Heta i LDK-së premton një mori qendrash, fabrika e teleferik për Drenasin

3 o. më parë / 17 sht 2025 21:11
Gazmend Heta

E Gazmend Heta, kandidat i LDK-së për të udhëhequr me Komunën e Drenasit, është përqendruar te projektet që do të kryejë në rast se merr besimin e qytetarëve.

Heta në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – debati për Drenasin”, ka numëruar një nga një projektet që premton për qytetarët.

“Pallati i Rinisë, qendër sportive kulturore, inovative dhe multifunksionale në vend të qendrës së vjetër, e cila është jashtë funksionit. Qendra të reja në Komoran dhe fshatra kryesore; përkujdesje dhe edukim cilësor për fëmijët; Komorani është lënë anash, kështu që ka nevojë për investim të gjithëmbarshëm në të gjitha fushat. Ambulancë me laborator modern për analiza shëndetësore; qendra rekreative për pensionistë dhe hapësirë për aktivitete për të moshuarit; qendra për persona me nevoja të veçanta; qendra për menaxhimin e qenve endacakë; stacion modern i autobusëve; renovim i stacionit të trenit, pajisje me 2-3 autobusë elektrikë urbanë për mobilitet; tualete publike; teleferiku turistik përgjatë lumit Drenica; fabrika e përpunimit të drurit; fabrika e riciklimit të materialeve; punësim; bujqësi moderne; bashkëpunim me mërgatën, etj”, ka premtuar Heta. 
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

 

“Zëdhënës i Lladrovcit, zëdhënëse e Mihalit” - përplasen kandidatët e LVV-së dhe AAK-së për Drenas

4 o. më parë / 17 sht 2025 21:07
Egzona Terdevci - Beqir Kiqina

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci, i ka reaguar kandidatit të AAK-së, Beqir Kiqina, pasi ky i fundit e kritikoi pushtetin qendror, duke thënë se ka bllokuar projekte në Drenas dhe ka qenë jo i drejtë me ndarje të buxhetit. 

“Nuk po vërehet shumë mungesa e z. Lladrovci, se po ja luan zëdhënësin mirë z. Kiqina, qysh ka bërë edhe në këto 4 vjet në Kuvendin Komunal”, ka thënë Tërdevci.

E Kiqina u kundërpërgjigj: “Unë luaj zëdhënësin e komunës, por jo të Vetëvendosjes e Dejona Mihalit’.

Kiqina i AAK-së: Emri i PDK-së po keqpërdoret në Drenas, kjo parti duhet të humbë

4 o. më parë / 17 sht 2025 20:49
Beqir Kiqina

Kandidati i AAK-së për kryetar të Drenasit, Beqir Kiqina, ka thënë se partia në pushtet – PDK, po e keqpërdor emrin e saj dhe të komandantëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – debati për Drenasin”, ka thënë se partia ku bën pjesë ai, është modeli më i mirë i qeverisjes lokale.

“Mendoj se PDK-ja duhet me humbë Drenasin, besoj Aleanca, nëse vlerësohet në mënyrë objektive, duhet me qeverisë me Drenasin për arsye se në shumicën e komunave ku qeverisë jemi kampionë, si në Klinë, Gjakovë e Therandë. Jemi model i mirë i qeverisjes lokale. Madje edhe ne si Aleancë mendoj se kemi qenë objektiv, nuk kemi parë vetëm zi në qeverisjen lokale. Shpeshherë kemi përkrahur dhe unë jam shumë krenar, asnjë pikë e asnjë presje nuk e heq për gjithçka kam votuar në favor të qytetarëve. Kam pasur kundërshti, kam pasur ankesa në institucione për të gjitha ato që i kanë bërë gabim”, ka thënë ai.

Kiqina ka insistuar se është mirë për Drenasin nëse humb PDK-ja që ka udhëhequr me Komunën që nga përfundimi i luftës.

