Fushata e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje të premten
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka dhënë një varg zotimesh për lagjet e Prishtinës, pas një vizite në Kolovicë. Ai ka thënë se shkolla e braktisur në këtë lagje do të funksionalizohet. Ka premtuar ndriçim publik me llamba të sistemit LED, vendosje të kamerave publike për siguri më të madhe, rregullim të asfaltit e trotuareve dhe vendosje të shenjave të komunikacionit. Çeku ka kritikuar kryetarin aktual, Përparim Rama, që është kundërkandidat i tij në zgjedhjet e 12 tetorit, se në prag të zgjedhjeve ka nisur improvizimet për zgjidhjen e problemeve në Prishtinë.
“Ky punët e katër vjetëve po mundohet me i kry për katër javë. Me gjasë po mendon që njerëzit janë të pamençur”.
Gjuhë më të ashpër për kundërshtarët politikë ka përdorur kandidati për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci. Peci sot vizitoi edhe klubin e futbollit, Trepça ’89, ku premtoi mbështetje të madhe për sportin.
“Nuk ka askush që mundet me e ndalë fitoren në Mitrovicë. Mos u dorëzoni nga propaganda e ulët deri më datën 12 tetor. Jam i Mitrovicës dhe kam me vdekë i Mitrovicës, po vij për shkak se e dua Mitrovicën dhe për shkak se jam i gatshëm gjithçka të jap për të”.
Edhe në Junik, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar, Jetmir Tofaj, bëri akuza për kundërkandidatët.
“Në vend se të flasim për elektrifikim të bjeshkëve të Junikut dhe për ndërtim të resorëve atje, ne ende duhet të merremi me impiantin e ujërave të zeza që nuk funksionon dhe me kanalizimet në qytetin tonë. Juniku ua dha shansin historike dy kundërkandidatëve që t’i dëshmojnë premtimet e tyre me punë, por kjo nuk funksionoi”.
