Zgjedhjet lokale

Kurti e Peci në Zveçan premtojnë investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë

Albin Kurti

Në ditën e 21-të të fushatës parazgjedhore, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka zhvilluar fushatë në fshatin Boletin të Zveçanit, bashkë me kandidatin për kryetar të kësaj komune, Fetah Peci. Aty ata kanë bërë premtime për ndërtim shkollash, për shërbime shëndetësore dhe investime në infrastrukturë. Ndërkaq në Prishtinë, kandidati Hajrullah Çeku ka premtuar mbështetje për prodhuesit lokalë dhe park industrial në Bërnicë

Tridhjetë minuta më herët se sa u pati paraparë me agjendë, simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë bërë gati të premten për tubimin elektoral i cili është organizuar në fshatin Boletin të komunës veriore të Zveçanit.

Ata kanë bërë vend në njërën prej klasave të shkollës “Isa Boletini” ndërsa kandidati për kryetar të Komunës, Fetah Peci, e ka pritur jashtë objektit kryetarin e partisë, Albin Kurti.

Bashkë me të, në pritje të Kurtit ka dalë edhe kandidati për kryetar të komunës fqinje, asaj të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kandidati i cili synon që ta fitojë garën në Zveçan ka lënë anash modestinë dhe ka thënë që është orator.

“Besomni kah oratoria nuk jam shumë i dobët po më duket, por po ndihem shumë i emocionuar pranë disa luajve këtu”, është shprehur kandidati i LVV-së për Zveçanin.

Peci ka përmendur disa nga problemet që i ka komuna si dhe disa prej investimeve të cilat synon që t’i realizojë po qe se vihet në krye të saj, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

“Sa i përket aspektit të bujqësisë, tek ne toka nuk është pjellore, e din edhe ministri, por do të mundnim me rendimente të pemëtarisë, vreshtarisë ndoshta edhe shpeztarisë t’i kultivojmë në këto fshatra”, ka theksuar ai.

Para të pranishmëve në tubimin elektoral në Zveçan, Peci ka prezantuar kandidatët për asamble komunale, e të cilët, me përjashtim vetëm të njërit, të gjithë të tjerët e mbajnë mbiemrin Peci.

“Po na kritikojnë por nuk kemi çfarë të bëjmë që jemi kallabllëk ne Pecët. Po na thonë keni lulëzuar prej që erdh Albini”, është shprehur kandidati i LVV-së për kryetar komune në Zveçan.

Më konkret në premtimet për banorët e Zveçanit ka qenë të premten Kurti.

“Ne do të sigurojmë që në Zveçan të ketë shkolla më të mira, investime në infrastrukturë, mbështetje për bujqësi, kujdes shëndetësor dhe mundësi për krejt. Këtu nuk do të ketë kurrë me qytetarë të dorës së dytë”, është zotuar kryetari i Vetëvendosjes. Ai pati zotim për Zveçanin edhe në qeverisjen e tij qendrore të radhës.

“E di që për juve nuk ka qenë dhe ende nuk është lehtë, shpesh jeni përballë me pengesa e rreziqe jo vetëm me diskriminim por edhe me përjashtim nga shërbimet publike e investimet që u takojnë. Por dua t’ju them qartë që Qeveria e Kosovës është me ju dhe do të jetë përherë me juve”, ka thënë Kurti.

E, krahas votës për kandidatin e Zveçanit, Kurti e ka kërkuar mbështetjen më 12 tetor edhe për atë të Mitrovicës së Jugut.

“E di që ka shumë njerëz nga Zveçani, qytetarë te Zveçanit që nuk janë banorë në Zveçan mund të ketë që janë banorë e votues në jug të Mitrovicës dhe u thoni gjithë atyre që jo më pak e rëndësishme se për ta votuar Fetah Pecin është për ta votuar në jug të Mitrovicës Faton Pecin”, është shprehur ai.

E në fjalën e tij, kandidati për kryetar komune në Mitrovicë të Jugut e ka bërë një premtim edhe për Zveçanin.

“Nevojën që ju keni për transport publik, unë edhe pse jam kandidat në një komune tjetër në Mitrovicën e Jugut, në kuadër të programit tim një ra prej pikave që adreson kete ceshtje ëahtë ndërmarrja publike urbane dhe ndërurbane”, është shprehu Faton Peci.

Pos premtimit, nga Boletini ai e ka dhënë edhe një lëvdatë për Albin Kurtin.

“Atë që Isa Boletini më 1903 e nisi, suksesshëm Albin Kurti si kryeministër e bitisi”, ka thënë ai.

Nëntë ditë para zgjedhjeve të tetorit, kandidatët e LVV-së kanë zhvilluar fushatë edhe në komunat e tjera.

Në Prishtinë, Hajrulla Çeku ka premtuar mbështetje për prodhuesit vendorë, teksa është zotuar të ndërtojë edhe një park industrial në Bërnicë.

“Park Industrial në Bërnicë për të hapur mundësi të reja të prodhimit; Bashkëpunim strategjik me shkolla profesionale të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës; Mbështetje për bizneset e vogla dhe startupet; Skema bashkëfinancimi për eksport dhe panaire; Ekonomi metropolitane me planifikim të zhvillimit ekonomik në nivel të rajonit të Prishtinës”, ka thënë Çeku.

Në Ferizaj, Enver Haliti ka bërë zotim për infrastrukturë dhe kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara.

Lexo përditësimet tjera
Vota

Dita e 21-të e fushatës

Agjenda e Partisë Demokratike të Kosovës për ditën e premte:1. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim...