shëndetësore më të cilësore.

“Duke u nisur nga arsimi, arsimin do të mundohem që të jetë sa më cilësor dhe të jetë i de-politizuar. Duke u nisur prapë nga shëndetësia, do të mundohem që shëndetësia të jetë në një nivel më të lartë, më të mirë, si në kuadro, si me pajisje, si me pastërti brenda objektit dhe do të mundohem për një ekonomi më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme. Do t’i përkrahi bizneset si të mëdha ashtu edhe të vogla. Do t’i përkrahi dhe do të jem në kontakt të afërt me biznese të Komunës së Malishevës, nëse është nevoja edhe çdo ditë do të kontaktoj me biznese që bizneset e Malishevës të ngriten dhe të kenë një afarizëm më pozitiv dhe më kualitativ. Do të mundohem që të bëjë edhe për rininë, fusha sportive, qendra atraktive”, është shprehur Bytyçi.

Hoti i AAK-së shpalos programin e tij për komunën e Malishevës

1 o. më parë / 6 tet 2025 20:36
Enver Hoti

E Enver Hoti, kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës, ka thënë se problemi i parë që kërkon zgjidhje është demokratizimi i komunës.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Malishevën”, ka numëruar një sërë projektesh që synon të realizojë në rast se fiton besimin e qytetarëve.

“Gjithçka fillon nga planifikimi buxhetit dhe realizimi i buxhetit dhe i punëve. Prandaj jam ai që kërkoj përgjegjësi dhe do të jap llogari. Buxhetin do ta hartojë mbi prioritetin e qytetarëve, do ta realizojë me një realizim të jashtëzakonshëm të kontrollit, pra të inspektimit të punëve, jo të bëhen punët nga disa herë”, ka thënë ai.

Edhe ai ka folur për mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike në Malishevë, si dy prej problemeve më të mëdha.

“Objektivat tjera - realizimi i ujit të pijes për qytetarët. Malisheva vuan jashtëzakonisht një kohë të territ, pa energji elektrike. Depolitizimi i arsimit do të ndodhë absolutisht, Do të krijohet një rend dhe një ligj në kuptimin e realizimit të projekteve në fushën e urbanizimit, duke filluar nga hartimi i hartave zonale. Ruajtja e hapësirave publike, sepse ato janë duke u sakatuar e zvogëluar. Një prioritet që e kam bazë është Kijeva me fshatrat përreth. Është një qendër e lënë pas dore e cila është në një harresë thuajse, dhe nuk e meriton t’i ndodhë ajo që po i ndodhë”, ka premtuar Hoti.

Ka premtuar përkujdesje edhe për rininë, kulturën, sportin e kategoritë e dala nga lufta.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Hoti i VV-së: Malisheva po qeveriset nga një subjekt që s’i trajton qytetarët barabartë

1 o. më parë / 6 tet 2025 20:33
Valon Hoti VV

Valon Hoti, kandidat i LVV-së për kryetar të Malishevës, ka vlerësuar se subjekti që qeverisë tash e shumë vjet me komunën – Nisma, nuk po i trajton barabartë qytetarët.

Hoti në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Malishevën”, ka thënë se komuna ka humbur shmë duke u qeverisur nga një subjekt, sipas tij, i vogël.

“Problemi më i madh i Malishevës, përveç nevojave bazike është se qeveriset nga një subjekt i cili nuk e trajton komunën dhe qytetarët barabartë. Malisheva ka nevojë për qeverisje transparente, pa dallime në punësim, në financim të projekteve dhe pa dallim në ofrim të shërbimeve publike. Malisheva ka humbur shumë duke u qeverisur nga një subjekt i vogël dhe pa fuqi në këto 12 vite. Subjektin e tyre e kanë mbajtur gjallë në kurriz të buxhetit komunal të arsimit e shëndetësisë. Kanë qenë edhe të paaftë në menaxhim, por edhe njihen si keqpërdorues në investime”, ka thënë Hoti. 

Si problem që shqetëson qytetarët, ai ka veçuar mungesën e ujit të pijshëm dhe të energjisë elektrike.

“Malisheva vuan nga mungesa e ujit të pijes, mungesa e energjisë elektrike dhe mjedisi është i ndotur skajshmërisht. Ka mungesë të impianatëve për trajtimin e ujërave të zeza dhe kolektorëve të ujërave të zeza. Do të investojmë për sigurimin e ujit të pijes për secilën familje në Malishevë, në ndërtimin e nënstacionit energjetik në bashkëpunim me KOSTT-in dhe Qeverinë, ku do të kryhet brenda 30 muajve, meqenëse është në fazë të tenderimit nga KOSTT-i. Malisheva ka nevojë për urbanizim të plotë, jo vetëm të qytetit, por edhe fshatrave”, ka deklaruar ai. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Krasniqi i PDK-së: Malisheva vuan për ujë si asnjë komunë tjetër në Kosovë

1 o. më parë / 6 tet 2025 20:31
Gëzim Krasniqi

Kandidati i PDK-së për kryetar të Malishevës, Gëzim Krasniqi, ka thënë se kjo komunë vuan si asnjë tjetër në Kosovë për ujë të pijshëm.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - Debati për Malishevën”, teksa ka premtuar zgjidhje nëse fiton besimin e qytetarëve, ka kritikuar qeverisjen aktuale edhe për një sërë problemesh të krijuara sipas tij.

“Prioriteti i parë, është uji dhe kanalizimi. Malisheva vuan për ujë si asnjë komunë tjetër në Kosovë. Kanalizimet ecën qytetit e fshatrave si në asnjë komunë në Kosovë. Ky është një fakt që të gjithë qytetarët e Malishevës e dinë. Në vitin 2025 dhe kanalizimet ecin rrugës”, ka thënë ai.

Ka premtuar investime edhe në fushën e arsimit e shëndetësisë, të cilat sipas tij, po ashtu kan shfrytëzuar nga qeverisja aktuale për përfitimem politike.

“Pastaj kemi planifikuar me ngrit cilësinë e arsimit, pasi ai në Malishevë është jashtëzakonisht i politizuar. Mbi gjysma e shkollave janë me ushtrues detyre me militantë partiakë, të cilët shantazhohen e mbahen në presion për vota e për presion ndaj fëmijëve me i nxjerr në fushatë. Pastaj mirëmbajtja e shkollave është lënë pas dore. Shkollat shihen vetëm si objekt tenderimi dhe zyrë punësimi për militantë dhe jo burim i dijes. Shëndetësia po ashtu shfrytëzohet si strehë e punësimit me projekte të dyshimta të militantëve partiakë. Derdhën miliona në këtë fushë dhe ne nuk i shfrytëzojmë mundësitë që Ministria e Shëndetësisë na jep”, ka thënë Krasniqi. 

Ai ka premtuar zgjidhje edhe për urbanizimin që sipas tij është në kaos dhe për ndarje me merite të subvencioneve për bujqit.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.