Kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të komunave i numëruan premtimet për komunat që i synojnë. Në Prizren, Besnik Krasniqi u zotua të ndërtojë parking nëntokësor e shesh modern, Smajl Latifi mbështetje për gratë në Prizren e Bekë Berisha investime dhe zhvillim të turizmit në Gollak. Labinot Bislimi e kritikoi qeverisjen aktuale në Viti për zonën ekonomike në Budrikë, e Agron Kuçi që kandidon për kryetar të Junikut ka premtuar investim prej 5 milionë euro në urbanizimin e sheshit qendror
Shesh modern dhe parking nëntokësor në Prizren, ka prezantuar kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar komune, Besnik Krasniqi, në javën e fundit të fushatës zgjedhore. Projektet e tij infrastrukturore dhe zhvillimore, sipas Krasniqit do ta bëjnë Prizrenin model për qytetet e tjera të Kosovës.
“Qendra e Prizrenit ka nevojë për frymëmarrje të re, ka nevojë për vizion, për plan e mbi të gjitha për punë të mençura. Ne do ta ndërtojmë parkingun më të madh e më funksional të qytetit pikërisht këtu, në pjesën e prapme të Shtëpisë së Bardhë, me tri nivele nëntokësore dhe lidhje direkte në tokë që bashkon rrugën ‘Adem Jashari’ me rrugën Antaria. Kjo do ta zgjidhë përfundimisht trafikun në qendër. Mbi të do ta ngremë objektin e ri të administratës komunale objekt transparent dhe modern, më afër qytetarëve. Rreth tij do të ndërtojmë sheshin e ri të qytetit me një park botanik që do ta bëjë Prizrenin model të jetesës urbane”, ka thënë Krasniqi.
Në Rahovec, kryetari aktual Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat, ka premtuar politika të reja që e synojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen më të madhe të grave në vendimmarrje.
“Në programin tonë qeverisës do të merremi me seriozitet të lartë që vajzat dhe gratë tona të jenë të barabarta, të ndihen të barabarta dhe të jetojnë plotësisht të barabarta mes nesh. Prandaj, ne do të kujdesemi që gratë dhe vajzat të jenë të barabarta si në përfaqësim, ashtu edhe në vendimmarrje institucionale. Do të bëjmë buxhetim gjinor në projektet komunale dhe do të vendosim kriter gjinor me subvencionimin e tyre në biznes, në sport, në veprimtari artizanale, në kulturë dhe më gjerë. Do të mbështesim konkretisht vajzat dhe gratë për aftësim profesional, trajnime të ndryshme e posaçërisht në fushën e teknologjisë informative. Politika të reja do të zbatohen për t’i mbështetur gratë fermere, gratë që gatuajnë ushqime tradicionale dhe nënat vetushqyese”, ka premtuar Latifi.
Në Viti, kandidati i AAK-së, Labinot Bislimi kritikoi qeverisjen aktuale për mosfunksionalizimin e zonës ekonomike në Budrikë.
“E ka përsëritur Sokol Haliti (kryetari aktual i Vitisë) se zona ekonomike në Budrikë është funksionale. Kjo zonë e quajtur ekonomike as nuk është funksionale, e as nuk do të funksionalizohet as edhe një herë. E kuptoni një gjë të tillë apo jo? Ne e kemi kërkuar qysh herët që të mos bëhet, por sapo të vijmë në pushtet do ta zhvendosim diku tjetër, sepse ky vend, siç e kam thënë që tri vite e më shumë, është pika më e ulët e komunës së Vitisë”, ka thënë Bislimi.
E kandidati për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, është shprehur i bindur se do të fitojë pa balotazh në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ai ka paralajmëruar urbanizimin e sheshit qendror të Junikut me kosto prej 5 milionë euro.
“Qeverisja jonë ka shumë projekte, por si prioritet ka 4 projekte - përkrahja përmes granteve dhe subvencionimin i bizneseve të vogla dhe të mesme duke përfshirë themelimin e bizneseve të reja. Tjetër gjë me rëndësi është përkundër faktit që ne jemi komunë e re dhe akoma dukemi si komunë rurale, ne po bëjmë përpjekje që sheshin qendror ta urbanizojmë përmes një arkitekture moderne dhe tradicionale, ku përmes këtij sheshi bizneset, të cilat qëndrojnë aty, por edhe ekonomitë familjare, por edhe qytetarët, do ta shijojnë... Projekti ka kosto rreth 5 milionë euro, por unë konsideroj se brenda 5 vjetësh do të jetë i përfunduar, sepse në këtë projekt kemi punuar në vitin 2000”, ka theksuar Kuçi.
Bekë Berisha, kandidat i AAK-së për Prishtinën, të mërkurën mbajti takim me banorët e fshatit Koliq, të cilëve u ka premtuar investime në infrastrukturë dhe në zhvillimin e turizmit në Gollak. Zgjedhjet për kryetar dhe asamble komunale do të mbahen më 12 tetor.
