Zgjedhjet lokale

Plani i Ismailit, parkingje nëntokësore në “Breg të Diellit”, “Dardani” dhe “Ulpianë”

Uran Ismaili

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se në lagjet si “Bregu i Diellit”, “Dardani” dhe “Ulpianë”, duhet të ndërtohen parkingje nëntokësore, në mënyrë që qytetarët të kenë jetë më të qetë e kualitative. 

“’Bregu i Diellit’, ‘Dardania’, ‘Ulpiana’, kanë nevojë për parkingje nëntokësore. Kjo është e vetmja formë që të krijojmë hapësirë të re, e banorët jetojnë jetë më të qetë e kualitative”, tha Ismaili në “Zgjedhjet në Kohë”. 

Ismaili tha se është shumë me rëndësi që “Prishtina Parkingu” të jetë funksional. 

“E konsideroj tepër të rëndësishme që ‘Prishtina Parking” të jetë funksional, të menaxhohet më mirë, të ketë transparencë financiare më të madhe. E shoh tepër të rëndësishme të jetë pjesë e atij zinxhiri që e financon transportin publik falas”, tha Ismaili. “Besoj se ‘Prishtina Parking’ do të jetë ndërmarrje e fuqizuar, që e kryen rolin e vet, por që do të ketë transparencë financiare”.

Ismaili ka folur edhe për lagje që thotë se janë harruar me dekada nga pushteti komunal. 

“Unë e them gjithnjë nga Fontana te Komuna, gjitha lagjet pas saj janë të harruara për qeveritë komnale. Rrethi i Fontanës ka qenë kufiri i Prishtinës, po mendoj mental. Gjithë ato lagje, si ‘Xhamia e Llapit’, ‘Kodra e Trimave’, ‘Kolovica’, kanë qenë të harruara. Jeta në ato lagje është komplet e vështirësuar shkaku i mungesës së investimeve. Tash edhe në lagjet tona të urbanizuara kanë filluar të bëhen problem si pastërtia, qentë endacakë, ndriçimi, mungesa e mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra. Por, ato lagje, duhet ta pranojmë, kanë mungesë të shërbimeve bazike. Aty s’ka çerdhe, nuk ka kënd të lodrave, s’ka hapësira të gjelbra. Është e padrejtë, që në një qytet ku lagjet e tilla janë jashtëzakonisht afër me qytetin, të lihen në atë gjendje”, tha Ismaili. 

Ai ka përmendur edhe “Matiçanin”, duke thënë se atje na vetura të banorëve sheh bidona me ujë, pasi ka mungesë me ujë. 

“Një qeveri komunale, të cilës i teprojnë 25 milionë euro, e nuk krijon infrastrukturë bazike për qytetarët, flet mjaftueshëm. Nuk ka nevojë për raport”, tha Ismaili. 
 

Lexo përditësimet tjera
Uran Ismaili

Nëpër Prishtinë me Uran Ismalin - Zgjedhjet në KOHË