Zgjedhjet lokale

Sot pritet të përmbyllet procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë

Mitrovicë

Procesi i verifikimit të rezultateve të rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, pritet të përfundojë të mërkurën.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur se deri në orën 09:00, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga 105 sa i takojnë kësaj komune, teksa planifikohet që ky proces të përfundojë gjatë ditës.

"Deri në orën 09:00 të ditës së mërkurë, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotime nga 105 sa i takojnë kësaj komune. Ky proces, planifikohet të përfundojë gjatë ditës së sotme. 
Një ditë më herët, të martën është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë,  Viti, Prizren dhe Pejë", thuhet në njoftim.

Procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime.

Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime. 

PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik. 

Shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve të tilla, ndërkohë e ka kërkuar shoqëria civile. Eugen Cakolli, është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se fletëvotimet të cilat nuk përputhen me kodin e vendvotimit ku është votuar duhet të shpallen të pavlefshme. 

Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje. 
Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.