Ismaili: Në javën e parë do ta hapi për qarkullim sheshin “Xhorxh Bush”
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se nëse vjen në pushtet në kryeqytet, do ta hapë menjëherë për qarkullim sheshin “Xhorxh Bush”.
“Në mes të Prishtinës, me pas gërmadhë të tillë, është totalisht politikë e gabuar. Unë në javën e parë do ta hapi sheshin për qarkullim, të qetësojmë e t’i kryejmë krejt investimet për trafikun, për transportin publik. Vetëm atëherë mund të hapim diskutim për shesh që e rrit kualitetin e jetës sonë, e jo që e cenon”, tha Ismaili në “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai thotë se çdo gjë është përkeqësuar e vështirësia.
“Pse? Sepse një kryetar dhe një ministër, që dikur ishin bashkëpunëtorë,, kanë filluar ta dërgojnë njëri tjetrin në gjyq. E ne jemi mbyllur kështu, e paguajmë koston e kohës sonë, shpenzimeve tona”, tha Ismaili.
Ismaili po ashtu ka thënë se “Prishtina është e gatshme për ndryshim”.
“Ka klimë të madhe të njerëzve që thonë se kemi provuar gjithçka, nuk ka ku shko kështu. Është e gatshme për ndryshim”, ka thënë Ismaili.
Ismaili: Në 6 muaj e parë s’do të lëshohet leje ndërtimi
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se nëse vjen në pushtet në kryeqytet atëherë për 6 muajt e parë të mandatit të tij nuk do të lëshojë leje ndërtimi.
Ismaili në “Zgjedhjet në Kohë”, ka treguar se si i është thënë se kjo mund t’i kthehet kundër, por ai thotë se interes i tij janë qytetarët e Prishtinës.
“Do të rishikohen planet, do të vendosim rregull, që kur të ndërtohet të jetë rregulla që dihet në atë lagje se ku është çerdhja, ku është këndi i lodrave për fëmijë, parku i gjelbër, pritorja e autobusëve. Pra, të jenë lagje që kanë infrastrukturë sociale. Më kanë thënë shpesh ‘mos je duke prek interesa?’, ‘kjo mund të kthehet kundër, këtu ka njerëz të fuqishëm që munden me ndiku në vota’. Por, ju thash atyre e do t’u them gjithnjë, unë këtu jam për interes të Prishtinës, të qytetarëve të Prishtinës”, tha Ismaili. “Nuk më intereson kujt i preket interesi. Mua më intereson të ketë drejtësi, të ketë rregull, Prishtina të ketë kualitet të jetës që e meritojnë qytetarët”.
A është Uran Ismaili “pishman” që e votoi Përparim Ramën për kryetar komune?
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se nuk jep premtime që nuk i realizon dhe se nuk është njeri “kalimtar” në Prishtinë.
“S’kam ardhur me dhënë premtime që nuk i mbaj. S’jam njeri kalimtar në Prishtinë, por jam person që tërë jetën kam jetuar këtu. E kam të rëndësishme, që kur takohen me njerëzit në Prishtinë, të jem i drejtpërdrejt e i sinqertë me ta. T’u them votën që ma keni dhënë për këtë punë, ja ku është puna”, tha Ismaili në “Zgjedhjet në KOHË”.
Ismaili ka thënë se dëshiron ta shohë Prishtinën mirë.
“Garën time për këtë arsye e kam kalibruar në nevojat reale që kemi. Jo në një fushatë që tenton me marrë votë e mos ta kthejë kokën pas, siç na ka ndodhur në 25 vjetë. Me tregu drejtë, unë edhe vet kam votuar kandidat të ndryshëm në Prishtinë. Kam qenë anëtar i një partie që nuk kemi shkuar në balotazh, e doja të provoja oferta të ndryshme për Prishtinën. Nuk na kanë kthyer në rezultat ato oferta”, tha Ismaili.
I pyetur nëse është pishman që ka ndihmuar Përparim Rama të vinte në krye të Prishtinës, Ismaili ka thënë se është i zhgënjyer si qytetar i Prishtinës, por është zhgënjyer edhe me votat e tij që ka dhënë në të kaluarën.
“Në fund më ka mbetur problemi si qytetar i Prishtinës...Problemet na kanë mbetur si Prishtinë...Të flasim për çerdhe në vitin 2025, kur na teprojnë 25 milionë euro në vit...Duhej tash të flisnim për vizionin për të ardhmen, rilindje urbane. Por, s’mund të krijojmë vizion tjetër, të vijë dikush të tentojë të sjellë vizione, e në anën tjetër gjithë ne në Prishtinë të kemi probleme e frustrime ditore. E çfarë po na thonë, ‘mos mendoni për jetën tuaj, votonani ne’. Po na lypin nga 8 apo 10 vjet, se nuk po u del boll një mandat. Është e padrejtë për jetët tona në Prishtinë. Programi im është konkret”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se drejtorët komunalë nga radhët e PDK-së nën qeverisjen e Përparim Ramës, si dhe nënkryetarja, kanë bërë punë mjaft të mirë. Ka thënë se është vërejtur dinamizmi i tyre.
