Zgjedhjet lokale

Zgjedhjet lokale i nxjerrin të gjithë “fitues”

Balotazhi - 9 nentor

Foto: Driton Paçarada

Zgjedhjet lokale në Kosovë kanë prodhuar një hartë të re politike. Pas raundit të parë të 12 tetorit dhe balotazhit të mbajtur të dielën, të gjitha partitë në njëfarë mënyre kanë shpallur fitore. 

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë fituar nga shtatë komuna, ndërsa PDK-ja 6 e AAK-ja 5. Lista Serbe i ka fituar 10 komuna. 

LVV-ja pasi fitoi në raundin e parë Podujevën, Shtimen dhe Kamenicën, në balotazh triumfoi edhe në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë. 

LDK-ja në raundin e parë fitoi Lipjanin e Istogut, ndërsa në balotazh e fitoi Prishtinën, Pejën, Dragashin, Junikun e Vitinë. 

E PDK-ja në raundin e parë e fitoi Skenderajn, Ferizajn dhe Hanin e Elezit, e në balotazh e fitoi Prizrenin, Kaçanikun e Vushtrrinë. 

AAK-ja kishte fituar pa balotazh Deçanin, e në balotazh e fitoi edhe Gjakovën, Suharekën, Rahovecin e Klinën, komuna ku ka qeverisur. 

Harta e komunave

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se humbja në Prishtinë është e madhe për Vetëvendosjen. 

“Në Prishtinë, është humbje e madhe për z. Kurtin. Ka pasur rast të mirë me fitu. Do të shohim se secili thotë se jam fitues. Problemi është që nuk ka fitues absolut...Është keq për ndryshimet për nivelin qendror. Me qasje të tillë mund të vazhdohet edhe në nivelin qendror”, ka thënë Muhaxhiri të dielën në edicionin special të KTV-së. 

Edhe njohësi i çështjeve politike Erblin Hoxha vlerëson se Vetëvendosja në Prishtinë ka humbur mundësinë për t’i dhënë LDK-së një goditje. 

“Definitvisht për Vetëvendosjen, Prishtina është garë në vetvete. Më shumë se që ka humbur, e ka  humbur mundësinë për me i bë një humbje LDK-së. Duket se pikërisht kjo afërsi kaq e madhe e votave, nuk është rezultatet domosdoshmërish i vetëm një partie. Kemi pasur koalicion të gjerë të partive thuajse të gjitha në Prishtinë, kjo më tepër se që është fitore e LDK-së mendoj se është alarm i madh se si LDK-ja nuk mundet me mbajt kryeqytetin me qasje të njëjtë. Prandaj këto 4 vjetët e ardhshme janë vendimtare për LDK-në përndryshe mbetet parti me shumë pak komuna”, tha Hoxha në edicionin special të KTV-së. 

Njohësi i çështjeve politike, Artan Alijaj, ka vlerësuar se bashkëpunimet politike që janë parë në nivel qendror tashmë janë reflektuar edhe në zgjedhjet lokale, veçanërisht në Prishtinë.

“Këto koalicione tashmë janë materializuar edhe në nivelin lokal, mendoj se edhe në Prishtinë veçmë është punë e kryer që kemi një koalicion mes LDK-së, PDK-së e AAK-së. Mendoj se qysh në rundin e parë AAK-ja ia ka dhënë argatin LDK-së, pasi që ishin votat e AAK-së që ia mundësuan pjesëmarrjen në balotazh z.Rama, ndërsa po shihet që ka arritur PDK-ja të bindë votuesin e vet që të votojë për z.Rama dhe si rezultat, duke iu falënderuar ndoshta votës së PDK-së, z.Rama do të jetë kryetar edhe për katër vjet”, ka thënë ai. 

Sipas tij, po të mos ekzistonte bllokada në nivel qendror, PDK-ja dhe kandidati i saj, Uran Ismaili, do të kishin mundësinë të konsideronin një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ky është rezultat i kësaj bllokade që e kemi në nivel qendror, po të mos ishte kjo bllokadë, PDK-ja dhe Uran Ismaili do ta konsideronin ndoshta një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ai.

