Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka arritur koalicion me Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për balotazhin në Junik.
Sipas kandidatit për kryetar të Junikut nga radhët e LVV-së, Jetmir Tofaj, i cili doli i treti në garë në zgjedhjet e 12 tetorit, marrëveshja është arritur në pajtim me kryesinë e LVV-së.
“Në përputhje me vendimin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje! Qendra Junik dhe aprovimin e Kryesisë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje!, është marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbështesim kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), z. Agron Kuçi”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky vendim sipas tij, është rezultat i një vlerësimi të kujdesshëm politik dhe institucional, me qëllim që siç ka thënë ai, të sigurojmë një qeverisje stabile, të përgjegjshme dhe në interes të qytetarëve të Junikut.
“Ky koalicion bazohet në mirëkuptim të ndërsjellë dhe në vizionin e përbashkët për zhvillimin e Junikut. Me këtë marrëveshje, Lëvizja Vetëvendosje! dhe AAK-së, së bashku do të kenë shumicën në Kuvendin Komunal të Junikut, duke siguruar kështu stabilitet politik dhe mundësi reale për të ecur përpara me nisma zhvillimore, projekte konkrete dhe qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Tofaj.
Në balotazh, Kuç ka dalë i dyti me 38,88 për qind të votave, ndërkohë që i pari është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Ruzhdi Shehu, me 48,89 për qind të votave.