Zgjedhjet lokale

Salihu: Pushteti do të ndryshojë në vetëm 5 komuna

salihu

Bekim Salihu nga Instituti GAP parashikon që vetëm në pesë komuna të Kosovës të ketë ndërrim të partisë qeverisëse nga zgjedhjet lokale.

Sipas tij, këtu përjashtohen komunat e banuara me shumicë serbe.

“Nuk do të ketë përmbysje të mëdha, pritjet janë që ndoshta pushteti do të mund të ndryshojë në pesë komuna të Kosovës, përjashto komunat e banuara me shumicë serbe”, ka thënë ai në KTV.

 E, drejtoresha e organizatës FOL, Megi Demolli, ka thënë se qytetarët nuk duhet t’u besojnë më politikanëve që nuk i kanë përmbushur premtimet në mandatin e parë si kryetarë komunash. Ajo ka theksuar se ndëshkimi më i mirë për ata që kanë gënjyer dhe s’i kanë përmbushur premtimet është mosdhënia e shansit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë të drejtë vote 2.069.098 qytetarë.

Prej tyre, 2.025.105 do të votojnë në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 43.993 janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit.

Për këto zgjedhje do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.