Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

15 ditë afat për presidentin, pushteti e opozita pa lëvizje konkrete

karrika e presidentit

Foto: Driton Paçarada

Edhe 15 ditë kanë mbetur deri te afati  kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, por nga skena politike nuk ka asnjë shenjë deri tash që mund të arrihet pajtueshmëri për këtë çështje.

Opozita e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i interesuar për zgjidhje dhe se do ta dërgojë vendin në zgjedhje. Në anën tjetër nga Qeveria kanë deklaruar në vazhdimësi se duhet arritur zgjidhje dhe të shmanget edhe një proces tjetër zgjedhor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aktualisht, koalicioni i ndërtuar nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 e AAK-ja gjashtë.

Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy raundet e para. Në garë janë dy kandidatët e Vetëvendosjes, të cilët në seancën e 5 marsit nuk arritën të sigurojnë as kuorumin për nisjen e votimit.
Të hënën që shkoi është zhvilluar një takim mes Abdixhikut dhe Kurtit, por pa marrëveshje. PDK-ja ka kërkuar që një takim i mundshëm Kurti–Hamza të ftohet zyrtarisht me letër, ndërsa Abdixhiku ka bërë të ditur se tashmë është takuar edhe me Hamzën.

Kryeministri Kurti, deri më tani, nuk e ka ftuar në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Analistit Afrim Kasolli, ka thënë për Kohën të dielën se partitë janë futur në një cikël shfajësimi, me synim krijimin e perceptimit se nuk mbajnë përgjegjësi për moszgjedhjen e presidentit.

“Lidhja Demokratike e kishte pësuar tej mase në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Prandaj, kjo përvojë traumatike duket se është duke i kushtëzuar veprimet politike të Lumir Abdixhikut që ai të shfaqet në opinionin publik si lideri që është më së paku fajtor për pamundësinë e subjekteve të tjera për t’i dhënë vendit një president të ri”, ka thënë Kasolli.

E analisti, Arbnor Sadiku thotë se përgjegjësia për dështim i bie Vetëvendosjes. Megjithatë, ka deklaruar se një palë zgjedhje të reja, do i konvenonin LDK-së. 

Ai ka theksuar se një bashkim mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe Abdixhikut nën një subjekt garues, do ta sfidonin Vetëvendosjen e Kurtit. 

“Do të kishim një bllok të kryesuar nga zotëri Abdixhiku dhe Vjosa Osmani dhe bllokun tjetër nga zotëri Kurti dhe partitë e tjera siç është Partia Demokratike dhe Aleanca dhe do të kishim një garë bukur të fortë elektorale”, ka deklaruar ai.

Gjykata Kushtetuese ka caktuar afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.