Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka dhënë premtime për të cilat ka thënë se do t’i realizojë në koordinim me Qeverinë e ardhshme.
Këtu ka përmendur adresimin e çështjes së mbetjeve industriale. Është zotuar se po që se fiton në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, do të realizojë trajtimin e mbetjeve industriale dhe kimike; do të bëjë ndarjen në burim, riciklim e depozitim; unazën e gjelbër me drunj dekontaminues rreth deponive të mbeturinave e pastrimin e lumenjve bashkë me fushata ekologjike.
Ndër premtimet, Peci ka thënë se “Qeveria do të ndërtojë Spital me infrastrukturë moderne”.
“Rritjen e shërbimeve të reja në shëndetin primar dhe inkuadrimi i profesionistëve, si logopedë, psikologë, fizioterapeutë dhe punëtorë socialë. Për një Mitrovicë me mirëqenie!”, ka shkruar ai.
Deri tash Peci ka qenë ministër i Bujqësisë.
