Kandidati i LVV-së në Pejë, Taulant Kelmendi, ka prezantuar pakon “Peja e Mirëqenies” me premtime për çerdhe të reja, bursa për nxënës e studentë, mbështetje për pensionistë dhe subvencione për bujqësi e biznese. Në Malishevë, Valon Hoti ka paralajmëruar transformimin e Parkut të Pishave në një qendër rekreative dhe edukative, ndërsa në Shtime, kryetari aktual e kandidati Qemajl Aliu ka premtuar hapjen e tregut të ri. Faton Peci në Mitrovicë, Enver Haliti në Ferizaj dhe Ardian Gola në Gjakovë janë zotuar për menaxhimin e mbetjeve industriale, rritjen e hapësirave publike dhe përfundimin e projekteve të nisura
Kandidati për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka prezantuar pakon e dytë nga programi i tij qeverisës. Nga kjo pako, që është titulluar “Peja e Mirëqenies”, Kelmendi ka dhënë një varg zotimesh që synon t’i realizojë gjatë mandatit 4-vjeçar në mirëqenie sociale, arsim, biznes e bujqësi. Kelmendi ka premtuar hapjen e 5 çerdheve të reja, çmimet e të cilave është shprehur se do të jenë të bazuara në të ardhurat e familjes, ndërkaq ato familje që nuk arrijnë t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe publike, do të subvencionohen për dërgimin e fëmijëve në çerdhe private. Është zotuar për shpërndarje të 250 eurove për çdo fëmijë të lindur në Pejë. Pjesë e programit është edhe ndarja e 500 bursave në vit nga 1 mijë euro për studentët dhe 1 mijë bursa sportive për nxënësit. Në planin e tij katërvjeçar është edhe themelimi i Ndërmarrjes Publike Kuzhina Qendrore, që do të përgatisë ushqim për t’i furnizuar shkollat dhe çerdhet publike, ndërkaq do të ofrojë shërbime me pagesë edhe për biznese e institucione private dhe publike. Synim gjatë mandatit është edhe subvencionimi i ilaçeve për pensionistët dhe mbulimi i shpenzimeve të funeralit për qytetarët e Pejës.
“Komuna do të marrë përgjegjësinë për mbulimin e shpenzimeve të funeralit për çdo qytetar. Kjo masë e mirëqenies sociale do të përfshinte kostot për varrimet, arkivolet, transportin”, shkruhet në pakon e dytë të programit të Kelmendit.
Gjithashtu ka premtuar 100 mijë euro grante në vit për vajzat që hapin biznese dhe subvencionim për bujqit dhe blegtorët prej 5 deri në 10 euro për kokë gjedhe.
Kandidati për Malishevën, Valon Hoti, është zotuar për transformimin e Parkut të Pishave në Llozicë të kësaj komune. Hoti ka thënë se ky park do të vihet në dispozicion të kopshteve e shkollave të Malishevës dhe do të krijohen kushte për aktivitete brenda tij. Është zotuar se do të ndërtojë shtigje të ecjes, shtigje të çiklizmit, pushimore etj.
“Këtë park do ta kthej në një qendër të gjallë - me shtigje të rregulluara për ecje, vrap dhe çiklizëm, me ndriçim modern, me ulëse druri dhe burime uji të pijshëm. Do të ndërtojmë një amfiteatër të hapur për shkollat dhe nxënësit, si dhe fusha sportive të përshtatshme për të gjithë”, ka thënë Hoti.
Në Shtime, kryetari aktual Qemajl Aliu, që synon edhe një mandat në krye të Komunës, është shprehur se tregtarët e qytetit së shpejti do ta kenë tregun e ri si vend dinjitoz për t’i shitur produktet vendore. Sipas tij, tregu do të bëhet realitet shumë shpejt.
Në Mitrovicë, pretendenti për kryetar, Faton Peci, ka thënë se gjatë mandatit të tij do ta adresojë çështjen e mbetjeve industriale.
“Do të realizojmë trajtimin e mbetjeve industriale dhe kimike, ndarjen në burim, riciklim e depozitim, unazën e gjelbër me drunj dekontaminues rreth deponive të mbeturinave, pastrimin e lumenjve bashkë me fushata ekologjike”, ka thënë Peci.
Ai gjithashtu është zotuar për krijimin e një qendre të kujdesit ditor për pensionistët.
Në Ferizaj, kandidati Enver Haliti ka thënë se prioritet në programin e tij qeverisës do të jetë zgjidhja e problemeve me mungesën e shërbimeve publike, hapësirave të gjelbra dhe trotuaret e zëna nga veturat.
Zgjidhje për të njëjtat probleme ka premtuar edhe kandidati për Gjakovën, Ardian Gola.
“Një tjetër shqetësim i madh i tyre janë projektet e nisura e të lëna përgjysmë nga qeverisja komunale e Gjinit, që kurrë nuk janë përfunduar. Me udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, projektet do të realizohen me përkushtim dhe transparencë - sepse do të bëhen për qytetarët, jo për fotografi”, ka thënë Gola.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti të premten ka qëndruar në Dragash për t’i dhënë mbështetje kandidatit e kësaj partie për kryetar të Dragashit.
“Bashkë për Sharrin, me Filiz Mustafën në krye, si kryetar të ardhshëm, për një kapitull të ri të kësaj komune, që ka një potencial të madh për turizëm, blegtori dhe zhvillim ekonomik lokal, por që i duhet sa më shpejt një qeverisje e mirë, e drejtë dhe aktive”, ka shkruar Kurti.
Ai ka treguar për vizitat tek bizneset artizanale të grave e fermerë dhe takimet me të rinj e të reja që jetojnë në Sharr.
