Zgjedhjet lokale

VV-ja thotë se fletëvotime me gabime ka pasur në të gjitha komunat në balotazh, PDK-ja s'pajtohet

Balotazhi - 9 nentor

Foto: Driton Paçarada

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, ka thënë se gabimet në fletëvotime nuk janë vetëm në Mitrovicë e Gjakovë, por edhe në komuna të tjera. 

Ai ka kërkuar që të bëhen publike këto raste, që sipas tij janë evidente edhe në komuna tjera. 

“Jo vetëm në Gjakovë dhe Mitrovicë por edhe në komunat e tjera. Kemi fletëvotime që janë shtypur me gabime edhe me të gjitha komunat ku ka pasur balotazh. Dhe kjo është mirë që të bëhet sa më parë publike. Jemi te një gjendje të një ankese që është bërë. Këto gabime teknike të shtypjes të dihet të jetë transparent që të mos jetë asnjë keqkuptim. Trendi mund të jetë më i madh në komunat e tjera qysh ishte në Gjakovë krahasuar me Mitrovicë. 174 fletëvotime të shtypura (Gjakovë) kundrejt Mitrovicës që është 116 nëse nuk gaboj”, ka thënë Krasniqi në mbledhjen e KQZ-së. 

Por, Ilir Gashi nga PDK, ka thënë se për komuna të tjera nuk ka pasur asnjë raportim për fletëvotime me gabime. 

“Është mirë me tregu nëse keni një kërkesë prej Prokurorisë për me bo një analizë të tillë, ose nëse PZAP e ka kërkuar pas ankesës. Për këtë çështje janë dy organet që duhet me kriju organe (prokuroria dhe PZAP) për me hetu sepse është shumë e ndjeshme. Nuk do të duhej me ardhë në mbledhje me gjysmë lajme, me gjysmë raporte . Në asnjë komunë s’ka pasur asnjë raportim...i vetmi raportim është prej Mitrovicës”. 

KQZ-ja themelon komision për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë dhe Gjakovë

1 o. më parë / 12 nën 2025 17:52
kqz

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar rekomandimin për themelimin e Komisionit për vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në vendvotime për zgjedhjet e rundit të dytë për kryetar komune.

Besnik Buzhala, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se në raportet e pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve në Mitrovicë dhe Gjakovë janë evidentuar gabime në kodet e vendvotimeve në fletëvotime, të cilat kanë ndodhur gjatë procesit të shtypjes. 

“Në raportet e pranuara nga komisionet komunale në zgjedhjet në Komunën e Mitrovicës dhe Gjakovë, ku janë evidentuar problematika e kodeve të vendvotimeve në fletëvotime dhe dërgimit të tyre tek kompania për shtypjen e fletëvotimeve, e njëjta ka konstatuar që ka pasur gabime në shtypjen e kodeve në fletëvotime. Rekomandojnë formimin e komisionit i cili do të bëjë vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. Me qëllim që të realizohet një vlerësim i detajuar lidhur me fletëvotimet e përdorura dhe numrin e përgjithshëm të fletëvotimeve në komunat Mitrovicë dhe Gjakovë, është e nevojshme vendimmarrja e formimit të komisionit”, ka thënë Buzhala.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve njoftoi se është pranuar një raport nga kompania “Cetis”, ku janë konstatuar disa raste të fletëvotimeve me kode të gabuara, dhe se raporti do të shërbejë për hetimet e Prokurorisë dhe për përgjigjen ndaj PZAP-së.

"Para një ore kemi pranuar edhe një raport nga kompania Cetis, i cili është raport i detajuar për të gjitha komunat për fletëvotimet që i kanë printuar, dhe në atë raport saktësohen të gjitha dënget e fletëvotimeve të printuara, kur rezulton që në këto dënge janë diku dy votat e fundit që kanë pasur numrat e vendvotimeve të ndryshme apo të një qendre tjetër. Është e rëndësishme që këtë raport komisioni ta trajtojë në përputhje me kutitë që gjenden të mbyllura për Mitrovicë dhe Gjakovë. Ata kanë dhënë edhe numrin e saktë që ka ndodhur gabimi, por na nevojitet ta vlerësojmë nga kutitë e votimeve. E njëjta do të shërbejë në përgjigjen e PZAP-së. Për komunat tjera do merren mostra për të parë nëse ka qenë një trend i njëjtë. Është paraqitur rast për Gjakovë nga këshillat e vendvotimeve ditën e votimit, ndërsa për Mitrovicë në mbrëmje dhe ka vazhduar edhe ditën e nesërme. Për komunat tjera duhet të shikojmë mostrat. Raporti nuk është për PZAP, por për ne, së dyti është për prokurorinë, për shkak se kjo çështje në mbrëmjen e së mërkurës është hapur në prokurori. Raporti duhet të jetë i detajuar për ne, për prokurorinë, por edhe PZAP. Sa për numrin e këtyre, nuk mundemi të konstatonim numrin pa hapur kutitë e votimit”, tha Radoniqi.

Në Mitrovicën e Jugut pati rinisur procesi i verifikimit të votave me urdhër të Prokurorisë Themelore pas raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime. KQZ-ja e ka arsyetuar rastin si “gabim teknik” nga kompania “CETIS”. E kjo kompani shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë. 

Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë u përcoll me reagime. PDK-ja kërkoi rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serikë të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik.