Zgjedhjet lokale

Spasiqi tërhiqet nga gara në Kllokot dhe i bashkohet Listës Serbe, KQZ: Zgjedhjet zhvillohen sipas planit

Sreqko Spasiq

Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” i është bashkuar Listës Serbe, kundër së cilës ka garuar në zgjedhjet e fundit komunale.

Lista Serbe ka publikuar deklaratën e Spasiqit ku shprehet i gatshëm të heqë dorë nga gara e balotazhit dhe t’i bashkohet kësaj partie.

“Në emër të ish Nismës Qytetare ‘Srpska Narodna Sloga’, dëshirojmë të japim kontributin tonë për unitetin serb dhe me të gjitha burimet tona i bashkohemi Listës Serbe, e cila është një familje politike që bashkon popullin serb në Kosovë dhe M. Njëkohësisht, unë, Sreçko Spasić, dëshiroj ta njoftoj opinionin dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokoti se po tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokoti që do të mbahet më 9 nëntor, ndërsa të gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritashëm të ‘Srpska Narodna Sloga’, e tani anëtarë të Listës Serbe, do ta vëmë në shërbim të fitores së Listës Serbe me numër rendor 170 në këto zgjedhje lokale, si dhe në të gjitha zgjedhjet e ardhshme në këto hapësira.
Në këtë frymë, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të jetë fillimi i angazhimit tim dhe tonë të sinqertë për unitetin dhe fitoret e ardhshme të popullit serb, përkatësisht të Listës Serbe, si në territorin e komunës së Kllokoti ashtu edhe në territorin e Kosovës dhe M.”, thuhet në njoftim. 

Nga KQZ-ja është thënë se tërheqja e këtij kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë nuk ndikon në mbajtjen e garës për kryetar të komunës së Kllokotit.

Sipas KQZ-së, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ka përfunduar më 2 shtator 2025, siç ishte përcaktuar me procedurat dhe afatet zyrtare të këtij institucioni.

“Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Raundi i dytë pritet të zhvillohet më 9 nëntor, ashtu siç është planifikuar në kalendarin zgjedhor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.