Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Ardian Gola, ka vizituar të martën fshatin Cermjan ku ka shpalosur disa nga projektet e tij në infrastrukturë. Gola ka premtuar rregullimin e kanalizimit e trotuareve, ndërtimin e sheshit, fushave sportive e rregullimin e ndriçimin publik. Në Cermjan ai është zotuar gjithashtu edhe për ndërtimin e nënstacionit të zjarrfikësve.
“Ne do t’i ndërtojmë jo vetëm trotuaret që kanë me qenë me standarde, por edhe sheshin atje, parkun me hapësirë komunitare, me ulëse, me mundësi për rekreacion, ndriçimin publik, nënstacion i zjarrfikësve që është paraparë jo vetëm për Cermjan por edhe për Ponoshec dhe Rogovë”, ka thënë ai.
Faton Peci, kandidat i LVV-së për Mitrovicë ka premtuar se në këtë qytet do të ndërtojë Poliklinikë Stomatologjike Publike, e cila do të ofrojë shërbime bazike falas për fëmijët dhe nxënësit, shërbime të avancuara me çmime të arsyeshme dhe programe të edukimit për shëndetin oral në shkolla. Në sport, pos mbështetjes me subvencione e investimeve në infrastrukturë, është zotuar se do ta ndërtojë edhe një muze alternativ i cili, sipas tij, do të pasqyrojë historinë e lavdishme të sportit në Mitrovicë.
Në Fushë-Kosovë kandidati Valon Prebreza ka kritikuar qeverisjen aktuale të LDK-së se i ka neglizhuar investimet në fshatin Sllatinë. Ai ka thënë se me qeverisjen e Vetëvendosjes problemet në infrastrukturë e në mjedis të këtij fshati do të eliminohen.
“Do ta rregullojmë Shtëpinë e Kulturës dhe do ta kthejmë në shfrytëzim të qytetarëve, do të kujdesemi për mirëmbajtje të Pishave të Sllatinës, shtigjeve dhe ndriçimit publik. Do të eliminojmë problemin e kanalizimit në secilën lagje. Do të investojmë që stadiumi t’i plotësojë standardet evropiane”, është zotuar ai.
E në Dragash kandidati Filiz Mustafa ka premtuar investime në infrastrukturë, lumenj e parqe të këtij fshati.
“Po ashtu në Zaplluxhe do të përkujdesemi që shpenzimet e ndriçimit publik t’i mbulojë Komuna, sepse ndriçimi publik në fshat është bërë me vetëfinancim të banorëve të fshatit”, ka thënë Mustafa.
Në Gjilan kryetari aktual, Alban Hyseni, që kandidon edhe për një mandat, ka lëvduar punën e tij katërvjeçare. Ai ka thënë se gjatë këtij mandati ka investuar mbi 1.5 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit në disa fshatra dhe e ka nisur projektin FLOWS në vlerë të 15 milionë eurove i cili, sipas tij, do të ulë humbjet nga 52% dhe do të sjellë ujë të pijshëm për qytetarët. Ka thënë se edhe në mandatin e dytë do të vazhdojë me projekte konkrete për ujësjellësin dhe ujin e pijshëm në çdo lagje e fshat të Gjilanit.
Në Lipjan kandidati Ilir Qeriqi e ka akuzuar kundërkandidatin e tij nga LDK-ja që është edhe kryetar komune, Imri Ahmeti, për keqpërdorim të parasë publike. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e tetorit të votojnë , siç ka thënë, për t’i dhënë fund qeverisjes korruptive.
“Të nderuar qytetarë, hajdeni të bëhemi bashkë dhe të dërgojmë këtë qeverisje të keqe në shtëpi dhe t’u lëmë vend institucioneve të rendit që të merren me aferat e tyre korruptive”, është shprehur Qeriqi.
E në Shtime, kryetari dhe kandidati Qemajl Aliu, ka prezantuar planin e tij për shërbimet publike në këtë komunë.