“Por, me z. Rama vendosi të shkojë agjendë tjetër, me të cilën ne nuk jemi pajtuar. Natyrisht pastaj ai vendosi të marrë vendim që të na largojë nga koalicioni. Me rëndësi të kuptohet, se atë energji, atë dinamizëm, më nuk e kemi parë”, tha Ismaili.
Plani i Ismailit, parkingje nëntokësore në “Breg të Diellit”, “Dardani” dhe “Ulpianë”
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se në lagjet si “Bregu i Diellit”, “Dardani” dhe “Ulpianë”, duhet të ndërtohen parkingje nëntokësore, në mënyrë që qytetarët të kenë jetë më të qetë e kualitative.
“’Bregu i Diellit’, ‘Dardania’, ‘Ulpiana’, kanë nevojë për parkingje nëntokësore. Kjo është e vetmja formë që të krijojmë hapësirë të re, e banorët jetojnë jetë më të qetë e kualitative”, tha Ismaili në “Zgjedhjet në Kohë”.
Ismaili tha se është shumë me rëndësi që “Prishtina Parkingu” të jetë funksional.
“E konsideroj tepër të rëndësishme që ‘Prishtina Parking” të jetë funksional, të menaxhohet më mirë, të ketë transparencë financiare më të madhe. E shoh tepër të rëndësishme të jetë pjesë e atij zinxhiri që e financon transportin publik falas”, tha Ismaili. “Besoj se ‘Prishtina Parking’ do të jetë ndërmarrje e fuqizuar, që e kryen rolin e vet, por që do të ketë transparencë financiare”.
Ismaili ka folur edhe për lagje që thotë se janë harruar me dekada nga pushteti komunal.
“Unë e them gjithnjë nga Fontana te Komuna, gjitha lagjet pas saj janë të harruara për qeveritë komnale. Rrethi i Fontanës ka qenë kufiri i Prishtinës, po mendoj mental. Gjithë ato lagje, si ‘Xhamia e Llapit’, ‘Kodra e Trimave’, ‘Kolovica’, kanë qenë të harruara. Jeta në ato lagje është komplet e vështirësuar shkaku i mungesës së investimeve. Tash edhe në lagjet tona të urbanizuara kanë filluar të bëhen problem si pastërtia, qentë endacakë, ndriçimi, mungesa e mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra. Por, ato lagje, duhet ta pranojmë, kanë mungesë të shërbimeve bazike. Aty s’ka çerdhe, nuk ka kënd të lodrave, s’ka hapësira të gjelbra. Është e padrejtë, që në një qytet ku lagjet e tilla janë jashtëzakonisht afër me qytetin, të lihen në atë gjendje”, tha Ismaili.
Ai ka përmendur edhe “Matiçanin”, duke thënë se atje na vetura të banorëve sheh bidona me ujë, pasi ka mungesë me ujë.
“Një qeveri komunale, të cilës i teprojnë 25 milionë euro, e nuk krijon infrastrukturë bazike për qytetarët, flet mjaftueshëm. Nuk ka nevojë për raport”, tha Ismaili.
Ismaili për çështjen e mbeturinave: Do t’i blejmë 60 kamionë e shpërndajmë 2100 kontejnerë
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se për zgjidhjen e çështjes së mbeturinave në kryeqytet do të blihen 60 kamionë e 2100 kontejnerë do të shpërndahen nëpër kryeqytet.
“Prishtina sot i ka 16 kamionë që mbledhin mbeturina, shumica të vjetër. Prishtina ka nevojë për 60 kamionë të rinj, do të iniciojë blerjen e tyre. Ka buxhet të mjaftueshëm e ka donatorë që janë të interesuar të ndihmojnë Prishtinën. 60 kamionë të rinj e 2100 kontejnerë do të shpërndahen në lagje të Prishtinës, për ta mbajtur Prishtinën e pastër”, ka thënë Ismaili në “Zgjedhjet në Kohë”.
Ai ka thënë se do të vazhdohet me ndërmarrje publike, pasi kontraktimi i operatorëve ekonomikë rrit koston.
“Buxheti i komunës mjafton, e kur futen edhe donatorë, arrijmë t’i mbledhim mbeturinat në kohën e duhur e të planifikojmë edhe riciklimin në të ardhmen”, ka thënë Ismaili.