E krerët e partive, i kanë quajtur të suksesshme zgjedhjet lokale. 

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, në një postim në Facebook të hënën ka thënë se “Lëvizjen s’e ndali as bashkimi i gjithë kundërshtarëve”. 

“Ju faleminderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra.  Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s. Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shkruar Kurti.

E LDK-ja ka thënë se ka arritur rezultat të jashtëzakonshëm.  

“Me dëshirë do t’i fitonim të gjitha komunat. Këtë herë i kemi fituar shtatë, përfshirë Prishtinën. Natyrisht, në disa komuna provohet, angazhohet dhe vjen një kohë që ndryshohet qeverisja. Ky nuk është fundi politik. Besoj se kandidatët tanë duhet të ndihen krenarë edhe në Fushë Kosovë, Obiliq, Gjilan dhe Suharekë. Siç i përgëzoj të gjitha ekipet tona në raundin e parë, po ashtu në përgjithësi LDK-ja ka një rezultat të jashtëzakonshëm në një garë të vështirë elektorale në Kosovë. Në Prishtinë e kemi pasur mbështetjen e qytetarëve të Prishtinës”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është konfirmuar një besim i rritur ndaj partisë në nivel nacional.

"Dita e djeshme konfirmoi fuqinë politike dhe stabilitetin e Aleancës. Kemi triumfuar në 5 komunat ku kemi qeverisur, ndërsa do të jemi në bashkëqeverisje në mbi 10 komuna. Në kuvendet komunale, Aleanca përfaqësohet me 98 asambleistë. Andaj, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë aktivistët dhe strukturat tona, veçanërisht atyre në Diasporë, të cilët treguan përkushtim dhe vërtetësi në çdo hap. Për 87.358 qytetarët që na besuan dhe mbështetën projektin tonë politik, ju siguroj se do të punojmë edhe më me ngulm për ta respektuar këtë besim, duke punuar, avancuar dhe u reformuar për zgjedhjet e ardhshme", ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

E kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, është paraqitur në Prizren të dielën mbrëma së bashku me Shaqir Totajn, duke e shpallur fitoren në këtë komunë. Totaj do të qeverisë me Prizrenin edhe për një mandat.  Por, PDK-ja kishte shpallur fitoren për asamble, duke thënë se ka më shumti asamblistë. 
E partitë kanë festuar të dielën nëpër komunat ku u është konfirmuar fitorja. 

Gazetari i KOHËS, Besnik Krasniqi, ka thënë se humbja në Prishtinë e Prizren duhet t’i shërbejë si mësim Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Nëse nuk e mirëmban një investim në bastione të caktuara, atëherë edhe humb. Rikthimi është i vështirë”, tha Krasniqi në edicionin special të KTV-së. 

Ai ka thënë se Vetëvendosja do të kishte bërë më mirë po të kishte propozuar Hajrullah Çekun si kandidat për Prizrenin në vend të Prishtinës. 

“Pasi ne e njohim z. Çeku fillimisht me aktivitetin e tij në Prizren. Nuk e di nëse ia ka qëlluar me këtë kandidaturë. Shumë njerëz thonë se kandidaturë tjetër, si ajo e z. Glauk Konjufca, do të kalonte pa problem qysh në raundin e parë”, tha Krasniqi. 

Krasniqi ka thënë se nuk lidhen zgjedhjet lokale e me nacionale, e dëshmi ishte edhe 4 vjet më parë kur Vetëvendosje i kishte fituar mbi 50 për qind në nacionale, por arriti të marrë më pas në lokale vetëm tri komuna. 

Krasniqi ka thënë se për nga numri i popullsisë dhe territori, LDK-ja del fituese në zgjedhjet lokale. Ai ka thënë se do të qeverisë me rreth 463 mijë banorë dhe territor 2701 kilometra katrorë. Për nga numri i banorëve, PDK-ja do të qeverisë me 440 mijë banorë e me territor 1993 kilometra katrorë. E shtatë komunat që do t’i qeverisë  Vetëvendosja në total kanë 349 mijë e 410 qytetarë, e në total 2101 kilometra katrorë.