“Mendoj se PDK-ja duhet me humb Drenasin, jo pse quhet PDK, po pse është keqpërdorur ky emër, çka nënkupton kjo. Njëri prej kandidatëve në një tubim në një fshat ka thënë se Drenasin e kemi amanet nga Kadri Veseli e Hashim Thaçi me e fitu me patjetër. Kjo është një hajgare. Ata janë gjallë, uroj të jenë shëndosh e mirë, janë në Hagë duke u ballafaquar me një padrejtësi të kohës. Ata janë heronjtë e të gjithë neve dhe nuk duhet me u ulë ata në nivel lokal. Nuk është lider i PDK-së Hashim Thaçi, ka qenë, por tash është Memli Krasniqi, le të thirren në emrin e Krasniqit dhe të mos i keqpërdorin emrat e heronjve që janë në Hagë, pasi të gjithë jemi me ta. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë”, ka thënë Kiqina. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Bazaj: Qe 26 vjet Drenasin e udhëheq një klan. Fëmijët e tyre hanë në Dubai me shtaga kineze

4 o. më parë / 17 sht 2025 20:40
Naim Bazaj

Naim Bazaj, udhëheqës i “Iniciativa për Drenas e Kosovë – PDK”, po ashtu synon të drejtojë Komunën pas zgjedhjeve lokale. 

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – debati për Drenasin”, ka thënë se qyteti është udhëhequr tash e 26 vjet nga një klan. 

“Unë mendoj se një klan është qe 25-26 vjet duke e udhëheqë Drenasin. Në atë klan në Komunën e Drenasit kanë qenë vetëm 5-6 familjarë që e kanë dominuar Komunën, tonë, që e kanë udhëhequr dhe që kanë përfituar. Një mandat, 2, 3...5. Kanë shkuar ministra, zv.ministra, kanë shkuar deputetë, fëmijët e tyre kanë ndjekur shkollat më të njohura botërore. Thjesht popullata jonë në Drenas është dashur të çohet sikurse në Nepal me bë protesta, pse fëmijët e tyre hanë sot bukë në Dubai me ato shtagat kineze e fëmijët tonë, thjesht pa punë, ose bijtë e dëshmorëve duhet më lëshu vendin”, ka thënë Bazaj.

Ai ka thënë se qytetin e kanë braktisur mbi 10 mijë familje, shumica e të cilave, sipas tij, kanë shkuar në Perëndim për të jetuar. Për këtë ka fajësuar edhe udhëheqjen komunale.

“Është tmerri i Zotit të thuhet se një familje e dëshmorit po ikën komplet:, ka thënë Bazaj. 
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

 

Tërdevci e LVV-së për qeverisjen e PDK-së në Drenas: Shumica e projekteve bëhen mbrapsht

4 o. më parë / 17 sht 2025 20:26
Egzona Tërdevci

Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci, ka thënë se shumica e projekteve në këtë qytet janë kryer mbrapsht nga komuna.

Ajo në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – debati për Drenasin”, ka ironizuar me mënyrën e punës së Komunës, duke thënë se së pari shtrohet asfalti e më pas prishet për t’u shtrirë ujësjellësi.

“Shumica e projekteve bëhen mbrapsht: një herë bëhet asfalti, pastaj prishet asfalti për me u ndreq kanalizimi e me u shtri ujësjellësi. Në qeverisjen tonë, secili projekt që bëhet do ta ketë infrastrukturën e nevojshme nëntokësore”, ka thënë Tërdevci. 

Ajo ka kritikuar Komunën edhe për investime të panevojshme. Ka marrë shembull sheshin e qytetit, që sipas saj është rinovuar për herë të katërt në pak vite.

“Çka e kemi përmendur ne si VV nga fillimi, është se prioretizimi i nevojave të qytetarëve është bërë gabim. Komuna e Drenasit ka investuar në një shesh për herë të katërt. Më 2023 është nënshkruar një kontratë për zgjerimin e ndërtimin e sheshit ‘Xhevë e Fehmi Lladrovci’ në vlerë 4.3 milionë euro. Kjo ishte kontrata fillestare, tani janë shtuar edhe rreth 430 mijë euro, për 10 përqindëshin e aneks-kontratës. Në një vend ku shumica e fshatrave nuk kanë ujë të pijes, ku nuk ka trotuare, nuk ka ndriçim publik, nuk ka kushte bazikë për jetesë, me u investu 4.3 milionë euro në një shesh që veç ka qenë i ndërtuar dhe nuk ka pasur ndonjë mangësi, për ne është gabim”, ka theksuar Tërdevci. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.